Albana M. Lifschin
Qe mëngjes herët dhe parku i lojrave ishte i qetë. Ajri i freskët e bëri të nxirrte nga çanta një triko verore. Në prehër mbante një libër të hapur.
-Jepi trupit përpara! Perdor muskujt e barkut! Mbaji këmbët shtrirë, drejt të puthitura!
Një nënë udhëzonte vajzën e saj obise tek e shtynte në lisharëse.
Asaj iu kujtua që e kishte parë lisharësen si dëfrim, si një nga dëfrimet e fëmijërisë por asnjëherë si fiskulturë. Bukuria e atij mëngjesi e kishte bërë të dilte nga shtëpia në një shëtitje pa adresë. Këmbët e kishin sjellë në këtë park, të cilin s’e kishte vënë re deri atëherë. Seç kishte diçka dehëse përreth. Ishte pothuaj vetëm në atë natyrë të gjelbër. Ajo edhe fshesarja e parkut. Në krahun tjetër një grua me të bijën, me përmasa tejet të mëdha, kishte hyrë si pa ndjerë .Por edhe ato u larguan çuditërisht shumë shpejt.
Mbylli librin dhe e futi në çantë. U ngrit nga stoli i drunjtë dhe mori për nga lisharëset. Ishin pesë të tilla, me ndenjëse të gjërësive të ndryshme. Bosh të gjitha. Ajo shkoi tek e fundit. Lëshoi çantën përdhe dhe u ul me kujdes në lisharës.
“Jepi trupit përpara ! Përdor muskujt e barkut! Kishte thënë gruaja. Dhe ajo ashtu bëri. Mbylli sytë dhe i dha trupit përpara. Lisharësi filloi të bënte një zhurmë gërvishtëse, e monotonte. Trupi i qe tendosur i tëri… Vuri re se në atë lëvizje majat e këpucëve puthnin njëra tjetrën dhe të dyja bashke synonin lartësinë e kangjellave të parkut, por s’e arrinin dot.. Ajo hapi sytë dhe lëshoi kokën pas. Para syve i shkisnin copëza qielli që shfaqeshin përmes pemëve të gjelbërta e humbisnin përsëri. Ç’pikturë e mrekullushme qiellore! Mbylli sytë përsëri dhe e la fëmijërinë ta merrrte me vete. Dëgjoi të qeshurat e saj, përtej kohrave. Ha!ha! ha! Mekej ajo kur shoqja e saj e shtynte nga pas. Pastaj shkëmbenin radhën. Sa vjeç kishte qënë atëhere? Katër? Pesë?
– Çoça! Çoçaaaaa! Ku je moooj… Dëgjohej që larg zëri i nënës . Vajza nuk ndihej. Edhe pak, edhe pak. Deri sa ta gjente nëna.. Pse vinte gjithmonë atëhere kur s’duhej?
-Çoçaaa..ku je, moj?
Vajza shtrëngonte duart në litarët e ashpër të lisharëses së vetme të qytezës së vogël, pa iu dorëzuar zërit të nënës. Ajo do ta gjente gjithësesi. Sheshi qe mbushur me hala ngjyrë kafe të pishave të parkut, ndërsa në floket e saj të verdhë ato dukeshin si gjilpëra të stërmëdha ngulur mbi to. Zëri i nënës afrohej, vajza lëkundej me sytë nga qielli. I bëhej se në qiell fluturonin lejlekët . Pas pak do të uleshin pranë gjolit e prej andej do të dilte e bukura e ujit.
“Po pastaj? Pastaj?” Gjyshja i fërkonte kokën dhe vogëlushja binte në gjumë.
“Po ku je moj, që ma prishe gjakun, ma prishe! Ah, tiiii… , ti do të ma nxish jetën mua! Gruaja e re e rrëmbente të bijën, e ngrinte lart, dhe në vënd që ta rrihte siç ia kishte bërë benë e shtrëngonte në kraharor. “Mos e bë herë tjetër këtë. Hë shpirt, dëgjon? Ma bërë gjakun ujë. Tregoji mamit ku shkon.
Vogëlushja i premtonte, por përsëri humbiste nga shtëpia. Seç qe një rrugë e bukur ajo në mes gardheve prej kallamishtesh prej nga nxirrnin kokën lule këmborat e bardha, borë.. E tërhiqte, e merrte në thellësinë e saj ajo rrugë dhe e shpinte tek gjoli i përrallave. Atje gratë mblidheshin e lanin rrobat . I përplasnin mbi disa gurë të gjerë e të lëmuar. Çoça nxirrte shaminë e dorës dhe bënte si ato; e përplaste mbi një gur të bardhë, aq sa bëhej qull. Pastaj fuste këmbët në gjol, përkulej e vështronte thellë-thellë në ujë. Kur do te dilte e bukura? Nuk shihte gjë. Në vend të nimfës shikonte fytyrën e saj. Kështu e kishte gjetur disa herë e ëma vogëlushen e pabindur…
Ajo ndjeu lodhje në muskujt e këmbëve që vazhdonte t’i mbante drejt e të tendosura. Sa minuta kishte që po kolovitej ashtu? E la lisharsen të shkonte në vend. Hapi sytë dhe u ngrit me përtesë. Ndjeu që ishte lodhur, por i erdhi mirë. Papritur, në një stol përballë, vuri re një burrë rreth të gjashtëdhjetave me flokë të gjatë e të bardhë, që ia kishte ngulur sytë.”A thua këtu ka qënë gjithë kohën ky? pyeti veten ajo. I qe dukur se ai park qe krejt i saj, në ato orë të mëngjesit. Askush nuk do ta shihte , askush nuk do të paragjykonte moshën e gruas në lisharëse. Ajo vuri syzet e diellit. U ndje më e mbrojtur nga shikimi i të panjohurit. Hodhi mbi sup çantën e lëkurës. Doli nga parku duke ndjerë vështrimin e tij ta ndiqte pas. Iu bë për një moment se humbi qetësinë. Mos qe habitur me moshën e saj? A e tregonte moshën, thua? A qe në rregull nga trutë? Ishte lëshuar në lisharëse si të qe fëmijë e aq i kishte bërë. Kishte dëfryer dhe kishte bërë fiskulturë njëkohësisht. Përse duhet të mundojë ky nocioni i moshës? Gruaja bëri një lëvizje të dorës duke i përzënë mendimet tutje,si të përzinte një mizë të bezdisshme.
Në mbrëmje kishte rënë të flinte e lodhur, por e kënaqur. I bëhej se qe ende nën lëkundjen e lisharëses. Do ta përsëriste atë shëtitje. Do të shkonte prapë tek “parku i qetë”. Çudi , s’i nuk e kishte zbuluar më parë?
Të nesërmen qe e diel . E la shtëpinë herët me mendimin që ta kishte krejt parkun të sajin . Të shoqit i la një shënim. Do ta priste lindjen e diellit atje. Rruga i mori pesëmbëdhjetë minuta. Parku dukej i qetë, ftues. Ajo iu afrua kangjellave duke i rënë shkurt për tek këndi i lisharseve dhe… ngriu. Në lisharësen e saj qe ulur burri me flokë të bardha . Trupi i tij i gjatë hidhej në ajër dhe këmbët i dilnin mbi kangjellat. Kishte lëshuar kokën pas dhe qeshte, qeshte me zë të lartë, qeshte …
23 maj, 2009