Gavril Dara i panjohur

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Hulumtimet e mëtejshme për Gavril Darën (I Riu) po tregojnë se ky poet, edhe pse ka zënë tanimë një vend të dorës së parë në letërsinë tonë, ende nuk është njohur sa duhet. Portreti i tij si njeri dhe krijues ka qenë, ndoshta më pak i ndriçuari në mes plejadës së shkrimtarëve tanë të traditës. Por burime dhe të dhëna të fundit, që kanë të bëjnë me vepra krejt të panjohura dhe aspekte të paditura të jetës, i japin Gavril Darës përmasa të reja.

Në rastin tonë është fjala për librin “Një njeri i madh në hije” (Mbi jetën dhe veprën e Gavril Darës), të Ermininia Tuttolomondos, botuar në Agrixhenti të Sicilisë, më 1921. Në literaturën dariane, kjo monografi përbën studimin më të plotë mbi poetin tonë të shquar. Libri paraqet vlera për analizat shkencore dhe për gjykimet serioze e origjinale, por në mënyrë të veçantë, për lëndën e begatë që ngërthen dhe burimet e shfrytëzuara. Autorja ka pasur në dorë si dorëshkrimet ashtu dhe të gjitha veprat e botuara të poetit dhe këto, tok me faktet e panjohura që sjell për jetën e Darës, i japin monografisë edhe karakter dokumentar. Duke qenë bashkëkohëse dhe e afërme e trashëgimtarëve të shkrimtarit, ajo e ka shfrytëzuar këtë rrethanë në dobi të veprës, siç i kanë shërbyer dhe burimet arkivore dhe shtypi i kohës, për ta ndërtuar atë mbi materiale të pasura dhe autentike.            Studimi është shkruar me dashuri dhe devocion të thellë për poetin, duke e konsideruar si “një detyrë të shenjtë”, në “kujtim të njeriut të madh”, trashëgimi i të cilit, i “harruar padrejtësisht”, ka bërë që figura e tij të mbetet në hije. Autorja e radhit Darën në mes njerëzve të shquar të Agrixhentit, që “ka nxjerrë poetë gjenialë, piktorë e skulptorë të famshëm, kritikë dhe historianë me vlera, njerëz me mendje dhe zemër të madhe”. Monografia ka dhe nota polemike e patetike, si reagim ndaj heshtjes dhe opozicionit që mbahej karshi poetit demokrat-revolucionar.

Detyra jonë kësaj here, nuk është të merremi me studimin monografik të E. Tuttolomondos, e cila padyshim, ka merita të padiskutueshme, por me të dhënat burimore, me vepra dhe ato momente të jetës së G. Darës që s’i njohim. Në këtë vështrim, monografia është një “arkivë” e gjallë, që nga një anë, pasuron dhe përvijon më qartë dhe më saktë biorgafinë e poetit dhe, nga ana tjetër, nxjerr në dritë një varg veprash të reja që e rrisin më tej peshën e krijimtarisë së tij. Kjo e fundit, duket që në bibliografinë e veprave të Darës, të cilën autorja e ka vënë në krye të studimit. Nga pasqyra bibliografike marrim vesh se poeti ynë ka shkruar përveç veprave që njohim edhe dhjetra këngë dhe sonete, dy poemtha, një tragjedi lirike, disa vepra në prozë, artikuj studimorë etj. Botimi i mjaft fragmenteve nga krijime të panjohuar të Darës në faqet e monografisë jep mundësi kontakti me tekstet origjinale.

Vargjet e para të poetit i takojnë moshës 13-15 vjeçare, viteve 1840-42, si vjershat “Përshkrimi i përmbytjes së madhe” dhe “Napoli”, e sidomos soneti me titull “Për sëmundjen e vet”, pas së cilës vijnë disa poezi lirike, të shkruara me ndjenjë dhe shprehje spontane, kushtuar një artisteje të kohës. Në të vërtetë, talenti i fuqishëm i poetit të ri, shpërthen në prag dhe gjatë revolucionit të viteve 1848, kur atmosfera e ndezur e luftës për liri kombëtare e shoqërore e frymëzon që të krijojë një cikël poezish me karakter të theksuar revolucionar. (“Të rrokim armët”, “Sicilisë”, “Protesta e Sicilisë” etj.). Këto, siç shënon studiuesja , u botuan me parathënie të poetit nga shokët e tij në vëllimin “Poezi patriotike” (1848).

