“House of Cards” në Netflix: Pasuria nuk matet me avionë privatë, por me numrin e shpirtrave të blerë

Përgatiti për Pasqyre.al, Bjorn Runa

Vetëm pak ditë më parë Netflix bëri publik sezonin e katërt të serialit të tij origjinal më të njohur, “House of Cards.” Por, kjo nuk është e reja e vetme që gjigandi i Internet TV ka sjellë. Bashkë me sezonin e ri, ai ka bërë gjithashtu të mundur që ky serial të ndiqet edhe në Europë (duke përfshirë edhe Shqipërinë), gjë që deri më tani kishte qenë e pamundur, për shkak të kontratave që Netflix kishte lidhur me disa nga rrjetet televizive më të mëdha Europiane.
Por, çfarë është “House of Cards?” Drama politike me producent Beau Willimon është një përshtatje e miniserialit të dikurshëm Britanik me të njëjtin emër. I vendosur në Washington-in e ditëve të sotme, seriali ka në qendër kongresmenin Demokrat, Frank Underwood (Kevin Spacey), i cili pasi anashkalohet nga zgjedhja si Sekretar i Shtetit, nis të thurë planin e tij për të arritur në një post sa më të lartë, i ndihmuar edhe nga bashkëshortja e tij Claire Underwood (Robin Wright). Seriali trajton kryesisht temat e pragmatizmit të pashpirt, manipulimit dhe pushtetit.
I ftohtë, dinak dhe i pamëshirshëm. Frank Underwood, prej tri vitesh tashmë, ka treguar se ç’lloj njeriu duhet të jesh për t’u ngjitur në majat e politikës. Me metodat e tij makiaveliane dhe përllogaritjet e akullta, ai është njeriu të cilin një ditë mund ta kesh mik, ndërsa të nesërmen është gati të të vrasë nëse kjo do ta ndihmonte të arrinte aty ku ai do. Megjithatë, në fund ti e gjen veten të lidhur tej mase me personazhin e tij, pavarësisht gjithçkaje.
“Ka dy lloje dhimbjesh. Dhimbja e mirë – ajo që të motivon e të bën më të fortë, dhe dhimbja e keqe- ajo e padobishmja, që të shkakton vetëm vuajtje. Unë e mirëpres të parën, por nuk kam durim për të dytën.” Është kjo fjalia me të cilën nis historia e Frank Underwood, ndërsa i përdredh qafën një qeni të aksidentuar nga makina, për ta shpërtuar nga lloji i dytë i vuajtjes.Dhe, është pikërisht dhimbja e parë, ajo e zhgënjimit nga miqtë të cilët i pati mbështetur gjatë fushatës presidenciale, e që në fund e zhgënjyen duke mos mbajtur premitmet e tyre, ajo që e shtyn Underwood të nisë hakmarrjen e tij të akullt e të mirëllogaritur gjatë trembëdhjetë episodeve të sezonit të parë.
Megjithatë, ai nuk ndalet me aq. Siç thotë edhe vetë, “afrimi me pushtetin i bën disa të mendojnë se e kanë arritur atë tashmë,” por jo Frank Underwood. Planet e tij shkojnë më tej drejt zgjedhjes si Zv. President e më pas kandidimit të tij për president të SHBA.
Dialogët e mprehtë dhe shkëputjet e herë pas hershme nga historia për t’iu drejtuar shikuesve, janë ndoshta dy detajet më kryesore dhe origjinalë të serialit, gjatë të cilëve Frank Underwood përpiqet që nëpërmjet kamerës të komunikojë me publikun. Nuk mund të thuhet se kjo është një mënyrë nëpërmjet të cilës ai përpiqet të shfajësohet në lidhje me veprimet e tij, sesa kërkon të përfshijë edhe shikuesit në ngjarje.
Në dy sezonet e tjera, vazhdojnë përpjekjet e Frank Underwood, ndërsa ai zgjidhet president, për të mbajtur pushtetin dhe për të kontrolluar të gjithë rreth tij, pasi sipas tij, “pasuria nuk matet me avionë privatë, por me numrin e shpirtrave të blerë.” Ndonëse sferat në të cilat zhvillohet kjo dramë politike janë të larta, përkitjet e ngjashmëritë që mund të ketë me politikën shqiptare e bëjnë “House of Cards” një serial për të mos u humbur, pasi në thelb politika dhe etja për pushtet janë të ngjashme. Mund të ndryshojnë situatat dhe personazhet realë mund të mos kenë elegancën e Frank Underwood, por në fund të gjithë synojnë të njëjtën gjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *