Editimi digjital i “Gjahu i malësorëvet” dhe historiku i një botimi.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 190-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit dhe përkthyesit Kostandin Kristoforidhi, na njeh me editimin digjital të veprës “Gjahu i malësorëvet”, tregimin e parë të prozës artistike shqipe, shkruar nga autori në dy dialektet e shqipes, gegnisht dhe toskërisht.
Tregimi u botua mbas vdekjes së Kristoforidhit te “Albania” e Konicës më 1902 dhe pati disa botime të mëtejshme, duke sprovuar dy trajta gege, atë veriore dhe atë më të ndërmjetme të Elbasanit, si dhe dialektin toskë.
BKSH ka përzgjedhur botimin e vitit 1950, përgatitur nga studiuesi i mirënjohur Ziaudin Kodra dhe jep mundësinë të kryhet leximi paralel në dy dialektet si dhe të shijohet eleganca gjuhësore dhe mjeshtëria e penës së autorit.
Kostandin Kristoforidhi (1827-1895) ishte përkthyes, filolog, studiues i gjuhës shqipe dhe veprimtar thelbësor i Rilindjes Kombëtare.
Ai lindi në Elbasan dhe mësoi në gjimnazin e Janinës, ku ishte edhe mësues i themeluesit të albanologjisë, Johan Georg fon Hanit. Udhëtimet e tij e çuan në Izmir, në Stamboll e më pas në Maltë. Gjatë kësaj kohe përfundoi përkthimin e parë, si dhe hartoi një punim mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Në Stamboll nis bashkëpunimin me Aleksandër Tomsonin të Shoqërisë Biblike të Londrës. Gjatë kësaj periudhe përhapi me sukses të madh abetaren e tij dhe libra të tjerë.
Në vitin 1884 vendoset përfundimisht në qytetin e lindjes, Elbasan, dhe dorëshkrimet gjuhësore me punimet e tij të kësaj etape janë një pasuri e madhe. Në këtë periudhë ai shkroi tregimin “Gjahu i malësorëvet”, shkruar në dy dialektet e shqipes, gegërisht dhe toskërisht. Botimi i dorëshkrimeve të tij ka një histori të çuditshme. Rrethanat jetësore Kristoforidhit dhe ato historike të vendit bënë që ky tregim të botohej mbas vdekjes së tij, te revista “Albania” e Faik Konicës më 1902, më pas pati edhe botime të mëtejshme. Këtë version më 1948 e ka ribotuar albanologu gjerman Maximilian Lambertz në librin e leximeve të shqipes, në Lajpcig.
Ky tregim është një dukuri e jashtëzakonshme për historinë e gjuhës shqipe. Kristoforidhi i kishte hartuar librat e përkthimet e veta në dy variante letrare, toskërisht dhe gegërisht, duke treguar se variantet nuk ishin të largëta dhe mund të bëheshin më të afërta me përpunimin e mëtejshëm. Tregimi është i vetmi shkrim i Kristoforidhit, të cili ai e ka hartuar edhe në një variant të tretë, sipas së folmes së Shqipërisë së mesme, të Elbasanit. Ky variant është botuar për herë të parë më 1910 te “Tomorri” (Nr. 10, 11) i Elbasanit, është ribotuar më pas në “Kopshti letrar” më 1918 (Nr. 2-8) dhe si libër më 1930 në Korçë. Një kopje të dorëshkrimit ia dhuruan muzeut të Elbasanit pasardhësit e autorit më 1958.
Varianti në gegërishten e përgjithshme ruhej në dorëshkrim në Arkivin Qendror të Shtetit dhe u botua për herë të parë te “Literatura jonë” më 1949 (Nr. 11-12) dhe pastaj nga “Jeta e re” në Prishtinë më 1950 (Nr. 1-2). Botimi i plotë i fundit u bë më 1950 nga Ziaudin Kodra, i cili i paraqiti në një libër të dy tekstet, toskërisht dhe gegërisht, me faqet përballë njëra-tjetrës dhe me disa shënime në fund.
Kostandin Kristoforidhi e shkroi veprën për nxënësit e tij në Elbasan dhe në fillim e hartoi në variantin e të folmes së Elbasanit, pastaj e ktheu në gegërishten më të përgjithshme, duke i shtuar ndonjë fjalë shpjeguese, dhe në fund e përpunoi në variantin e toskërishtes, duke i bërë një redaktim.
.