Vitet 1850-60, që lidhen me kohën e qëndrimit të G. Darës në Agrixhenti, dallohen për një krijimtari të frytshme. Mund të veçojmë vjershat e gjata, “E kaluara”, “E tanishmja” dhe sidomos “Në vdekje të Salvadores Salafias”, kushtuar shokëve të armëve, të cilët evokojnë të kaluarën e përbashkët revolucionare dhe japin zhgënjimin e thellë nga e sotmja. Krizës politike nga mesi i viteve 1850, i shtohet kriza shpirtërore e poetit, drama e dashurisë së tij të fortë me vajzën aristokrate Elen G. …, prindërit e të cilës e martojnë me një markez dhe ajo vdes nga zemra. Poeti, ashtu si De Rada në Napoli, tronditet rëndë dhe nga kjo dashuri fatkeqe, përftohen katër sonetet tepër të trishtuara, ku ndihet fryma leopardiane (“Lamtumirë”, “Pa titull” etj.). Nga kjo gjendje ai shkëputet shpejt, sepse tërhiqet pas jetës politiko-shoqërore. Për një kohë (1857-64), ai e le bile edhe poezinë dhe i kushtohet gazetarisë dhe veprimtarisë revolucionare, njihet si njeri i aksionit dhe konspirator.

Në shkurt të vitit 1858 G. Dara themelon dhe drejton në Agrixhenti gazetën letrare, shkencore e artistike të njohur me emrin “Palingeseni” (“Përtëritja e jetës”). Për këtë gazetë, që dinim vetëm titullin, jepen të dhëna shumë të rëndësishme. Sipas Tuttolomondos, e cila e ka pasur koleksionin në dorë, gazetën e ka karakterizuar një frymë e gjallë kryengritëse. Ajo mbante në krye vargun e Juvenalit: “Sepse ego auditor tantun Nonquaem reponam vexatus toties?” (Përse u dashka vetëm të dëgjoj dhe të mos u përgjigjem fyerjeve të të tjerëve?).

Gazeta hapet me kryeartikullin e shkruar nga G. Dara, të cilin autorja e cilëson si një traktat kushtuar problemeve të letërsisë, arteve dhe shkencës bashkëkohore. Më pas, ai do të botojë këtu mjaft shkrime në të cilat zbulohen dimensione të reja të personalitetit të tij, prozatori, kritiku, esteti dhe historiani. Mund të veçohen për këtë, artikuj studimorë: “Shkaqet e gabimeve të kritikës letrare të Kantit” dhe “Një dialog për diçka tjetër”. Në “Palingesenin”, ku u ngritën dhe u shtruan me guxim shumë probleme ekonomike e kulturore, arkeologjike etj., bashkëpunuan intelektualë të përgatitur dhe me qëndrime të njohura radikale, gazetarë, poetë, filozofë, shkencëtarë etj. Një pjesë e tyre janë emra të njohur në lëvizjet revolucionare të Sicilisë, si vëllezërit Pikone, P. Kamanja, G. Nota, G. Noçita etj.

Në vitin 1864, G. Dara i kthehet përsëri poezisë. Një vit më parë ka shkruar veprën në prozë “Një eskursion në Alpe”, të cilën e boton si libër më 1882. Kthimi te poezia kësaj radhe, ndryshon nga herët e tjera. Për herë të parë në krijimtarinë e tij, Dara trajton një subjekt shqiptar. Kjo ndodh në Lugo, në maj të vitit 1884, pasi poeti ka kaluar nëpër ngjarje të stuhishme të luftës garibaldine. E prek fati i rëndë i atdheut të strëgjyshërve, frymëzohet nga historia e dhimbshme e një princeshe fatkeqe shqiptare dhe shkruan poemën “Anna-Maria”. Subjekti na çon në Shqipërinë e viteve 1460-85, është më tepër një histori romantike që të kujton poemat e De Radës. Ka për heroinë Anna Marien, vajzën e dytë të Aranit Kominiatës, princit të Kotorrit dhe të motrës së Donikës, gruas së Skënderbeut. Poema e shkruar italisht, përbëhet nga 1300 vargje 11-rrokëshe dhe ndahet në dy pjesë të pabarabarta. Pjesa e parë, që ka 340 vargje, i kushtohet trimërive të Bozhdar Stresit, djalit të Gjelës, motrës së Skënderbeut, të cilit shqiptarët i detyrojnë çlirimin e Kotorrit nga turqit. Pjesa e dytë merret drejtpërdrejt me jetën e Anna Maries. Atë e kanë fejuar me një princ venecian, i cili hiqet se i ndihmon shqiptarët kundër turqve. Në fakt, ai e ka mashtruar vajzën shqiptare, sepse është i fejuar me një tjetër, me Garentina Foskarin. Takimi i dy femrave në oborrin mbretëror të Napolit, ku i nxjerr anijet stuhia, përbën nyjen e poemës. Për studiuesin, pjesët më të bukura të veprës janë disa plane të dyta, si arritja e anijeve në port, përshkrimi i qetësisë pas furtunës etj. Një vend të veçantë në poemë, zë kënga e korrësit që këndon Anna Maria gjatë udhëtimit të vështirë dhe që në disa pikëpamje i kujton jetën e saj.

