Incidenti erotik i aktivistes së FRESSH-it dhe kanceri i gazetarisë

Nga Elton Dono

Gazetaria e skandaleve nuk mund të ndalet para asgjëje.

Ajo nuk njeh as moral, as limite, as vlera njerëzore, as njerëz që mund të shkatërrohen, sepse ata kënaqen duke parë të tjerët të shkatërrohen.

Gazetaria e pseudoportaleve dhe pseudogazetarëve, që përherë kanë synuar shkatërrimin e degradimin njerëzve, vijon të jetë aktive dhe në formë më tepër se kurrë.

Sepse janë vetë të degraduar dhe kënaqen t’i rrënojnë edhe të tjerët. Ndihen të plotfuqishëm, kënaqen me fatkeqësinë e të tjerëve.

Dhe e çuditshme është se askush nuk tenton t’i ndalë.

E ata vijojnë të marrin klikime të babëzitur, duke shitur seks, pamje erotike, videoskandale sipas tyre.

I referohem rastit më të fundit të një prej aktivisteve të FRESSH-it, e cila pa dashje ka dërguar në grupin e partisë në whatsapp një video ku duket në momente intime.

Por çfarë ndodhi?

Jo vetëm që dikush nga grupi i partisë vrapoi ta shpërndajë materialin në media, sepse natyrshëm është dikush diku që e ka inat, por ajo që del dukshëm në pah është babëzia e pseudogazetarisë së skandaleve që shpërfaqet fuqishëm në raste të tilla.

Vrapuat ta publikoni, madje i vendosët dhe logo të portaleve tuaja sipër.

Shkruat disa lajme për skandalin, sepse kështu do të rrisnit klikimet.

Si të mos mjaftonit ju, doli dhe një shok i vajzës që i shpreh “mbështetje”, duke e publikuar edhe me fytyrë, e vetmja gjë e pazbuluar nga vajza në fjalë.  Nëse deri tani u shpërnda si skandal dhe vetëm me emër, tashmë ka edhe fytyrën.

Një idiot që në emër të “mbështetjes” ndaj “mikeshës” i shpërndan foton, si akt  reagimi ballëhapur ndaj degjenerimit.  “Tallavaja e moralistëve le të shpërthejë duke bërë si shenjtorë dhe duke kryqëzuar secilin”,- është reagimi i tij.

E këtu ju  pseudoportale vrapuat sërish për lajme bombastike: “Zbulohet vajza e seksit”, “Ja kush është…” etj.

E justifikuat edhe një tjetër ditë pune.

Nuk po përpiqem aspak të bëj moralistin këtu, por nuk mund të rrija pa i shkruar këto rreshta, sepse nuk është e nevojshme të mbrosh moralin kur e mendon dhe shikon të drejtën pa pasur nevojë të të vishen sytë nga babëzia që nuk ka limite e ca hienave që punojnë në media online.

Ju nuk keni familje.

Ju nuk keni asnjë lloj kufiri.

Ju jeni plehra, vemje, të pështirë, maskarenj.

Jeni dhe do të mbeteni fundërrina dhe llumi i kësaj shoqërie, fatkeqësia e së cilës është se ju ushtroni gazetarinë.

Sepse sot gazetaria ushtrohet nga çdokush, nga çdo “idiot” që mund të shkruajë dhe mendon se e ushtron.

Mund t’i falej publikimi i këtij fotoskandali ndonjë pseudoportali, por juve kurrë!

Ju që pretendoni se ushtroni gazetari me emra dhe mbiemra, ju me portale me emra seriozë që mbaheni si shembujt e ushtrimit të këtij profesioni, kurrë.

Dua të m’i përgjigjeni disa pyetjeve e nëse s’kam të drejtë tërhiqem e nuk flas më kurrë për ca vlera njerëzore që mendoj se duhet t’i kesh para se të futësh këmbën në një redaksi.

  1. A është personazh publik vajza në fjalë?
  2. Çfarë interesi ka për publikun dhe çfarë vlere ka për publikun ky lajm?
  3. A nuk mundet që kushdo qoftë të ketë një jetë private dhe të bëjë seks?

Si përfundim unë uroj që vajza t’ju denoncojë për çdo artikull që keni bërë, për çdo foto që i keni publikuar, për çdo fjalë që keni hedhur si helm ndaj saj.

Uroj që gazetaria e llojit tuaj të marrë fund njëherë e mirë, edhe pse e di që do të jetë e vështirë sepse ju jeni kanceri i gazetarisë.  Ju po e vrisni gazetarinë.

Ju jeni plehra!/ Blitz.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *