“Hapjani dritaren pulëbardhës që stërkala shpresash po iu shkund, që çan me afsh këtë qiell mardhës dhe zgjon e ngre e shkund e mund”.
Shkrimtari Teodor Laço vjen tashmë edhe në vargje! Me rastin e botimit të vëllimit poetik “Hapjani dritaren pulëbardhës” shtëpia botuese Tirana Times organozoi një takim të enjten, më 4 maj, në Librarinë Tirana Times.
“E pra, përse i duhej Teodorit një libër me poezi kur ai si krijues ishte i plotësuar dhe realizuar nga të gjitha anët? Thjesht pse i kishte shkruar dhe duhej të botoheshin patjetër, siç ndodh shpesh herë? Ai nuk ishte nga ata krijues që mendonin se gjithçka që shkruante e kishte kryevepër dhe se duhej ta botonte pa tjetër. Nuk ishte nga ata që sapo mbyllte në dorëshkrim faqen e fundit të librit shpejtonte ta dorëzonte në shtëpinë botuese”. Bardhyl Londo ka një parathënie të gjatë në librin e sapobotuar me poezi të Teodor Laços.
Ai shënon se ka qenë e vështirë zgjedhja e titullit për këtë botim pas vdekjes të poetit.
“Hapjani dritaren pulëbardhës”, “Treni i dhembjes”, “Treni i së martës”, “Trishtimi i plazhit”, “Mure pa mure”, “Pikëllim i viteve që ikin”, “Zogu i shpirtit”, “Hëna del vetëm për mua”, “Lotët e burrave”, “Etje e pashuar”, “Kohë pa emër” etj- ishte tejet e vështirë deri sa vendosëm për titullin. Ia ndërruam dy tre herë dhe më në fund ramë dakord së bashku. I përmenda të gjitha këto vetëm për arsyen se një libër i mirë të jep mundësinë edhe për një apo disa tituj të bukur. Një libër që nuk thotë gjë, s’ka çfarë të të japë. Si puna e bukës: bëhet e mirë vetëm kur mielli është i mirë, thotë Londo.
Ti terr i errët e më i errët,
ti vrer i vrerët e më i vrerët,
ti pyetje e pyetjes së papyetur,
ti pritje e pritjes së papritur…
Kam zjarr të vjetër, të padjegur,
kam mall të ëmbël, të patretur,
kam ende etje të pashuar,
kam ende punë pa mbaruar
“Nga poezia e Laços nuk do zhgënjehesha, megjithëse unë s’i kisha lexuar kurrë më parë vjersha dhe nuk e kisha parë të botonte ndonjë prej tyre, madje nuk e dija që shkruante edhe poezi. Por, gjithsesi, një lloj ankthi, si do të pritej libri me poezi, a i afrohej, a ishte në nivelin e krijimtarisë së Laços gjallonte gërryese brenda meje”, thotë Londo.
Ai ka shkruar poezi vetëm kur ajo i ka ardhur natyrshëm, i ka trokitur vetë, ashtu siç mugullon bari, siç bie tisi i mjegullës pranverore mbi një lumë, siç pikojnë strehët kur shkrin dëbora. A mund t’u thuash pikave të shiut pranveror të mos bien mbi gjelbërimin që ka filluar të harliset?
Londo shënon se ai është edhe një skenarist, publicist, por edhe intelektual e aktivist shoqëror që ka lenë gjurmë të pashlyeshme. Për të mos folur pastaj për veprimtarinë politike, fushë ku ai mbeti përsëri i veçantë dhe i papërsëritshëm. Ndryshe nga vrazhdësia dhe brutaliteti gjysmë otoman-oriental i politikës së përditshme shqiptare, Teodori edhe në këtë fushë e skaliti veten si një personalitet krejt i veçantë: elegant, i urtë e i mençur si gjithë jeta e tij, si të gjitha hapat që ka hedhur, qysh nga fëmijëria e largët deri në ditën kur mbylli sytë, duke na lenë pas jo vetëm trishtimin e ikjes pa kthim, por edhe një trishtim e dhembje të përhershme dhe gërryese: mungesën e pariparueshme, zëvendësimin e pamundshëm të vendit që la bosh në bisedat dhe kujtimet e përditshme, në kafet e mëngjesit apo të mesditës, në tavolinat ku një fushë shahu pret tashmë e zymtë, e ngrysur, në kitarën që shpreson më kot të ndjejë përkëdheljen e gishtave të tij të butë.