Nga Enver Robelli
Shani Tarashaj është lindur në Zvicër në vitin 1995, një vit që për Kosovën paraqet kthesë: në Dayton shtetet e mëdha e quajtën Kosovën problem të vogël të Serbisë dhe s’u morën me të, ndërkohë që në diasporë vinin me mijëra njerëz si pasojë e represionit të madh serb. Në të njëjtën kohë bëheshin përgatitje për t’iu kundërvënë aparatit represiv të Serbisë. Kur ka filluar lufta e NATO-s kundër Serbisë për ta çliruar Kosovën, Tarashaj ka qenë 4 vjeçar. Prej tij s’mund të presim të jetë i politizuar, të ketë vetëdije të zhvilluar politike, të jetë i vetëdijshëm se çfarë domethënie kanë për Kosovën vitet 1998/99. Megjithatë, pak sens politik duhet të presim edhe prej atyre që profesion primar e kanë vrapimin pas topit. Familja e Shani Tarashajt vjen nga Prizreni, një qytet jo edhe aq i parëndësishëm për historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan. Në një intervistë me një gazetë zvicerane që shpërndahet gratis futbollisti i Kombëtares së Zvicrës, Shani Tarashaj, në pyetjen «Çfarë rituali keni para ndeshjes?», përgjigjet: «Lexoj Kuranin».
Është e drejtë e secilit lojtar t’i besoj Muhamedit, Krishtit, Budës, madje edhe «Flying Spaghetti Monster». Por te jo pak futbollistë shqiptarë ka një tendencë që në opinon të perceptohen vetëm si myslimanë. Njëjtë edhe Tarashaj. Për të duket se është shumë e rëndësishme t’i tregoj opinionit zviceran se po e lexon Kuranin para çdo ndeshjeje, po ashtu zbulon se veturë e ëndrrave të tij është Lamborghini, por për vendin prej nga vjen thotë vetëm se Prizreni është qyteti më i bukur. Kaq, ditën e mirë. Mbetet të shihet nëse Tarashajt në fushën e gjelbër do t’i ndihmojë libri i shenjtë apo talenti.
Së fundi opinioni është ballafaquar edhe me problemet e Mërgim Mavrajt me birrën. Ai refuzoi të bart fanellën me reklamë të një marke kosovare të birrës. Edhe kjo është çështje e tij dhe e Federatës Shqiptare të Futbollit, por problemi i madh fillon kur Mavraj gjykon në kategoritë «haram-hallall». Çfarë instance është Mavraj për të gjykuar të tjerët që pinë birrë? Kurrfarë instance. Që birra prodhohet edhe në vendet myslimane si Egjipt dhe Turqi, këtë duket se Mavraj ose nuk e di, ose e injoron me qëllim. Ashtu siç nuk kemi të drejtë t’i paragjykojmë të gjithë myslimanët (apo arabët) kur në gazetë lexojmë se vajza tetëvjeçare Ravan, si shumë moshatare të saj në Jemen, pas «natës së parë të martesës» me një 45-vjeçar vdiq nga gjakderdhja, edhe Mavraj nuk ka të drejtë t’i etiketojë të tjerët nëse pinë birrë. Sepse, sipas tij, kush pi pije haram, ai njeri i mirë s’mund të jetë. Duke e ditur se 99 për qind e njerëzve me të cilët ka punë Mavraj në Gjermani pinë birrë, atëherë duket se ai është në vend të gabuar.
Futbollistët shqiptarë – dhe kjo vlen sidomos për Mavrajn si flamurtar i islamit politik – mund të besojnë në çfarë të duan, por shoqërisë diversitare shqiptare s’i bëjnë asnjë shërbim me propagandën e tyre agresive fetare. Nuk janë të gjithë shqiptarët myslimanë, siç nuk janë të gjithë të penduar përse nuk e kanë «ruajtur fenë e të parëve tanë të lavdishëm». Më së shumti ka shqiptarë që janë indiferentë ndaj fesë, pastaj ka të krishterë ortodoksë dhe katolikë, ka evangjelistë, ka bektashinj (të cilët historikisht kanë bërë shumë për kombin shqiptar), ka ithtarë të feve të tjera «moderne». Ndoshta po kërkojmë shumë nga Mavraj, fundja ai përveç se në Kuran gjen prehje edhe në këngët e Adem Ramadanit, i cili herë këndon në ato kafehanet «Muzik» dhe «Te Burdushi», herë në Teatro alla Scala në Milano.
Ashtu si Shani Tarashaj edhe Shkodran Mustafi është lindur në diasporë, në landin e Hessenit në Gjermani. Nganjëherë emri është edhe obligim. Nga një Shkodran do të duhej pritur më shumë ndjeshmëri për tema të caktuara, njëra ndër to është feja. Në vend se ta trajtojë fenë si çështje krejtësisht private, Mustafi e sheh të domosdoshme të shtyhet me një përgjegjës të klubit Valencia, të cilit i kërkon ta heq një shishe të birrës nga tavolina. Krejt ky muhabet zhvillohet para gazetarëve, të cilët – pse jo? – këtë edhe e bëjnë temë të madhe. Përgjegjësi i klubit insiston që shishja e birrës të mbetet në tavolinë, sepse ndërmarrja që e prodhon birrën është sponsor i Valencia. Askush nuk e detyron Mustafin të konsumojë alkool, por është absurde të përpiqesh të imponosh «rregulla rigjide» për alkoolin, kur në këtë betejë shpesh dështojnë edhe shtete si Arabia Saudite apo Irani.
Një detaj tjetër: në rrjetet sociale është shpërndarë një fotografi, ku Mustafi shihet duke bërë dua i veshur me një fanellë me këtë mbishkrim: «I’M MUSLIM DON’T PANIC». Problematike bëhet kjo fotografi kur atë e shpërndan në rrjete sociale Pierre Vogel, një gjerman i konvertuar në islamist të sektit selafist, predikues radikal, i cili më 7 maj 2011, pesë ditë pas vrasjes së Osama Bin Ladenit, dëshironte «t’ia falte xhenazën» publikisht kryeterroristit arab. Autoritetet e qytetit të Frankfurtit e ndaluan një karneval të tillë islamist. Është me rëndësi që futbollistët shqiptarë të mos lejojnë të instrumentalizohen për qëllime të islamit politik. Nëse bëhen vegla të një ideologjie nihiliste dhe vrastare, atëherë do t’i bëjnë dëm të madh së pari vetvetes, pastaj rrethit të tyre familjar dhe mbarë shoqërisë shqiptare.
Para një viti vegël politike për interesa të humoristit pseudofetar Shefqet Krasniqi u bë Xherdan Shaqiri. Ai e priti Krasniqin në shtëpinë e tij në Zhegër, madje gjithçka u përjetësua me fotografi nga ky takim, për shembull kur Krasniqi i dhuron futbollistit Shaqiri disa vepra të shkruara prej tij.
Si do të ishte sikur Shaqiri, Mavraj, Mustafi e të tjerët të tregonin pak respekt edhe për figura të rëndësishme të historisë shqiptare? Si do të ishte të postonin një portret të Skënderbeut? E di që prej tyre s’mund të presim të postojnë në Twitter apo Facebook operën «Scanderbeg» të Antonio Vivladit, por pse jo një fotografi të Naim Frashërit, Sami Frashërit, Abdyl Frashërit, Jeronim de Radës, Ndre Mjedës, Lasgushit, Esad Mekulit… Asgjë nga historia shqiptare s’sheh në profilet e tyre, përveç ndonjëherë ndonjë flamur kuq e zi. Në të njëjtën kohë profili i Mërgim Mavrajt në Facebook i ngjan një mejtepi. Para se të jenë myslimanë, budistë, kristianë, ata janë shqiptarë. Dhe si të tillë duhet të sillen në opinion. Se çfarë bëjnë në jetën private, punë e tyre, le të pinë salep apo birrë, ju bëftë mirë.