Nga Elvin Nuri
Opium
Në një nga rrugët më të shëtitura të Tiranës ndodhet një dyqan i vogël, në të cilin mund të gjeni gjithçka, nga makaronat Barilla e deri te paketat e cigareve. Këto të fundit ishin arsyet pse gjatë një mbasditeje prilli morra vendimin të futem në atë dyqan. Më konkretisht, isha i angazhuar me punë aty pranë dhe në momentin që mbeta pa cigare, në pak hapa, u gjenda brenda një universi të pafund me marka çokollatash, çamçakëzash apo detergjentësh për të pastruar pjatat. Diku, mbi një raft metalik, ishin vendosur edhe souvenirë “Made in Albania”, si shiponja dykrenare apo busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti. Jo vetëm një Kastriot por me dhjetra, të gjithë në allçi të bardhë, njëri më i vrenjtur se tjetri.
Ishte një vend aq shumë i mbingarkuar me produkte sa praktikisht të merreshin mendtë.
Zonja që i shërbente klientëve më priti me sy të mëdhenj dhe të lodhur, të cilat u fiksuan drejt meje falë kapakëve plot rrudha. Ajo nuk më përshëndeti, unë i rash shkurt: Një Filip, të madh! Ndoshta më tradhëtuan syzet e mëdhaja dhe flokët e rëna dhe ajo u ndje e lirë të buzëqeshte mbi mungesën e edukatës time. Nuk bëri zë, kapi paketën nga rafti dhe e hodhi mbi banak. Pastaj unë i zgjata paret dhe i ktheva buzëqeshjen, për t’i treguar se të pasjellshmit në dyqan ishin dy. Heshtja dhe ky duel vrazhdësie, mëse i rëndomtë në një qytet të zhurmshëm si Tirana, u ndërprenë brutalisht kur ajo duhej të më kthente kusurin. Pa më dhënë ende çka më takonte, nxitoi drejt radios që mbante afër banakut dhe e fiku me nxitim.
– Na e nxinë o çun! – tha me gishtat ende mbi butonat e radios. Nuk po kuptoja asgjë, qysh nga momenti kur kisha hyrë në dyqan nuk e kisha vënë re fare ekzistencën e radios, e jo më t’i kisha vënë veshin. Por ajo e kapi në ajër hutimin tek unë dhe kur më zgjati monedhat kujtoi se më bleu vëmendjen me kusurin tim.
– Na e nxinë! Nga mëngjesi e deri në darkë vetëm me vrasje e presje. Gjithë ditën e ditës! – sytë i dukeshin vërtet të lodhur dhe akoma më të mëdhenj, a thua po mundohej të më hipnotizonte. Të them të drejtën aq më bëhej për një plakë e çmendur që s’di t’i thotë klientit as “mirëmbrëma”. Ama, deri kur ia plasi. – Opium janë! Na i mpinë trutë me këto gjëra! S’na lexohet, nuk shohim dot një film të qetë. E kemi kokën të mbushur me makabritete. – Unë, nga krahu im i banakut, futa monedhat në kuletën time 100% lëkurë, made in Italy dhe bosh. Diç i murmurita, por se çfarë konkretisht nuk e mbaj mend. Me siguri i thashë ndonjë frazë boshe si kuleta ime, një nga ato formulat që ne (ish) fabrikuesit e lajmeve kemi mësuar përmendësh dhe i përdorim për të dalë nga situata, për të mos therrur verbalisht (ish) kolegët, për të mos u bërë pjesë e këtyre histerive kolektive anti-media. Doja vetëm të largohesha nga kthetrat e Vox Pop-it, të ndërsyer egër nga kontakti tepër intensiv, i përditshëm, me fytyrën e ngrysur dhe të pakënaqur të Gjergjit. Bëra si bëra, dola nga dyqani me dëshirën për të mos u kthyer më kurrë.
Mbaj mend mirë, shumë mirë, se çfarë mendimesh më rridhnin gjatë gjithë mbrëmjes sa herë më kujtohej dyqanxhesha. Si ka mundësi që ajo zonjë më fliste për mediat si opium, kur vetëm 50 metra larg dyqanit të saj ngrihet një monstër ekologjik, një konstruksion betoni me përmasat e një transatlantiku, i cili përmban supermarkete dhe dyqane masive? Sa doza opiumi ka marrë në ditë shitësja e cigareve për të mos e kuptur se supermarketet në barkun e transatlantikëve komercialë janë duke zhdukur të gjithë sojin e saj, me super oferta dhe produkte joshëse? Pse kaq e inatosur kjo zonjë me pushtetin e katërt, kur nuk ka pushtet dhe arsye legjitime që ta mbrojë nga zhdukja e biznesit të saj? Pse kaq e revoltuar nga mediat e Tiranës, kur forcat dhe trendet ekonomike globale mund ta detyrojnë të regjistrohet te zyrat e punës nga momenti në moment? Nuk kishte shumë faj…po atë mbrëmje, vetë unë u përfshiva nga opiumi mediatik. Pak orë më pas, në Facebook, duke lundruar mes makinës të lustruar të një shoku dhe bythës të një të panjohure, zbulova në pak minuta se po atë natë në Vlorë dikush kishte hapur zjarr në një lokal dhe në Paris një i çmendur tjetër kishte sulmuar një efektiv policie. Botë e egër zonja dyqanxheshë!
