Genevieve Colas: Si e mbaj mend Shqipërinë e 1999-ës dhe luftën e Kosovës

Fatmira NIKOLLI

Pat ardhur për herë të parë në Shqipëri kur kriza te refugjatët e Kosovës, kishte nevojë për ndihmë e asistencë nga jashtë. Genevieve Colas e kujton ende atë kohë, kur qytetet e veriut patën hapur dyert për të pritur të ikurit nga lufta. Pothuaj 20 vjet më vonë, gjen një Shqipëri tjetër, kur kriza nuk është më ajo, por nevoja për ndihmë e asistencë është sërish. Rrëfimi i saj, flet për Shqipërinë e djeshme e të sotme, kur mes përmirësimeve gjen edhe situata të pandryshuara.
Genevieve Colas punon prej shumë vitesh në Caritas-in francez  si përgjegjëse për çështjet e Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe koordinatore e një rrjeti kombëtar prej 25 organizatave joqeveritare në Francë që punojnë së bashku për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Si pjesë e grupit ndërministerial, ku bashkë me rrjetin e NGO punojnë për të zbatuar Strategjinë Kombëtare të qeverisë franceze, e anëtare e platformës së BE për antitrafikun dhe anëtare COATNET- rrjetit të organizatave të krishtera botërore, ajo punon dhe advokon në lidhje me këtë çështje.
– Si e mbani mend vitit 1999 në Shqipëri? Cilat janë kujtimet për Shqipërinë në luftën e Kosovës?
Viti 1999 ishte hera ime e parë në Shqipëri. Ishte muaji prill. Caritas-i francez  u angazhua për të mbështetur Caritas-in shqiptar  pas luftës së Kosovës. Erdhëm  këtu bashkë me kolegë të tjerë  dhe punuam  në Tiranë, Lezhë dhe qytete të tjera. Në atë kohë lindi dhe një projekt kombëtar me të rinjtë, integruam në Shqipëri Animacionin Social dhe punuam që të zhvillonim kurrikulat për trajnimin e animatorëve social. Organizonim trajnime me të rinjtë në mëngjes dhe pasdite ata të rinjtë ishin animatorë për fëmijët në kampe. Në fillim isha vetëm në Shqipëri, sepse refugjatët kosovarë erdhën në Shqipëri atë kohë, në prill, më pas në gusht 1999, shkova edhe në Kosovë me shqiptar ë të Kosovës. Me ta organizuam aktivitete për rindërtimin e jetës atje. Në këtë moment, ne vazhduam të punonim me Caritas-in shqiptar , sepse në pamë që veçanërisht në Laç, kishte shumë vështirësi, shumë varfëri dhe menduam se Caritas-i shqiptar  kishte ndihmuar shumë njerëz nga Kosova gjatë qëndrimit në Shqipëri, por nga ana tjetër situata në Shqipëri ishte kaq e vështirë.
– Ndihma juaj nuk ishte vetëm financiare?
Në ishim pjesë e ndihmave emergjente, si në çdo krizë në botë. Në çdo kohë krize në jemi pjesë e grupit të koordinimit për të ndihmuar njerëzit që mund të jenë me probleme të ndryshme. Ne financojmë projekte që janë të fokusuara në zhvillimin njerëzor, drejtpërdrejt në nivelin lokal. Projektet kishin në fokus fuqizimin e komunitetit në mënyrë që zgjidhjet të vijnë  nga vete ai,  që këto më pas të ndihmojnë njerëz të tjerë. Ka pasur edhe ndihmë materiale, por shumë pak. Më shumë jemi pozicionuar në fuqizim kapacitetesh dhe zhvillimin social.
– Ju keni lëvizur në vende të ndryshme, në kohë krizash. Si është të jetosh nëpër kriza? Si e përballoni nga ana emocionale?
Kam qenë në Çeçeni,  në Ballkan, në Liban- në kufi, është ndryshe kudo, është vështirë kudo, por ajo çfarë është e rëndësishme për mua, është të ndihmoj njerëzit të bëjnë diçka që të mos jenë tërësisht të varur nga situata, tërësisht të mposhtur prej saj.
– Një prej projekteve tuaja, ka të bëjë me trafikimin e fëmijëve. Cila është situata e tyre?
