Sipas Radio Vatikanit, kremtimi i Shën Marisë Magdalenë, deri tani përkujtim i detyrueshëm më datën 22 korrik, do të lartohet, në Kalendarin Romak, në gradën e festës. Me dëshirë të shprehur nga vetë Papa, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, botoi dekretin përkatës.
Radio Vatikani bën me dije se sipas “Aposolorum Apostola”, siç e quante Shën Toma i Akuinit, Maria Magdalena qe dëshmitare pamore e Krishtit të ngjallur, e para që ua dha këtë dëshmi edhe Apostujve. Kremtimi i kësaj Shenjtoreje, deri tani përkujtim liturgjik, do të lartohet në Kalendarin e përgjithshëm Romak, në gradën e Festës. Njoftimi, që jepet përmes dekretit, datuar 3 qershor 2016, nënshkruar nga kardinali Robert Sarah, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, u bë i njohur sot. Në artikullin e komentit, nënshkruar nga sekretari, imzot Artur Roche, shpjegohet se “vendimi merret në kontekstin aktual kishtar, që kërkon të reflektohet thellësisht për temën e dinjitetit të gruas, ungjillëzimin e ri dhe madhështinë e misterit të Mëshirës Hyjnore”.
Megjithë teoritë konspirative të dala së fundmi, sipas të cilave ajo ishte gruaja e Jezus Krishtit dhe nëna e fëmijëve të tij që mandej shkuan në Francë, nga Bibla dhe nga Vatikani ajo cilësohet zyrtarisht si dëshmitare e parë e Mëshirës Hyjnore.
“Sipas traditës së Kishave të Lindjes, Maria nga Magdala ishte gruaja, që ia pati lyer me parfum këmbët Jezusit në shtëpinë e Simeonit, farizeut, e motra e Lazrit dhe e Martës. Maria Magdalena, që bënte pjesë në grupin e dishepujve të Zotit e ndjeku deri te këmbët e kryqit e, në Kopshtin e Ullinjve, ku ndodhej varri, e pa e para të ngjallur. Asaj iu duk Jezusi, duke e bërë dëshmitare të parë të Mëshirës Hyjnore”, shkruan Radio Vatikani. Ajo e pa a para varrin e zbrazët, e e para dëgjoi të padëgjuarën; të vërtetën e Ngjalljes së Zotit. Në kundërshtim me Evën, gruan e dëbuar nga kopshti i Parajsës, ajo u bë gruaja e pranuar në kopshtin e Ngjalljes. Eva u bë kumtare e vdekjes, Maria, e ringjalljes!