Dita e parë e punës për Luçjan Bedenin ka qenë një ditë me dëborë. Ishte 15 shkurti i vitit 2012. Institucioni pikonte shi brenda. Sot, katër vite më vonë, fototeka është një Muze Kombëtar “Marubi”, në një godinë që ndodhet diku në rrugën “Kolë Idromeno”, e që brenda vetes dokumenton e tregon në celuloid jetën e historinë e Shqipërisë prej vitit 1856. Përurimi i muzeut të ri, u bë dje në Shkodër.
“E kam kuptuar që në krye të herës rëndësinë e kësaj pasurie kulturore, që nuk është vetëm e Shkodrës, as vetëm e Shqipërisë. Është një fytyrë e mirë e Shqipërisë në Europë e më vjen mirë që u inaugurua në ditën e Europës”, thotë drejtori Luçjan Bedeni për “Gazeta Shqiptare”, ndërsa tregon katër vitet e punës me thjeshtësi e pa propagandë. Teksa falënderon bashkëpunëtorët, ai tregon se kur mori detyrën tri ishin qëllimet e tija: inventarizimin, gjetja dhe lobimi për fonde për ndërtesën e re dhe futja e Marubit në UNESCO.
Ndërsa dy të parat tashmë janë kryer, ai premton se UNESCO është synimi i mbetur, i fundit nga tri premtimet. Dixhitalizimin ai ka e parë gjithherë si detyrë normale dhe këto i thotë në një ditë kur rrugëtimi i Marubit ka ndaluar në Parlametin Europian, në Kosovë, në Berlin, ndërsa nuk kanë munguar bashkëpunimet me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë së Francës, me Atelierin e Restaurimit dhe Konservimit në Paris, me Muzeun e Fotografisë së Roterdamit dhe të Amsterdamit, me atë të Nju Jorkut, me fondacionin e Robert Kapas, etj.
Nga fototeka, në Muze kombëtar të Fotografisë Me gati gjysmë milion lastra dhe negativë fotografikë grumbulluar në 159 vite, Fototeka Kombëtare “Marubi” është sot një nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare nën varësi të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Kronologjikisht: më 2013-ën u bë inventarizimi për të parën herë i 500 mijë fotografive nga Fototeka Kombëtare “Marubi”, më 2014 u investua dhe u përgatit projekti modern i Muzeut të ri në Shkodër, më 2014-2015 u digjitalizuan 100 000 fotografi dhe u hap Muzeu Virtual, më 2015 filluan punimet për ndërtimin e Muzeut të ri të Fotografisë dhe dje hapi dyert Muzeu “Marubi”.
Drejtori i “Marubit” bën me dije se kanë qenë disa linja në të cilat është punuar. “Linja bazë është ajo e ekspozitës së përhershme, do jetë e ekspozuar; ndërsa tjera është linja e ekspozitave të përkohshme. Një hapësirë tjetër është ajo e videove që i kushtohet hapësirës multifunksionale: monitorë ku tregohet dixhitalizmi i Fototekës Kombëtare “Marubi”, pra arkiva online. Në këto monitorë ka edhe disa filma të shkurtër mbi jetën e fotografëve, koleksionet e të cilëve ekspozohen”.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ekspozon imazhe të disa emrave. Janë Pietro Marubi, Kel Marubi, Mati Kodheli Marubi, Gegë Marubi, Kolë Idromeno, Kolë Maca, Dedë Jakova, Shan Pici, Pjetër Rraboshta, Angjelin Nënshati dhe disa fotografë më të vonë, që janë Hilmi Mustafa, Lekë Voci, Lazër Kodheli, por edhe dy dhurimet më të fundit: Mehmet Kallfa e Pirro Mosi.
Ekspozita e përhershme – Historia e Fotografisë Ekspozita e përhershme do të jetë në katin e II të muzeut. Janë tri dhoma A, B, C që tregojnë edhe kohën në të cilën fotografët jetuan ndarë në A-Pjetër Marubi, B-Kel Marubi dhe C-Gegë Marubi: A) Shqipëria nën Perandorinë Osmane, themelimi i fotostudios nga Pjetër Marubi, ku ka vetëm fotografi dhe objekte që ai i ka përdorur dhe realizuar – po aty imitohet studio e tij që nga fondana, qilimi, aparatet; B) linja e dytë-Shqipëria gjatë periudhës së shtetformimit dhe e pavarësisë, Dritëshkronja nën drejtimin e Kel Marubit me objekte dhe foto të tijat; C)mandej fundi i monarkisë, periudha e diktaturës dhe shtetëzimi i studios, që u quajt Fototeka “Marubi”.
“Sapo vizitori futet në muze, gjen të ekspozuar një timeline të historisë së fotografisë shqiptare, që prej fotografisë së parë që është e Pjetër Marubit, një autoportret i tij që mendohet si fotografia e parë”, shpjegon drejtori Bedeni. Po aty është edhe historia e fotografisë botërore, në mënyrë që vizitori të kuptojë zhvillimin e fotografisë shqiptare dhe atë botërore/ për të krahasuar dhe parë se fotografia shqiptare dhe ajo botërore kanë ecur pothuaj paralelisht. Njëherësh ekspozohen edhe objekte origjinale të përdorura dhe negativët.
Ekspozita e përkohshme -Gruaja shqiptare Kjo hapësirë qëndron në funksion të kuratorëve të ftuar dhe atyre që pjesë të programit artistik të Muzeut Kombëtar të Fotografisë. “Këto ditë, kuruar nga kuratorja e një prej muzeve më të rëndësishëm botërorë, siç është Muzeu i Fotografisë së Amsterdamit, Kib Nopers, mund të vizitohet një ekspozitë kushtuar gruas shqiptare te fotot e Marubit. “Pas një kërkimi që ajo ka bërë, ka parë dhe ka marrë si një moment interesant, faktin që sikurse burri, në të njëjtin stad është fotografuar edhe gruaja shqiptare”, tregon Bedeni, ndërsa në detaje, ekspozita shfaq: femra shqiptare moderne, tradicionale, historike. Aty janë imazhet e Tefta Tashkos, Tringë Smajlës, Marie Çobës, Shote Galicës; femra të njohura dhe femrat e zakonshme
Dixhitalizimi-Muzeu Virtual Muzeu Virtual Marubi përfshin rreth 100.000 fotografi të shkrepura gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Themeluar nga fotografi italian Pietro Marubi, arkiva e Fototekës Kombëtare “Marubi” është konsideruar si një nga trashëgimitë më të rëndësishme fotografike në Ballkan. Fotot më të vjetra të kësaj arkive datojnë që nga vitin 1856. “Është një proces që do vazhdojë në ndërtesën e re”, thekson Bedeni, duke nënvizuar se “ajo do të ketë hapësirë edhe për arkivën, edhe për laboratorin”.
Muzeu virtual mori jetë më 14 tetor 2015 duke u publikuar online për publikun. Në prezantimin e projektit ishin ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, drejtoresha e UNDP, Oruc Yesim, drejtori i Fototekës Kombëtare “Marubi” Luçjan Bedeni si dhe stafi i projektit MAVIMU. Projekti konsistoi në arkivimin, katalogimit dhe dixhitalizimin e arkivës fotografike të Fototekës Kombëtare “Marubi” dhe krijimin e një faqeje ueb për promovimin dhe prezantimin për vizitorët, të cilët dëshirojnë për të zbuluar më shumë rreth identitetit kulturor dhe historisë së Shqipërisë, përmes përfshirjes në një udhëtim vizual të fotografive online. Projekti ndjek kërkesën e qeverisë për të ruajtur dhe për të promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe historike të Ballkanit, që gjenden në arkivin e Fototekës Kombëtare “Marubi”.
Restaurimi i objekteve Prej kohësh, në muzeun “Marubi” kish nisur puna për restaurim të objekteve që kanë shërbyer në studiot e fotografëve. Luçjani sqaron se bëhet fjalë për sende dhe dokumente që kanë qenë gjithnjë pjesë e fototekës, por që asnjëherë nuk kanë qenë kushtet për t’u ekspozuar. “Në muzeun e vjetër kanë qenë ekspozuar disa, por i hoqëm sepse ishin në kushte jo të mira. Tani, në muzeun e ri, ekspozohen rreth 50 objekte: aparate, kaseta, stativë, pinca, kapëse, copa e errët, fondale (sfondet) me pamje kopshtesh, peizazhet e rilindjes italiane”.
Ai bën me dije se restauratori Frederik Stamati ka punuar intensivisht, por është “një punë që sapo ka filluar”, thotë Bedeni. “Një pjesë kanë qenë të lehta për t’u restauruar, një pjesë do ruhen për t’u restauruar më vonë, sepse duan shumë punë. Ne kemi bërë pastrimin e duhur që të jenë të ekspozueshëm”.
Në muze nuk ruhen vetëm objektet, por edhe solucionet e përdorura, “pra, kemi çdo detaj të studiove”, shton Bedeni.
