Nga Laura Smaqi
Rreth 70 vjet pas botimit të parë e të vetëm në Shqipëri, “Gremina e dashunis”[1] e Mustafa Greblleshit mbetet roman i panjohur për lexuesin e sotëm dhe i pa trajtuar në studimet tona. Ndoshta fati i autorit përcaktoi dhe atë të veprës, si dhe faktin që romani u botua e ribotua disa herë në Prishtinë por asnjëherë në Tiranë.
Romani doli nga shtypi në vitin 1944 prej shtëpisë botuese “Ismail Mal’Osmani”, por si datë e përfundimit shënohet prej autorit data 1 janar 1942, gjë që do të thotë se autori e ka shkruar romanin kur ishte 19 vjeç. Mosha e re e lë gjurmën kudo në roman: në përshkrimin e jetës shkollore, ndjeshmërinë, idealet e personazhit qendror, në debatet shoqërore, mënyrën e strukturimit, po aq sa dhe në praninë e intertekstualitetit e të ndikimeve. Është romani i tretë, ndërtuar në formën e ditarit, gjatë periudhës 1935-1944, mjaft i suksesshëm pas botimit[2], si dy të parët (Nga jeta në jetë. Pse?! i S. Spasses dhe “Sikur të isha djalë” i H. Stërmillit).
Titulli bashkon dy fjalë-çelësa (dashurinë dhe greminën), të pranishme në gjithë shtrirjen e veprës.
Në një shoqëri patriarkale e konservatore, me gjithë emancipimin e ndjeshëm të viteve ’30, rënia në dashuri psikologjikisht mbartte konotacionin e gremisjes, të rrëzimit fatal, i cili kthehej në sinonim të dashurisë.
Romani nis me një parathënie të Masar Sopotit*, i cili e konsideron si vepër të një të riu që sjell flladin e mendësisë së re, e që synon krijimin e tërësisë etnike shqiptare, të njësisë kombëtare. Por, për të vepra nuk ndalet këtu, ajo lufton pengimet që ndesh bashkimi mes shqiptarëve, pa dallim besimesh e krahinash, duke theksuar nevojën e reformave në fushën shoqërore, të cilat do ta ndihmonin vendin të ecte drejt përparimit e qytetërimit perëndimor. Epilogu konsiderohet si kurorëzim i natyrshëm i vargut të ngjarjeve, ku vëllavrasja, hakmarrja, kryen veprën e shkatërrimit. M. Greblleshi (i njohur me pseudonimin Liu i Cakut), satirist i mirënjohur i gazetës “Bashkimi i kombit”, sipas Sopotit ka ditur të japë një vepër origjinale, përftuar e zhvilluar në jetën shqiptare, pas një vargu krijimesh të botuara në të përkohshme e fletore, duke e kryer me sukses këtë hap të parë serioz të tij.
Duket sikur teksti i “Greminës” luan lojën e pasqyrës për tekstin e “Pse-së” së Spases. Përmes intertekstualitetit, lidhjes që lexuesi krijon menjëherë me romanin e Spases, bëhet e mundur prania e Gjon Zaverit dhe Gjençit në romanin e Greblleshit. Në dy romanet shokët e ngushtë të personazheve kryesore, i japin fund jetës. Te Luli duket sikur bashkohen dy personazhe në një; (Luli e Gjoni), e po ashtu të dy bashkë reflektojnë tek Memli me idenë e vetëvrasjes, aq sa ideja e vdekjes në greminë duket se është e sigurt, me gjithë dallimet jo të vogla që ai ka me dy personazhet e tjerë. Për ta vënë më në dukje këtë dallim, autori fut artificin e gjakmarrjes, që është një ndër komponentët e romanit dhe rithekson dasinë shoqërore.
Romani i Stërmillit është i pranishëm në një tjetër formë, si vepër që ka luajtur rol në emancipimin shoqëror. Kur bën hartim Memli shprehet: “Vendosa që të zhvilloj përpara hartimin e Margeritës, mandej ate temin. …e komentova me pak fjalë subjektin karakteristik të botës sonë Shqiptare, me të cilin Zoti Stërmilli, ia duel në krye revolusionit të tij. Vuna në pah qëllimin që e shtyni auktorin e mirënjoftun të “Sikur t’isha djalë” me prekë e luftue me mjeshtëri të tallë këtë plagë të malcueme të shoqnis sonë dhe në fund e përfundova hartimin tue e qa prap “Dijen” e shkretë, për të cilën kushedi se sa zemra vashash Shqiptare qanë e vajtuen me lemeri.