Humori politik ose banaliteti që na mban gjallë

Gati 30 vite duket se nuk na mjaftuan për tu bërë njerëz më të mirë, as shoqëri më e mirë e as për të lënë diku gjurmë punësh të mira. Për fatkeqësinë tonë të përbashkët fajin këtu nuk e kanë vetëm ligjvënësit e ata që drejtojnë, por edhe një përdhunim sistematik akustik e pamor falë mediave tona. Është tronditëse, por ti nuk zgjedh dot as të qeshësh me diçka tjetër në këtë vend, veç politikës. Tashmë janë hit imitime të ndryshme të bëra nga Portokallia e ku çdo video-hit që qarkullon nëpër rrjete sociale zakonisht është vetëm i lidhur me politikën. Po kështu edhe programet e tjera të humorit në televizionet tona, të cilat kryefjalë të mbërthimit të publikut para ekranit, kanë ironizimin e ndonjë politikani, të cilët të them të drejtën jo vetëm që nuk kanë arritur t’i “demaskojnë”, por i kanë bërë edhe yjet e vendit. Pavarësisht këtyre, humori i sjellë nga Agron Llakaj së fundmi besoj se ka kaluar çdo lloj limiti artistik, ironizimi apo sarkazme. Versioni “Tiranës ç’i panë sytë” ishte së pari fyerje e madhe për këngën e bukur labe “Janinës ç’i panë sytë”, e cila nuk mund kurrësesi të përdoret për një banalitet të tillë. Nuk mundet, sepse e deformon komplet gjithë atë histori, art e deri “mbrojtje nga Unesco” për tu bërë qejfin turmave në një moment të caktuar, apo më keq akoma siç ndodh tek ne, për të nxjerrë mllefin e momentit.

Unë e kuptoj dëshirën për të thithur audiencë, për tu kthyer në hit, por di po ashtu se duhet të ketë një ekuilibër, një sitë, një cak. Nuk e kemi. Dhe aq më shumë kur ne e dimë fare mirë se në gjuhën shqipe të ashtuquajtura “fjalë me pullë të kuqe”, nuk të lënë shteg për komunikim në asnjë lloj regjistri, veç atij që përdoret rëndom në rrugë. Kështu ishte dhe mbyllja e parodisë ndaj kryebashkiakut Veliaj me këngën  e dhunuar “një term rrugaçëror”, i cili në 2016 nuk të bën më për të qeshur e as për të qarë. Të lë shijen e bajatisë.

Kjo nuk do të thotë të jemi kundër ironisë e humorit me politikanët, por duke iu përmbajtur ndikimit që ka televizioni, mediat etj, fuqia e artit  e muzikës, duhet të nisim të jemi më të kritikë ndaj asaj çfarë na serviret. Sepse presupozohet që arti të qëndrojë shumë më lart trumave dhe komunikimit të tyre, e në fakt ai duhet të jetë një edukim krejt tjetër shijesh. Nuk mund të rrimë as ne si media, të sajojmë tituj se Agron Llakajn e pushuan nga puna për ironin ndaj Veliaj, apo gjëra të tjera që në fund të ditës nuk të lënë asgjë veç bezdisjes dhe shijes së keqes. Duhet të nisim të flasim vërtetë për artin dhe fuqinë e tij dhe duhet të refuzojmë të ushqeheni me banalitete të tilla, sidomos ato të llojit politike, të cilat mesa duket kanë mbetur e vetmja formë për të shkuar tek publiku.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *