Fotografi Yves Rousselet ka kohë që e ka fiksuar fytyrën e Ballkanit. I mjafton një aparat, një objektiv dhe rrugët që e çojnë tek ballkanasit, ku popujt për të janë të gjithë të ngjashëm, po kështu imazhet, personazhet e rrugës apo të strehëve të tyre, sytë, e qeshura apo trishti, një antropologji që flet menjëherë në fotografitë e tij.
Nga Luan Rama
Unë e ritakova përsëri mikun tim pak kohë më parë në Paris. Ai ka dëshirë tu tregojë miqve fotot e tij të fundit. Dhe i shpalos ato në shtëpinë e tij atelier, i tregon me pasion, të flet për emra, itinerare, rrugë, qytete, shtigje, njerëz dhe fate. Eshtë Ballkani brenda tij, pasi që prej 20 vitesh ai endet si një bohem rrugëve të Ballkanit, bashkë me Helenën, gruan e tij simpatike, Helena si e ardhur nga legjenda. Një kamionçinë, fëmijët, aparatet dhe vitet që kanë ndjekur njëri-tjetrin, pasi ai vazhdon në boheminë e tij, edhe pse tashmë fëmijët janë rritur e bërë prindër ; ai vazhdon me ngulm, pasi Ballkani ka shumë sharm, ngjiz shumë dashuri dhe brenga. Ja tek shoh me rradhë fytyra shqiptarësh, malezezësh, grekësh, boshnjakësh, serbësh… fytyra të kosovarëve që i kanë shpëtuar tragjizmit fatal. Në albumet e tij fatet pikëtakohen, ashtu si dhe kulturat, historitë ; fytyra nga Mitrovica, Banjo Luka, Tetova. Një arkiv i gjallë i fiksuar në ceculoid. Ja tek ndalem në një fotografi interesante ku tre fëmijë kafshojnë copat e akullit. Nostalgji… nostalgjia ime kur isha fëmijë, rrugëve të Tiranës në vapën e madhe, kur rendnim pas karrocave që transportonin kallëpe të mëdhenj akulli nëpër birraritë e qytetit. Dhe ne që shuanim etjen duke i thyer ato…
Yves Rousselet është një fotograf humanist. Ai u afrohet me shumë dashuri personazheve, tipave njerëzore duke mos privilegjuar asnjë shtresë, asnjë popull, asnjë kulturë, asnjë histori, pasi mjafton të ndryshosh deçiturën që të mendosh se nuk je në Shqipëri por në një vend tjetër fqinj, në Mal të Zi, në Greqi, apo Kroaci, disi më larg. Në objektivin e tij fytyrat janë të përafërta, pjestarë të një familje më të madhe ku territoret zgjaten mbi trupin e tê hirshmes Europë, pasi aty, brenda objektivit, nuk është politika që mund t’i ndajë popujt, nuk është nacionalizmi, populizmi, liderët që shfryjnë për të fituar akoma më shumë pushtet. Në « dhomën e errët », në « camera obscura », janë fytyrat njerëzore me pafajshmërinë e tyre, janë njerëzit e thjeshtë të popullit, ata që duan jetën, paqen, lirinë, vëllazërinë. Për Rousselet duket se popujt jetojnë pa kufij ndarës.
Yves e ka bredhur Shqipërinë nga një qytet në tjetrin, me kamionçinë e tij që ende e mbart me siguri dhe në rrugët e shkreta të maleve. Sapo ka lexuar librin me shënimet e udhëtimit të dy udhëtarëve francezë, « Udhëtim në veri të Shqipërisë », një dorëshkrim që rastësisht e g jeta, e përktheva dhe e botova, por që dëshmon për një dashuri të madhe njerëzore. Dhe i entusiazmuar ai më thotë se ka dëshirë të ecë në gjurmët e atyre etnografëve të vitit 1938 dhe të fiksojë pikërisht ato vënde dhe njerëz.
Po, bota e këtij fotografi janë njerëzit, popuj të përafërt, është fytyra e paqtë e Shqipërisë dhe e Ballkanit…