Në fillim ne konstatuam se njerëzit në Francë mendojnë se trafikimi i qenieve njerëzore bëhet vetëm në vende të tjera të botës dhe  se askush në Francë nuk mund të ishte viktime e trafikimit. Është e rëndësishme të kuptojmë se cilat janë mënyrat e trafikimit. Me 25 NGO e nën drejtimin e Caritas Francë, punuam për të përgatitur një dokument se cilat janë format e trafikimit: trafikimi për qellim shfrytëzimi seksual, shfrytëzimi për punë të detyrueshme, fëmijë të detyruar të lypin, apo fëmijë që iu është premtuar të jenë pjesë e skuadrave sportive, por përfundojnë në rrugë. Kemi bërë një film 15 minuta për këta fëmijë dhe ka shumë njerëz që kur e shohin, thonë: “Ah, po, kemi parë disa njerëz në këto situata”. Pas kësaj, ne bëmë një film të dytë që në një farë mënyre tregon se si ne mund t’i ndihmojmë këta fëmijë, që janë viktima trafikimi. Është një ndihmë që ka të bëjë me edukimin kryesisht, riintegrimin e tyre, që më pas të kenë një zanat për të siguruar jetën. Regjisori i filmit, është një italian që kur ka qenë fëmijë, është grabitur nga mafia italiane dhe është mbajtur për 5 javë e ishte vetëm 14 vjeç. Broshurat dhe librat tanë tregojnë se çfarë duhet të bëjmë me viktimat e trafikimit, se cilat janë problemet specifike. Ata kanë nevojë për ndihme fizike, psikologjike dhe edukim që të të mund të përballojnë vetë jetën, duke nisur edhe me një identitet për ta dhe më pas bashkëpunimi me drejtësinë, duke i bërë ata që të flasin. Ka piktura, përmes të cilave mund të kuptohet gjendja e fëmijëve. Ata nuk kanë besim te askush dhe shpesh historinë e tyre e tregojnë përmes vizatimeve, pra ka një art-terapi.
– Ku i prezantoni studimet tuaja dhe librat që tregojnë shumë për viktimat?                
I prezantuam në qershor në Kombet e Bashkuara në Gjeneve në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, gjate një eventi special  mbi trafikimin dhe pornografinë e abuzimin e fëmijëve. Është e rëndësishme të flitet për to, të kuptohet që kjo ndodh kudo.
-Ndërkaq, veç trafikimit të fëmijëve, po punohet  edhe për identifikimin e viktimave  të  trafikimit  në zonat në konflikt.
Është një punë e bërë nga Caritas-et e disa shteteve si, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Ukrainë, Turqi, Kosovë, Liban, Armeni etj. Kur filluam studimin kishte shumë konflikte. Ideja ishte për të parë situatën e trafikimit në kohë konfliktesh, pse ky trafikim rritet në kohë lufte, cila është forma dhe pamë se çfarë mund të bëjnë Caritas-et për të ndihmuar njerëzit që janë në këto situata. Ne morëm disa shembuj nga disa vende të ndryshme. Pamë cilat janë kushtet e çdo shteti  në kufij, si mund t’i identifikojnë viktimat e trafikimit, kur njerëz nga vendet e krizës kalojnë transit në shumë shtete- si mund të identifikohen e si mund të ndihmohen? Mbas kësaj ne japim disa rekomandime  mbi identifikimin dhe mbrojtjen e tyre.
– Si është bashkëpunimi juaj me Caritas-in shqiptar  sa i takon trafikimit të qenieve njerëzore?  
Ne jemi në Shqipëri këto ditë bashkë me përfaqësues të 12 Caritas-eve nga Europa dhe Mesdheu në kuadër të Ditës Europiane Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore për të punuar në fushën e mbrojtjes së fëmijëve nga trafikimi dhe forcimi i mekanizmave dhe instrumenteve mbrojtës në nivel institucional dhe social, sepse Caritas-i shqiptar  është motor në këtë projekt. Caritas-i shqiptar  me mbështetjen e Caritas-it francez  koordinon këtë projekt prej 6 vjetësh, që është një vazhdimësi e punës tonë në nivel ndërkombëtar.
– Shqiptarë viktima të trafikimit në Europë, gra shqiptare a fëmijë shqiptarë e që janë trafikuar, a ka? A mundeni ju të jepni të dhëna për këtë?      
Po, po. Mundem të them, sepse ka shqiptarë. Ka shumë minorenë në Francë aktualisht që janë shqiptarë. Këta janë krejt të ekspozuar dhe kaq vulnerabël ndaj shfrytëzimit dhe trafikimit. Ka shumë vështirësi, sepse disa mund të kthehen në Shqipëri, por Konventa Ndërkombëtare e Fëmijëve në Francë e jo vetëm aty, kërkon që fëmijët që janë në Francë duhet të kenë mbrojtjen e shtetit francez  deri në moshën 18 vjeç. Dimë që ka shumë fëmijë që shfrytëzohen ndër të tjera edhe për të lypur, por ndonjëherë ka edhe për shfrytëzim seksual.
– Edhe seksual?
Ah, po. Jo shumica, sepse shumica e të ardhurve në Francë janë nga Nigeria- Afrika, por ka edhe nga Shqipëria.
– Cili është rekomandimi juaj, këshillat tuaja jo për Caritas-in mbase, por për Shqipërinë në këtë rast?
Ne mendojmë se parandalimi është gjëja më e mirë, që mund të bëjmë. Duke punuar shumë në fushën e parandalimit dhe informimit publik rreth fenomenit të trafikimit dhe formave të ndryshme do të ndërgjegjësojmë jo vetëm personat vulnerabël dhe në risk, ata që paguajnë për këtë shërbim (klientët), trafikantët, por dhe institucionet shtetërore që të hartojnë dhe të zbatojnë politika mbrojtëse. Gjithashtu duhet të ketë më shumë mbështetje për familjet, sepse fëmijët janë me shumë të prekur nga ky fenomen. Ne Francë mendojmë se duhet të punojmë me vendet e origjinës, sepse ndonjëherë ka fëmijë që kanë familje, që nuk e dinë situatën e fëmijës atje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *