
Presidenti francez, Francois Hollande, ka nderuar shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare me dekorimin më të lartë që Franca mund t’i japë; titulli “Komandant i Legjionit të Nderit”.
Gjatë ceremonisë, presidenti francez shkrimtarin shqiptar e quajti, disi me ironi, një evropian që nuk i përket Evropës dhe e do Evropën.
“Jeni avokat i devotshëm i kulturës së Evropës dhe unë i thashë Kryeministrit: fatmirësisht ka evropianë që nuk i përkasin Evropës dhe e duan Evropën”, ka thënë presidenti francez, Francois Hollande në ceremoninë e ndarjes së çmimit, shkruan AFP.
“Ju jeni edhe shqiptar edhe francez, me zemër evropiani dhe shpirt universal”, ka vazhduar Hollande, duke e përshkruar Ismail Kadarenë si një “autor të mrekullueshëm të historisë së Ballkanit”.
Ismail Kadaresë i është dorëzuar dekorimi më i lartë që Franca mund t’i japë: titulli “Komandant i Legjionit të Nderit”. Titulli i është dorëzuar nga presidenti francez, Francois Hollande pasditen e së hënës në pallatin presidencial “Elize”.
Në ceremoni ka qenë edhe Kryeministri Edi Rama.
Titulli është shpallur që me fillimin e këtij viti, duke përkuar me muajin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.
Sa i përket fushës së letrave, të njëjtin titull me të ka marë edhe shkrimtari francez Michel Tornier.
Urdhri është krijuar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802 dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme: Kalorës, Oficer, Komandant, Oficer i Madh dhe Kryq i Madh. Medalja në rastet e civilëve jepet kur puna e tyre rrit reputacionin e Francës përmes studimeve, arteve, shkencës, politikës, gazetarisë etj.
I konsideruar si një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, Ismail Kadare është i përkthyer në 50 gjuhë të botës, ndërsa është nominuar disa herë me çmimin “Nobel” për letërsi.