Në nëntor të 2016-ës, gjatë një aktiviteti të mbajtur në Gjirokastër me temë “Musine Muza Ime” Ministrja Kumbaro duke shprehur hapur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës për projektin e vlerësimit të figurës së Musine Kokalarit, u angazhua për një kalendar konkret në 100 vjetorin e lindjes së simbolit të qëndresës, intelektuales gjirokastrite dënuar me burg e me internim nga regjimi komunist.
Në një postim të saj në Facebook, ministrja Kumbaro njofton se ky kalendar fillon pikërisht me nisjen e procedurës për hapjen e dosjes së ish-Sigurimit për Musine Kokalarin, si një ftesë për të zbuluar deri në fund të keqen dhe për të mos harruar kurrë.
“Me besim të fortë në punën e pasionin e Gentiana Sules, e përshëndes dhe mbështes punën e Autoritetit për Informimin mbi ish-Dokumentet e Sigurimit të Shtetit në ruajtjen e kujtesës dhe studimit të historisë së hidhur të regjimit komunist.
Nuk mund të bënim zgjedhje më të mirë se ta fillonim këtë punë me dosjen e një figure të veçantë e frymëzuese si Musine Kokalari, gruaja simbol e rezistencës dhe intelektualja mendjehapur në kohët e mbyllura, të cilën së shpejti do ta kemi në qendër të vëmendjes në ditën e 100 vjetorit të lindjes.
Mirënjohje familjes Kokalari për bashkëpunimin dhe besimin!”, shkruan Kumbaro.
Ditën e djeshme Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, deklaroi se dosja e parë që do të hapet është ajo e Musine Kokalarit
Më 10 shkurt, ditën që përkon me 100 vjetorin e lindjes së Musines, Ministria e Kulturës ka parashikuar një kalendar të ngjeshur për ta nderuar ashtu siç duhet emblemën e disidencës shqiptare.
E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, Musineja u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983, nga kanceri. Edhe pse e sëmurë rëndë Musineja nuk e humbi forcën e saj të jashtëzakonshme me të cilën qëndroi përballë një regjimi gjakësor deri në çastet e fundit të jetës. Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”, shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste.