Gjeniu gjakësor dhe plaga e tmerrshme e perandorisë/ Ja çfarë shkruan Rama për Ali Pashë Tepelenën!

Kryeministri Rama i ka kushtuar vend në rubrikën e tij të kulturës, Ali Pashë Tepelenës më 195 vjetorin e vdekjes. Kryeministri shkruan se pavarësisht se një figurë e diskutueshme, askush nuk mund t’ia mohojë gjenialitetin këtij kryeneçi të madh shqiptar.

AMARCORD

195 vjet më parë jepte shpirt, jo në shtrat por duke luftuar, Ali pashë Tepelena, Luani i Janinës.

Si personalitet historik, Ali pasha është ndoshta nga të rrallët që përgënjeshtron postulatin e gjithpranuar se historia u jep të drejtë fitimtarëve. Zjarri që ndezi gjeniu gjakësor i vezirit të Toskërisë, e shkrumboi aq keq rretherrotull pushtetin e establishmentit osman, sa në letrat e shkëmbimeve diplomatike, ai cilësohej si “plaga më e tmerrshme e perandorisë”.

Revolucioni grek, revoltat në Bullgari dhe në principatat danubiane që përfunduan të tëra me mëvetësinë e atyre kombeve, i detyrohen jo pak Ali pashës në përgatitjen e tyre sociale, ushtarake e shpirtërore.

Shumë i detyrohet Ali pashës edhe ndërgjegjësimi i krerëve shqiptarë, të cilët gjatë mesit të parë të shek. XIX, filluan ta konceptonin përfshirjen në çështjet kombëtare, siç e thotë bukur mirë studiuesi Dritan Egro, “përtej interesit të çifligjeve të tyre”.

Figura e pashait që tronditi Portën e Lartë mbetet padyshim një nga figurat më të diskutueshme të historisë sonë, por çka nuk është diskutuar as nga detraktorët e tij më të mëdhenj, është gjenialiteti i këtij kryeneçi të madh shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *