Nga Kozeta Kurti!
Kujdes!
Big Brother nuk është i vetmi që po të vëzhgon
Ti mund të jesh ose jo shikues i Big Brother!
Ti mund të jesh ose jo tifoz i Big Brother!
Por ti gënjen kur thua se e refuzon në atë farë feje këtë format, sa nuk ke dëgjuar kurrë të flitet për të. Këtu gënjen!
Dhe bën mirë jo vetëm të mos gënjesh, por të intensifikosh vëmendjen tënde ndaj këtij formati, që tashmë ka tejkaluar çdo aspekt “limonadë” loje, fame, popullariteti, rritje “K”, mijëra euro etj etj dhe është bërë i rrezikshëm!
Unë, si një person i telefonuar ndër të parët që për edicionin e parë të Big Brother Vip, e di mirë që veç si vip nuk mund të hysh aty; e para se s’ka vipa, por edhe në pastë, vipllikun ik’ e tregoje atje ku ushtron profesionin; aktorët, këngëtarët, balerinët në skenë, sportistët në fushën e lojës, njerëzit e medias në hapësirat mediatike që mbulojnë, blogerët në rrjete sociale (duhet me i pranu’ edhe këto vendet e reja të punës) etj. Aty njerëzit janë njësoj dhe shihen, gjykohen, paragjykohen, vlerësohen, zhvlerësohen për si hanë, si pinë, si flenë, si shkojnë në banjë, si flasin, çfarë transmetojnë, humor, arrogancë, tolerancë, fleksibilitet, qëndrueshmëri, vetëvlerësim, vetëbesim, impulsivitet etj etj…. Pra: për NJERIUN! Pikë!
Kështu që, me këto sfondet, kush jam unë e kush je ti, a e di ti me kë po flet, apo s’e di, vipat na kanë çarë atë që nuk thuhet!
Në këtë lojë mund të gënjesh, mashtrosh, manipulosh si të të doja kokrra e qejfit, (s’është betu’ kush as me dorën mbi Bibël, e as para togës së gjyqtarëve që do thotë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën) dikush gënjen dhe e thotë, dikush gënjen dhe s’e thotë, por harron se nuk është qënie sociale që jeton vetëm dhe se jashtë ka aq njerëz që na njohin secilin dhe që janë dëshmitarë të këqinj të jetës sonë, sa e marrtë dreqi, do kalojnë 100 ditë dhe me ça surrati do dalësh jashtë, por të gjitha këto janë PERSONALE! Me këtë nuk po justifikoj gënjeshtrat, por në raste si këto, as që marr mundiminin të prekem. (Veç nëse më përfshijnë). Secili merr përsipër kostot, sukseset, dështimet VETË!
Nëse brenda kësaj shtëpisë (që nuk duhet të harrojmë se është një studio televizive) që po shohim e po përflasim përditë, ka dhunë, bullizëm, fyerje, ato NUK KANË GJINI! Kjo ndasia: unë jam grua dhe nënkuptoj,- jam qënie superiore, është një gafë e madhe që edhe gratë më të emancipuara të botës që janë dënuar e kanë vdekur për liri dhe të drejta themelore, do u vinte ndot!
Më mira të isha shkop se si ca nga ato gratë aty që edhe në kazanët e plehrave të kishin ngrënë, nuk do kishin nxjerrë nga goja aq shumë mbeturina!
Kjo ideja që në shtëpi të tilla duhet të promovohen vlera dhe jo antivlera, e bërtitur me të madhe nga ata që shkelin me të dyja këmbët këto parimet e famshme, të ngacmon stomakun!
S’ka njeri në botë që s’e di ku është vlera! Aty jo një herë!
Edhe vrasësit serialë më të mëdhenj e dinë; thjesht shpesh është vonë për ta!
Dhe që ta mbyll me “Produksioni bën lojë të pistë”
Nuk e di çfarë nënkuptojnë opinionistët fansa të rrjetit me “lojë të pistë”, por po përpiqem të hyj sadopak në mendësinë e tyre.
Ta zëmë se:
“Lojë e pistë”
1- është favorizimi i një konkurrenti. Po! Edhe? Kush e ndalon? Fansat? Po ik’, bëj një minus në audiencë.
2- ka bërë marrëveshje me dikë se i ka ndonjë borxh. Po! Edhe? Kush e ndalon? Kujt ja ka për detyrë t’i japë llogari? Kush ndjehet i përdorur të mos hyjë, ose të dalë! S’e mban kush me zor!
Po e hapin thesin të gjithë, s’po e hapka produksioni! Ky është një produkt që është prodhuar dhe do kërkojë treg për t’u shitur. Produksiono me të gjithë të drejtën e botës, mund ta luajë dhe lyejë rrotën sipas qejfit! Njerëzit zgjedhin ta blejnë ose jo! Kaq!
Dhe prit… tani do e mbyll për fare:
Po vdes që kur të mbarojë kjo rrëmujë, vipat të dalin jashtë dhe nga: “e di ti kush jam unë”? të jenë thjesht: “u, ky, kjo që ka qenë te Big-u”.
Ju rroftë karriera çuna dhe goca!