Datimet -“Për herë të parë në këtë muze nuk do të gjejmë një fotografi të datuar në vitin 1858, siç ka qenë njëherë e një kohë imazhi i Hamzë Kazazit, ku pas një verifikimi, del se imazhi nuk i përket asaj date”. Drejtori Bedeni është edhe studiues i fotografisë. “Ne kemi datime më të hershme, fotografia shqiptare ka imazhe të vitit 1856 dhe pse jo të vitit 1855”, sqaron ai, duke shtuar se, “vetë datimi i fototekës është e vitit 1856, kur fillon historia e fotografisë shqiptare”. Nga inventari i fundit i bërë në vitin 2013, në krahasim me regjistrat e vjetër, “Marubi” ka tanimë numrin e saktë të imazheve. “Pas 40 vitesh ky numër nuk është më rreth 500 mijë, por mbi 500 mijë”, thotë Bedeni, duke shtuar se “aty janë koleksionet e fotografëve të fototekës me 493 823 negativë, plus dy koleksionet e fundit të dhuruara gjatë vitit 2015, Kallfa dhe Mosi”.Imazhet e dhuruara janë dokumentim i Shqipërisë në periudhën e diktaturës (Kallfa) ndërsa të Mosit janë imazhe të viteve 1960-’70 të jugut të Shqipërisë. Bedeni ka studiuar pikturë në Liceun e Shkodrës dhe në Akademinë e Arteve, ka fituar 5 medalje ari në konkurse ndërkombëtare dhe çmimin “Ardhje”, mandej një rezidencë në Nju Jork. Prej 2010-ës, ka qenë mësues e lektor në Shkodër, deri kur u bë drejtor i “Marubit”. Tanimë, ai i kushton “Marubit” edhe doktoraturën e tij. “Ata kanë qenë avangardë. Prej “Marubit” nuk kemi vetëm fotografitë e para, por edhe katedralen, afresket e Kishës Ortodokse, që nuk është më dhe banesën e konsullit italian. Marubi ka qenë edhe arkitekt e piktor, ndaj dua që ne ta shohim si anglezët Talbotin apo si amerikanët Robert Kapan”i tij, që do të publikohet së shpejti, përfshin arsyet e ardhjes në Shkodër të Pjetër Marubit. Një pjesë të studimit ai e ka bërë publik te përshkrimet e muzeut.
FOTO PËR HERË TË PARË
Doemos, ka disa foto që në muzeun e ri, ekspozohen për herë të parë. “Kryesisht foto të periudhës së Pjetër Marubit janë foto që dalin për herë të parë. Aty është një autoportret i Pjetër Marubit në moshë të shumë të re, që publikohet për herë të parë. I takon vitit 1856 dhe është po ashtu edhe fotografia më e hershme shqiptare. Më pas, kemi edhe fotografinë e Hamzë Kazazit të publikuar. Por jo si fotografia e parë, dhe jo si fotografua e Hamzë Kazazit, por siç është e vërteta që është konsulli italian Di Donato. Edhe kjo, thuhet për herë të parë në mënyrë zyrtare. Ka shumë rëndësi që të kuptohet fakti se të gjitha përshkrimet e fotografive janë bërë duke u rakorduar ngushtësisht me regjistrat vjetër të Marubëve. Janë po ashtu objektet që ekspozohen për herë të parë për publikun”, tregon drejtori.
Sipas tij, aparatet kanë treguar se ku janë blerë. “Rezultojnë se janë aparate të firmave të njohura e avangarde për kohën. Shumëkush pyet se si mundet që një fotograf, në një periferi të Perandorisë Osmane ka përdorur aparate kaq të shtrenjta për kohën. Janë aparate qe vijnë nga Dresden, Rochester i SHBA, Milano por që edhe sot e kësaj dite janë në gjendje pune”. Në këtë pikë, ai shton se nëse bëhet pyetja se në cilin art ne kemi qenë paralel me botën, përgjigja është fotografia: qoftë nga teknologjia e aparatit, qoftë nga teknika e fotografive.
I pyetur për rastet e retushimeve, Bedeni pranon se ka disa. “Ka raste retushimesh, por së paku janë ruajtur edhe origjinalet. Retushet kanë qenë prodhime, por pa e dëmtuar negativin. Retushimet janë personazhe politike apo klerikë, si Fishta që është retushuar në disa foto, apo Luigj Bumçi. Si periudhë historike, retushimet i takojnë kohës së Kel Marubit në monarki apo të Gegës në diktaturë”. Bedeni sqaron se në foto me vlerë futet edhe një foto e 40 martirëve (që u vranë për fenë) ku ata janë bashkë dhe gjallë mbase për herë të fundit, në kuvendin françeskan.
DITA BOTËRORE E FOTOGRAFISË
Dita Botërore e Fotografisë vjen nga shpikja e procesit të daguerreotipisë, një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicéphore Niépce dhe Louis Daguerre që në 1837. Më 9 janar 1839, Akademia franceze e Shkencave njoftoi procesin daguerreotipisë dhe disa muaj më vonë, më 19 gusht, 1839, qeveria franceze në një ceremoni publike njoftoi shpikjen si një dhuratë që mund të përdorej lirisht nga bota. Duhet të theksohet se daguerreotipia nuk ishte imazhi i parë fotografik. Në 1826, Nicéphore Niépce kishte shkrepur një fotografi më të hershme të njohur si “Pamje nga dritarja në Le Gras”, duke përdorur një proces të quajtur Heliografi.
Sot kjo ditë është me pak fjalë dita zyrtare e ditëlindjes së fotografisë. Ndaj ne mendojmë se fotografia ishte një hap i madh i botës së civilizuar drejt zhvillimit. 17 vite më pas, Pietro Marubi do të themelonte në Shkodër një ndër më të parat studio fotografike të Ballkanit, të quajtur me emrin, “Foto Studio Marubbi, casa fondata nel 1856”.