Gruaja e dashnorja përballë njëra-tjetrës e kujtimit të të vdekurit

Një vajzë dhe një grua në dashuri me të njëjtin burrë, i cili tashmë nuk jeton më. Një përballje rrëfimi mes këtyre dy personazheve femra është vorbulla e filmit më të ri të Bujar Alimanit, “Vëthi i munguar”, nën interpretimin e Ema Andreas dhe Adele Gjoka që duket se duan t’i përgjigjen pyetjes: çfarë përjeton një vejushë kur i duhet të përballet me të dashurën e burrit të vdekur?

“Është një femër që ka në të gjitha ngjyrat e saj ndjeshmërinë, fyerjen, dhimbjen, dhunën, kapërcen të drejtën, kthehet sërish te e drejta e saj, ironinë; i ka të gjitha në aq minuta sa është filmi në raport me një femër tjetër”, shprehet aktorja Ema Andrea.

“Është një nga ata rolet që unë mund ta gjej veten fare mirë, pasi është një personazh që pavarësisht që është antagoniste ka një lloj krenarie. Jam e bindur që në fund të filmit publiku do t’i rimendojë edhe një herë të gjitha parimet morale që ka, sidomos për çështjen e tradhtisë dhe të konceptit të lasht e shumë të diskutuar të dashurisë”, thotë Adele Gjoka, aktore.

Një film kushtuar tërësisht ndjenjave njerëzore. Botës së brendshme, e cila në kinematografi është shumë pak e zhvilluar. Marrëdhënia një gruaje përballë një vajze më të re, por edhe kimia mes të dyjave, ka si qëllim gërvishtjen e dogmave sociale.

“Është një skenar ku femra është me tërësinë e saj, me të gjitha ngjyrat”, thotë Ema Andrea.

Për fat të mirë me Emën patëm një kimi shumë të mirë të dyja. Kam përshtypjen se ishte thjesht një përzierje e mirë elementësh mes meje, Emës dhe Bujarit. Bëmë një treshe që funksionoi”, shprehet Adele Gjoka.

Për regjisorin ky film është një produkt i një nevoje të brendshme për të thënë disa gjëra në një mënyrë ndryshe. Por edhe vetë realizimi i tij është një film më vetë. Pasi sipas Alimanit filmi u shkrua në dy ditë dhe u xhirua në dy netë me një buxhet zero.(TCH)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *