Ai është një muzikant shumë i talentuar. Nga ata artistë që fjalët i kthejnë në tinguj, e tingujt në gjuhë për shpirtrat e paqetë të kësaj bote. Në këtë intervistë do të takoni shpiritin e një artisti, guxoj ta quaj të madh, me frikërat e lëna pas, çelësat për ca ëndrra të reja dhe dashurinë që ulet kudo. Sepse vetëm dashuria është e fshehta që zgjidh gjithë enigmat. Ju ftojmë të lexoni Gencin, njeri dhe artist, të cilin skena shqiptare është me fat që e ka.
Genti, ka një recetë për famën?
Mund të ketë. Por ka famë dhe famë.
Ti kë sugjeron famën, e cila mund të vijë edhe si një zgjedhje e mençur publicitare në moment, apo punën cilësore, e cila mund të ndodh që mos të ketë jehonën që dikush mund të presë?
Fama në art është dytësore. Nëse vjen, është shumë e mirëseardhur sepse ndihmon shumë në shpëndarjen e punës së artistit. Por puna cilësore, thellimi në procesin artistik, ky është prioriteti. Nëse ekziston kjo, manovrimet tinzare publicitare janë krejt të pranueshme.
Talenti për të pasur një zë, është vetëm gjysma e punës së një këngëtari. Çfarë duhet për t’u bërë dikushi në këtë fushë?
Studim i mirëfilltë dhe shumë punë, së pari. Së dyti, duhet një raport tepër i shendoshë, i sinqertë, me vetveten.
Dimë se ti ke një dashuri për poezinë, si e sheh sot raportin e saj në tekstet e këngëve?
Skena komerciale muzikore ka shumë prodhim dhe shpesh është i dobët. Por ka momente që befasojnë dhe kjo është gjithmonë arsye për t’u gëzuar.
Çfarë gjuhe flasin këngët sot, a është ajo që shkon tek shpirti, apo mjafton kënaqësia e momentit?
Në ndryshimet rrënjësore socio-kulturore që po ndodhin në botë, dhe që lidhen edhe, por jo vetëm, me krijimin e platformës digjitale,
‘Momenti’ është mbret. Mediat sociale, me mënyrën si funksionojnë, e ilustrojnë shumë mirë këtë. Natyrisht se arti përgjigjet, duke e trajtuar dukurinë. Por jo të gjitha këngët janë vetëm ‘moment’ sot. Në fakt, këto vite po krijohet muzikë fantastike nëpër botë. Jam shumë entuziast.
Mendon se këngët sot janë kthyer në një “one night stand”, në sensin që pak prej tyre kanë vlera edhe pas një stine të themi?
Sot ka shumë këngë, ka shumë prodhim medial, ka shumë gjithcka! Kështu që është logjika e inflacionit në pyetje. Sidoqoftë, edhe muzikë të mirë ka shumë, dhe shyqyr për këtë. Edhe në hapësirën shqiptare ka filluar një zhvillim i hovshëm muzikor. Po e jetojmë një kohë të vecantë, me shumë ndryshime të shpejta. Kohëra të arta për artin!
Ç’raporte ke me femrat këtu?
Raportet e mia me femrat janë gjithmonë shumë të thella dhe dinamike. Jam vet tip mjaft feminin dhe kam shumë shoqe. Edhe në Tiranë kam bërë shoqe shumë.
A e vuajnë shumë rrokerët “përndjekjen” femërore?
Ah, jo. Kjo është propagandë! Në fakt, rrokerët janë të vetmuar dhe të trishtë. Më dhimbsen shumë, dhe jam wordpress i lumtur që nuk jam rroker.
Ti ke studiuar në Britani, pse nuk ke provuar të zhvillosh një karrierë aty?
Gjithmonë kam menduar se arsyeja për këtë është se desha të kthehem në hapësirën shqipfolëse, për të lëvruar në gjuhën dhe kulturën shqiptare. Por nuk e përjashtoj mundësinë se thjeshtë nuk e kam pasur guximin ta bëj atë hap, dhe arsyetimi që e dhashë më lartë mund të jetë vetëm një përrallë që ia tregoj vetes. Nuk e di!
A është sot bota më e hapur për talentet nga çdo vend?
Vështirë të thuhet. Gjithsesi, interneti dhe kultura e gjeneruar nga ai kanë ofruar mbështetje të madhe.
Nëse do jepje recetën tënde për lumturinë, cila do ishte ajo?
Raport i shëndoshë, i sinqertë, me veten dhe dashuri e mëshirë për tjetrin.
Preferon më shumë natën apo ditën?
Secila e ka të veten. Dita është për punë, nata për reflektim.
Ç’trishtim do të krijonte melodinë perfekte?
Një trishtim që të then totalisht.
Ku beson Genc Salihu?
Dashuria është çelësi.
Fuqia më e madhe e njeriut?
Nuk e di, çdo njeri e ka burimin e vet. Dashuria më bie ndër mend prapë.
Fuqia më e madhe e një burri?
Shërbimi, kur e bën me duart e veta.
Po e një femre?
Liria, kur e fiton me duart e veta.
Dashuria, me sa nota mund të luhet?
Me dy.
Dashuron shpesh Genci?
Mjaftueshëm, shpesh sa të mos vdes.
Sa herë je lënduar prej saj?
Tri herë.
Si mund ta ndryshojnë artistët botën?
Nuk besoj se artistët e ndryshojnë botën. Në fakt, nganjëherë edhe e ndryshojnë, por krejt rastësisht.
Një peng fëmijërie?
Fëmijëria imë është mbretëria ime. Nuk mund ta shoh ndryshe veç të përkryer.
Ç’raport ke me kujtimet, me të shkuarën?
Falëminderit për këtë pyetje të bukur. Kam frikë se jam i tmerrshëm në raport me të shkuarën. E shkuara ime është derë e hapur. Eshtë shumë prezente. Jam gaforre! Po ashtu, unë i lë gjërat e hapura, nuk jam i mirë në definimin dhe përmbylljen e gjërave, prandaj dhe ato më ndjekin nga pas gjithkah. Së fundi kam filluar të jem më i relaksuar në lidhje me jetën time, dhe arrij ta vendos në perspektivë më të mirë të shkuarën. Por prapë ka gjëra të cilat nuk është e qartë se a i takojnë të shkuarës apo të ardhmes./ Jonida Hitoveizi