Të shtëna, njerëz që vraponin e ulërisnin, frikë, tmerr e të vdekur. Rrugë të përgjakura! Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Nice të Francës mbrëmjen e sotme. Një kamion, i dyshuar të drejtohej nga terroistë ka hyrë mes një turme njerëzish duke shtypur mbi 30 persona, të cilët kanë mbetur të vdekur. Shifrat e të vdekurve e të plagosurve nuk janë ende zyrtare dhe media të ndryshme raportojnë shifra të ndryshme.
Ngjarja ka ndodhur afër Hotel Negresco, ndërsa njerëzit kanë vrapuar të tmerruar. Gjithçka ndodhi gjatë festimeve për Ditën e Bastijës kur kamioni u fut në bulevardin kryesor të këtij qyteti, “Promenade des Anglais”, buzë detit gjatë lëshimit të fishekzjarrëve. Në vendngjarje janë dëgjuar të shtëna armësh dhe mbi 120 persona raportohet se janë plagosur ndërsa flitet dhe për pengje. Kryebashkiaku i Nice u ka bërë thirrje njerëzve të mbyllen brenda dhe të mos dalin nga shtëpitë, ndërsa dëshmitarët tregojnë horrorin kur kamioni mori para njerëzit. Policia mësohet se ka qëlluar personin që ngiste mjetin vrasës. Në Nice këtë periudhë ka mjaft turistë, mes tyre dhe shqiptarë.
Policia raportoi se ka qëlluar për vdekje drejtuesin e kamionit.
Disa video në rrjete sociale tregojnë momentet e panikut, me njerëz të cilët vrapojnë dhe bërtasin duke kërkuar ndihmë. Mediat ndërkombëtare shkruajnë për skena horrori. Mediat franceze raportojnë se presidenti Fransua Hollande do të mbajë një mbledhje emergjente per sulmet terroriste.
Ky është sulmi i tretë në Francë pas atij në “Charlie Hebdo” dhe sulmit te nentorit të vitit 2015 që la të vdekur rreth 130 veta në sallën e koncerteve në Bataclan në Paris.
Parisi, Nisa, Brukseli, Stambolli dhe Ankaraja kanë pësuar sulme terroriste prej një viti- për të mos harruar edhe sulme të tjera jashtë Europës./ Pasqyre.al