Krizë & kanabis
Nuk duhet shumë për të kuptuar që dyqanxhesha e këtij epsiodi, pavarësisht se bombardohej me vrasje dhe presje nga mëngjesi deri në darkë, nuk i ka rënë ende qendrës së retorikës mediatike të këtye muajve të fundit. Shumë keq zonja dyqanxheshë! Opiumi i përket së shkuarës. Ne, të gjithë, tani jemi pjesë e “Republikës të Kanabisit”! Nuk ka mbetur (f)aktor politik, personazh mediatk dhe individ i lirë i kësaj republike që të mos jetë shprehur të paktën një herë të vetme, plot dramacitet, mbi kanabisin. Madje, gjynah më vjen ta them, por edhe qentë e rrugës pranë shtëpisë time po të ma dinin gjuhën do ta kishin harruar fare dramën e tyre, sterilizimin në masë, dhe do të më ishin rrëfyer mbi këtë tragjedi shqiptare: hashashi. Por edhe ata veç lehin…
Mafia e strukturuar e ndërtimoreve, për mbi dy dekada, ka shpëtuar nga kolapsi (edhe) falë parave të derivuara nga trafiku i hashashit. Qindra, ndoshta mijëra, persona kanë blerë apartamente me para në dorë, cash, frut i një rrjeti ndërkombëtar hashashi. Dhjetra abuzues kanë ndërtuar akoma më shumë me këto para. Për mbi dy dekada, të gjithë heshtëm. Milionat e eurove të përfituara nga trafiku i hashashit kanë sponsorizuar resorte dhe kanë inauguruar hapje e klubesh (të shëmtuara si drreqi). Për mbi dy dekada, të gjithë kërcyem, me dhe pa shkumë. Trafiku i hashashit ka krijuar/rikthyer një shtresë të re shoqërore në mesin tonë: 6 muaj kaçak mali, 6 muajt e tjerë të vitit sherifa në qytet. Ne, të tjerët, heshtëm dhe u bëmë pjesë e festës. Por, stina e re politiko-mediatke (e ashtuquajtura krizë) e ka vënë fenomenin në qendër të opinionit publik, në përmasa maniakale. Sa më shumë tonelata hashash bllokohen nga policia, aq më shumë çadra e opozitës dhe satelitët përreth saj akuzojnë qeverinë për implikime me trafikun. Nga ana tjetër, i gjithë ky rreth vicioz, pasqyrohet, bymehet, shtohet, mbushet me opinione apo denoncohet nga garniturat e reja opozitare dhe nga shoqëria civile. Gjithçka ndodh nëpërmjet mediave. Në Shqipëri kanabisi po demonizohet dhe po luftohet në përmasa të pamenduara më parë, por lufta në terren për kontrollin/asgjesimin e këtij trafiku e ka humbur betejën mediatike. Jemi në mesin e një fluksi kaq të madh lajmesh negative mbi kanabizimin e vendit, sa vetë organet mediatike nuk e përballojnë dot. Hidhini një sy rubrikave online të lifestyle-it, shihni si janë tkurrur botokset dhe silikonet e VIP-ave tanë. Po i zhdukim nga faqja e parë!
Revansh total mbi silikonin dhe format “perfekte”, deri këtu, më duket e drejtë. Fort aty!
Përtej ironisë, në të gjithë këtë zhurmnajë mediatike dhe luftë në terren ka diçka që mua personalisht më shqetëson. Në Shqipëri nuk është bërë ende ndarja thelbësore (dhe e lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut) mes konsumatorit, kultivuesit dhe trafikantit. Me pak fjalë, Kodi Penal i “Republikës së Kanabisit” penalizon njësoj konsumatorin, çirakun e fushave dhe mafiozin. Kjo gjë, duke marrë parasysh edhe atë që po ndodh prej vitesh në botën perëndimore, është e pa tolerueshme. 5 deri në 10 vjet pushime në burg merr ti apo unë, njësoj, nëse e dredhim një cigare para gjumit apo edhe nëse luajmë maleve komand-komand me policinë. Neni 283 i Kodit Penal e përjashton burgimin për konsumin vetjak, me sasi të vogla, por nuk e thotë praktikisht se sa është kjo sasi. Sa?! Me sa u burgos për herë të parë dhe të dytë Estref Halili? Pak gramë, shumë më pak se mosha e tij 22-vjeçare. Siç e dini, Estrefi nuk e përballoi idenë e burgut për herë të dytë dhe turpin për të disatën herë, ndaj u vetëvra në qeli. Sa djem dhe vajza, si Estrefi kanë bërë dhe po bëjnë xhiron e komisariateve për shkak se janë kapur me sasi tejet qesharake? Me qindra. Sa gramë duhet të posedojë një konsumator që të mos bëjë xhiron e turpit? Sa?! Do shembuj? Kap e zgjidh: Austria e ka përcaktuar 5 gr, Belgjika 3 gr, Çekia 15 gr etj.
Dekriminalizimi i konsumatorit në Shqipëri nuk mund të konsiderohet ende një gjest futurist apo akt i degejenruar, por është zgjidhe ndaj mijëra problemeve sociale që vijnë nga legjislacioni aktual. Nuk mund të terrorizohen/penalizohen me burg dhjetra mijëra të rinj për një cigare kanabis, kur ajo cigare ka vlerën e një pakoje çokollate të dorës së tretë të importuar nga Turqia. Me dekriminalizimin e konsumatorit të kanabisit ka rrezik të shtohet fenomeni por kemi shansin ta njohim më mirë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë tonë, mund të studiojmë arsyet pse dhe mbi të gjitha nuk vrasim. Ndoshta do të kemi edhe shanisn që të mos asistojmë më kurrë sfilatat e “specialistëve” nëpër studiot televizive, të cilët pa turp dhe papërgjegjshmërisht bëjnë deklarata si: kanabisi është hapi i parë drejt heroinës. Heroina është rikthyer, por për shkaqe sociale që këta specialistë nuk i rrokin dot, sidomos me panik.
Në Shqipëri konsumatorët e kanabisit janë me mijëra, por viktimat (më saktë vdekjet) nga përdorimi i kësaj substance, me sa raportohet, janë zero. Të njëjtën gjë nuk mund ta themi për konsumatorët e alkoolit dhe ata të duhanit, të cilët janë mësuar me idenë e vdekjes. Mjafton të bëjmë një xhiro në urgjencat e qyteteve gjatë një fundjave. Me sa raste mbidoze alkooli do të përballemi? Po aksidente rrugore me shkak alkoolin? Me dhjetra… po viktima të kanabisit? Këtë përgjigje duhet të na e japin specialistët-moralistë. Gjithashtu ekziston edhe një debat i ndezur mbi pasojat shëndetësore të kanabisit dhe është pikërisht proibicionizmi fondamentalist, si ai i shoqërisë tonë, që na detyron ta kemi frikë dhe mos ta studiojmë siç duhet. Pavarësisht mrekullive apo dëmeve për shëndetin, kanabisi po konsumohet në shkallë të gjerë, ndërsa ne të vetmet zgjidhje kemi gjetur burgun, “gjobat” ose stigmatizimin: drogaxhi. Kaq! Fund i historisë? Jo! Problemet sociale që vijnë më pas amplifikohen rrezikshëm. Kujtojmë këtu rritjen e përdoruesve mes të miturve. Ende duhet të besojmë marrëzisht te burgu apo te gjoba?
Ne si shoqëri, mafie dhe shtet nuk jemi gati për legalizimin e kanabisit. Duhet një kulturë e gjerë dhe një luftë spartane kundër krimit, që kanabisi në Shqipëri të mos degjenerojë në primitivizëm dhe konkurrencë të padrejtë, si gati të gjitha përpjekjet ekonomike në vendin tonë. Kurrsesi përndjekja mediatike, mungesa e vizionit politik dhe penalizimi i konsumatorëve nga forcat e rendit nuk është zgjidhje ndaj fenomenit. Kanabisi pëlqehet, konsumohet dhe ndahet me të tjerët. Kanabisi është bërë pjesë e kulturës tonë, për këtë arsye urrehet, ndoshta prandaj është bërë akoma edhe më tërheqës.
Demonizimi i kanabisit gjatë këtyre muajve për arsye krejt ideologjike, moraliste dhe për motive të dobëta politike ka mpirë empatinë ndaj njerëzve (kocka dhe mish), duke i zhveshur rrezikshëm nga dinjiteti apo të drejtat themelore dhe ka penguar përballjen me fenomenin, herë me tabu e herë me turp adoleshencial.
Njësoj si për zonjën dyqanxheshë, nga pak çdo ditë, opiumi që i kemi stisur vetë vetes na pengon të përballemi me realitetin, duke fikur kanalet e komunikimit dhe të dialogut.