Hollues

Fernando Pessoa 
________
Fqinja e banesës nr. 14 qeshte sot tek dera
prej nga para një muaji u përcoll i biri i vogël për në banesë të fundit.
Qeshte pa të keq, tërë gaz në fytyrë.
Mirë: kështu e ka jeta.
Dhimbja nuk zgjat sepse nuk zgjat.
Mirë.
Përsëris: mirë.
Ama zemra ime nuk mendon se është mirë.
Zemra ime romantike luan kukafshehtas me egoizmin e jetës.
Ja pra mësimi, o shpirtra njerëzish!
Nëse nëna harron të birin që ka dalë prej saj dhe ka vdekur,
kujt do i bëhet vonë e të kujtohet për mua?
Jam fillikat në këtë botë, si një tullë e thyer…
Mund të vdes siç përthahet vesa…
Për shkak të zanatit të natyrshëm të natyrës diellore…
Mund të vdes si pasojë e vullnetit të harresës,
mund të vdes si kurrkush…
Çka dhemb,
çka është e pacipë për atë që nuk ka zemër…
Çka…
Po, çka më ngec në grykë si një sanduiç me lotë…
Lavdi? Dashuri? Grahma e një shpirti njerëzor?
Apoteozë e kthyer përmbys…
Më jepni ujë mineral se dua të harroj Jetën!…
Shqip: Edon Qesari 
[Shënim: Poezia është pjesë e ciklit të njohur me emrin e Álvaro de Campos-it, një prej heteronimeve të Pessoa-s.
Është sjellë në shqip nga italishtja, sipas përkthimit të Antonio Tabucchi-t]


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *