Frutat e Omerit

received_10153207196512136Nga Luan Rama

Zotëri, keni etje… doni një frut?
Një mollë, një dardhë, një ftua…?
Kujdes, këto fruta nuk duhen kafshuar,
janë tablo, janë vepra arti,
fruta me forma njerëzore,
me aromë mishi e gjaku,
me linjat e një gruaje të parë diku,
shkarazi, kur këputet hëna,
duke lënë pas një peng okër,
fruta me linja gruaje,
vithe, gjinj, pleksje simbolike,
janë frutat e mikut tim Omer,
pinjoll i Omeriadës së vjetër.
Midis seancave të lodhshme
piktori kërkon të shlodhet, ka etje,
kërkon frutat në atelier,
dhe endet si i dehur, në ëndërr,
me imazhet e një gruaje që veç e ka fshikur,
s’dihet kur,
dhe atëherë ngjyen spatulën e tij në paletë,
pleks bojrat
pak llavë që djeg,
një të blertë bregoreje që ngjitet drejt diellit,
dhe pak të zezë trishti,
e bardha është e vetë telajos,
ajo pret dorën e tij,
të ngjesh spatulën mbi të,
si të prekë barkun e njomë të saj,
të pështetet paqësisht,
dashurisht,
ai hedh ngjyra, hedh farë,
mbjell ashtu si një farëmbjellës i Onufrit,
forma gruaje, ai fal dashuri,
krijon fruta femërorë
aty, ofruar në atë tabaka të bardhë,
në sofrën e telajos, mund t’i shijoni
ashtu siç shijojmë shpirtrat e krijuar
në një sallon arti…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *