U hap për publikun Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, godina e mistershme që prej 45 viteve mbuluar nga gjethet iu fsheh syrit të publikut dhe ku u përgjuan, kontrolluan dhe spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist.
“Shtëpia me Gjethe”, e kthyer në Muze të memories me mbështetjen e Kryeministrit dhe projekt të Ministrisë së Kulturës, është dëshmia më therëse e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat e shpirtrat e njerëzve.
Kryeministri Rama u shpreh në fjalën e tij se “Shtëpia me Gjethe” “Është një shtëpi ku fshihet një thesar shumë i rëndësishëm i kujtesës tonë kolektive, një thesar që na jep mundësi të zbulojmë pjesëza të tjera të këtij mozaiku që mbetet ende për t’u zbuluar plotësisht, me ngjarje, me personazhe, me lidhje mes shtetit, njerëzve, periudhave, që janë deri këtu, sot, të mbuluara nga pluhuri i harresës. E për shumëkënd, për fat të keq, këto hapësira janë si rikthim i errësirës, ndërsa për mua, hedhja e dritës në këto errësira është ushqim i shpresës që lidhet me plotësimin e vrimave të zeza të kujtesës tonë kolektive dhe kujtesës së gjithsecilit”.
“Më erdhi e m’u përplas në fytyrë kjo fjali e Faulkner-it kur në korrikun e 2014 kapërcyem për të parën herë atë prag, bashkë me Elisabetta Terragnin dhe Bashkim Shehun. Elisabetta mbase s’kuptonte gjë, por ajo ndjeu si ndryshoi fytyra ime dhe si u trondit ajo e Bashkim Shehut, kur hynim nga zyra në zyrë dhe preknim objektet, letrat, regjistrat, kur hapëm hartat origjinale që tregonin me laps blu dhe të kuq – nga ato që ne përdornim në shkollë fillore, – se ku kalonin kabllot e përgjimit në qytet, ku ishin vendosur kamerat, kur pamë se si na përgjonin, se si njeriu që kisha kryqëzuar në rrugë dikur, nuk ishte dhe aq i rastësishëm, se si më pushtonte frika kur kaloja në këtë trotuar dhe – kur filluam madje të besonim dhe legjendat që vetë pushteti i censurës përhapte për të bërë qëllimin më të fortë se mjetin,- ndërroja trotuar se besoja që po më përgjonin mendimet”. Ministrja e Kulturws e nisi kwshtu fajlwn e rrwfimin e saj pwr muzeun mw tw ri tw pwrgjimit, “Shtwpia me gjethe”.
Tha se kujtoi qw e kishte kapërcyer frikën, terrorin, që i ngjallte asaj e shqiptarëve që jetuan diktaturën sistemi i Sigurimit. “Por dita kur hyra këtu për të parën herë në jetën time, më vërtetoi pikërisht çka Faulkner thotë. Jo vetëm kaq, por është iluzion të mendosh se hija e veglës famëkeqe të diktaturës, Sigurimi i shtetit, mund të zhdukej me rënien e komunizmit” – u shpreh ministrja Mirela Kumbaro.
Shwnoi mw tej, se vitet ‘90 e hoqën zvarrë atë me përgjime politikanësh e lojë dosjesh, me emra spiunësh e shantazhe individësh, dhe e gjitha kjo, me një vullnet të pastër nga politika e pas ’90-ës.
GODINA
Historia urbane e kësaj ngrehine është në vetvete një dëshmitar elokuent i historisë së Shqipërisë së gjysmës së dytë të shekullit XX.
Një godinë që u ngrit si klinikë obstetrike për t’i dhënë jetë njeriut, i mori atij për 40 vjet mendimin, fjalën, shpirtin madje dhe jetën. Ky ishte “njeriu i ri” që farkëtoi Diktatura. Kanë kaluar 27 vjet nga rënia e diktaturës. Në vitin 2003 kjo shtëpi që deri aty përdorej për zyra administrate nga Shërbimi Informativ Shtetëror, u braktis nga shteti, duke humbur fatkeqësisht ndoshta dhe një pjesë të autenticitetit të saj.
Kumbaro vërejti se hapësirat tabu po happen e ndërtesat e harruara e të rrënuara po rikonceptohen. “Është kjo pjesë e strategjisë sonë muzeale, edukative, krijuese dhe turistike. Në 2014 Shtëpia me Gjethe që në fakt dhe emrin e koduar e kishte “Gjethi”, i kaloi në administrim Ministrisë së Kulturës. Me vendim të Këshillit Kombëtar të Muzeve ndërtesës iu dha statusi shkencor ‘muze’ dhe më pas me Vendim të Këshillit të Ministrave, ‘muze kombëtar”, kujtoi ajo.
Grupi i punës
Ka qenë një ekip profesionistësh ka punuar pa rreshtur: Elisabeta Terrangit arkitekte dhe drejtuese, Bashkim Shehu, Fabian Kati, Artan Puto, Gezim Qendro, Daniele Leda nga studio e Terragnit, Eduard Zaloshnja, Agron Tufa, Kastriot Dervishi, Elidon Gjika, Bledi Laço.