Poema “Anna Maria” duhet çmuar në radhë të parë për temën e re që sjell në krijimtarinë e poetit. Sepse, përsa u takon figurave si krijesa artistike, ato kanë më shumë vlera simbolike. Me Anna Marien, autori ka dashur të paraqesë gruan patriote shqiptare, e cila, siç pohon dhe studiuesja, është e ndërgjegjshme për madhështinë e atdheut të saj, kurse te Bozhdari mishërohet luftëtari i paepur i Arbërisë kundër pushtuesve të huaj. Vepra tingëllon si një himn për atdheun e stërgjyshërve dhe pavarësisht se është më tepër një përpjekje me interes, ajo përbën preludin e kryeveprës së Darës “Kënga e sprasme e Balës”, që do të dalë në dritë 20 vjet më vonë. Këtë e dëshmon jo vetëm tema e përbashkët dhe fryma romantike, por edhe elementët e përmbajtjes, gërshetimi i legjendës me historinë etj.

Gjendja e rëndë e Italisë pas bashkimit të saj e trondit poetin luftëtar dhe shprehje e pakënaqësisë dhe e dufeve të tij politike është poezia-epistul “Të zezat tona”. Këtë e shkruan dhe e boton në 1870, kushtuar poetit garibaldin Roko Riç-Gramitto, me të cilin e lidhin lufta dhe idealet e përbashkëta. Poeti ngre zërin me guxim të madh qytetar kundër padrejtësive të kohës, duke manifestuar haptazi mendimet dhe qëndrimet e veta antimonarkiste dhe antiklerikale.

Temën politike të kohës, ndonëse me një gjuhë alegorike, Dara do ta trajtojë dhe në poemthin “Djalli dhe Muza”, të cilën nuk arrin ta botojë. Studiuesja Tuttolomondo gjen afërsi mes kësaj dhe poemës së Karduçit “Satani”, sado që alizionet dhe synimet e poetit tonë në përgjithësi janë më të përparuara.

Në prill të vitit 1872, Dara shkruan në Firence tragjedinë lirike “Françeska da Rimini”, me një prolog dhe dy akte, e cila më vonë muzikohet në Agrixhenti nga kompozitori G. Impallomeni. Subjekti i njohur dantesk në pendën e poetit demokrat gjen një trajtim origjinal dhe, ç’është më e rëndësishme, jepet me rezonancë bashkëkohore. Më vonë, tragjedia botohet, por për arsye të paditura mbetet në harresë.

Pas zhgënjimesh të vazhdueshme dhe një jete të vështirë endacake, Dara kthehet në Agrixhenti në 1875. Dhjetë vjetët e fundit, poeti i kalon këtu. Kësaj periudhe i takon dhe poema “Kënga e sprasme e Balës”. Koha e krijimit të saj përkon me ngjarjet e mëdha të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilat jo vetëm tërheqin seriozisht vëmendjen e poetit patriot, por e lidhin shpirtërisht dhe e angazhojnë me veprime në dobi të çështjes shqiptare. Dëshmitë e drejtpërdrejta që sjell në këtë kohë nga Shqipëria i kushëriri, Pjetër Kjara, për luftën heroike që zhvillonte populli shqiptar e frymëzojnë dhe e nxisin poetin. Në zemrën dhe ndërgjegjjen e tij buçet zëri i Shqipërisë, zgjohet gjaku i Arbrit dhe ai, me sa duket, ndjen detyrën madhore që ka ndaj atdheut. Kështu lind dhe krijohet dora dorës vepra monumentale “Kënga e sprasme e Balës”, të cilën e kryen përfundimisht atë vit që ndahet nga jeta (1885). Me këtë poemë, pohon studiuesja, poeti kthehet te rrënjët e veta, ai realizon ëndrrën e jetës dhe kurorëzon gjithë krijimtarinë e tij.

Në librin “Një njeri i madh në hije”, megjithëse vendin kryesor e zë paraqitja dhe analiza e veprës së Darës, prapë gjejmë nëpër të, të skicuar edhe jetën e poetit. Një pjesë e të dhënave janë të njohura dhe kanë përputhje mes tyre. Po ka dhe fakte e momente, që në këtë studim, paraqiten të reja ose saktësojnë e plotësojnë të tjera. Kështu, koha e lindjes së poetit nuk shënohet 18 janar 1826, që njihet deri më tani, por 6 janari 1827. Akoma më i rëndësishëm është fakti që, si vit i mbarimit të Universitetit jepet 1849 dhe jo 1845. Kjo mbështetet në dokumente të nxjerra nga Arkivi i Universitetit të Palermos dhe ka rëndësi, sepse lidhet me ngjarjet e revolucionit të 1848-ës, që Dara i kaloi në kryeqendrën e ishullit. Kurse në vitet ’60 ai u gjend në krye të forcave revolucionare të Agrixhentit, përkrah militantëve më të njohur si D. Bartoli, vëllezërve Gramito etj. Në 1868, Darën e shohim në Firence, kryeqytet i atëhershëm i Italisë, ku qëndron atje deri më 1871, për të kaluar pastaj në Romë, tok me gazetën “Riforme” që drejton. Sa kohë që Dara është drejtor i saj, gazeta pasqyron me besnikëri interesat e forcave të majta dhe falë atij, ruan konsekuencë politike. Mirëpo, kur F. Krispi kaloi në pozita monarkiste dhe nis e bën lojën e borgjezisë italiane në dëm të Shqipërisë, lindin kontradikta të thella që çojnë deri në dorëheqjen e Darës dhe largimin e tij nga Roma. Ai kthehet në Agrixhenti dhe me gjithë meritat dhe aftësitë e shquara që ka, angazhohet me detyra të rëndomta. Sipas studiuesve, kjo ka ndodhur ngaqë poeti nuk donte të prekte parimet, moralin dhe pavarësinë e tij.

  1. Dara mbetet deri në fund një demokrat konseguent, i patundur në bindjet e veta dhe këtë qëndrim ai do ta paguajë me përndjekje, shpërfillje dhe varfëri. Gjendja e tij paraqitet akoma më e rëndë, kur marrim vesh se ai kish 6 fëmijë të mitur. Drama shpirtërore, skamja, presionet e ndryshme e bënë poetin të vdesë para kohe, në moshën 59 vjeçare, më 19 nëntor 1885.

Për vdekjen e Darës autorja e librit na sjell dëshminë e gjyshit të saj. Një dëshmi tepër e trishtuar që të kujton vdekjen e De Radës disa vjet më vonë.

Dita ishte e butë dhe pa erë, – shkruan gjyshi. – Më thanë se avokat Dara ishte duke dhënë shpirt dhe unë, pa u menduar gjatë, u drejtova nga fusha, për në port, në shtëpinë e vogël ku jetonte ai. Ndoshta, e kish zgjedhur atë vend për të kërkuar paqen dhe qetësinë që në qytet nuk kish arritur ta gjente asnjëherë. E shoqja, pak e ndërgjegjshme, dhe fëmijët akoma tepër të rinj për të kuptuar se çka i priste dhe çfarë do t’u mungonte, qëndronin rreth shtratit të tij, ndërsa ai, kish zgjatur njërin krah në qafën e Irenës, vajzës së vogël, që ishte i vetmi ngushëllim i tij.

            Pas krahëve të fëmijëve zotëronte mjerimi, dyshemeja e zveshur, mobiljet e rënuara e të vjetra, zjarri i shuar në vatër. Nga dritarja e hapur hynte një dritë e përhimtë dhe e mekur dhe, megjithatë, nga ajo dritare kthente sytë shpesh poeti i dëshpëruar për dritë. Merrte frymë me vështirësi dhe nuk fliste… Vështronte, po kish kaq dhembje në këtë vështrim. Shikonte fëmijët, viktimat e tij.

            Zhurmat e potershme që vinin nga larg dhe lehjet e zgjatura e të shurdhëta të qenëve të rrugës, të bënin që të dridheshin dhe kockat. Një frymëmarrje e thellë, një shtrëngim i pavullnetshëm në qafën e vajzës së vogël … dhe asgjë më … Kish ikur!

            Nga dera e ngushtë fajdexhinjtë, kishin pritur këtë çast dhe po hynin për të kërkuar borxhet!”

Tani ai prehet në varrezën e vogël të Porto Emedoklit, – e mbyll librin autorja, – në një varr të varfër, të hijeshuar nga një selvi shumë e madhe, por e vetmuar, thua se ai desh t’u fshihej atyre njerëzve që s’e kishin njohur për së gjalli. Kurse përpara tij qëndron si një paraskenë qyteti … ndërsa buzëqeshin përjetë ullinjtë e argjendtë …

Me këto të dhëna të reja, kapitulli i G. Darës (I Riu) në historinë e letërsisë sonë zgjerohet dhe pasurohet, po me sa duket nuk mbyllet. Janë të gjitha gjasat, që kërkimet nëpër arkivat dhe bibliotekat e Sicilisë, të Romës e të Firences të dëshmojnë më tej për poetin tonë të shquar. Provë për këtë është dhe portreti i tij i zbuluar nga studiuesi Kolë Kamsi, që po sheh dritën e botimit pas më shumë se një shekulli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *