Rehova piktoreske, e cila shtrihet në rrëze të malit të Gramozit, me vendim të KKR së fundmi është shpallur Qendër e mbrojtur Historike. Fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme.
Propozimi për shpalljen e Qendrës Historike në fshatin Rehovë synon ruajtjen e vlerave historike, urbanistike e arkitektonike të këtij fshati, për t’i dhënë kështu një rol të rëndësishëm si një qendër e zhvillimit të turizmit në zonën e Kolonjës.
Qendra historike ruan vlerat urbanistiko – arkitektonike të fshatit, e cila ruan gjini të ndryshme ndërtimore si: ndërtime shoqërore, kulti dhe banesa popullore. Qendra historike përbëhet edhe nga zonat e gjelbra të përfshira brenda saj.
Qendra Historike e fshatit Rehovë, përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese dhe përbëhet nga një kompozim kompakt tradicional që zhvillohet rreth kishës dhe sheshit qendror të fshatit. Ansambli i ndërtuar paraqet tipologji interesante veçanërisht në krijimin e hapësirave urbane, si dhe përfshin një numër të konsiderueshëm banesash me një tipologji të larmishme dhe një rrjet rrugor të shtruar me kalldrëm. Ndërtimet në përgjithësi janë 2-katëshe dhe janë ndërtuar me mur guri, si dhe ka një numur të konsiderueshëm portash me hark dhe sofat me gurë të gdhendur.
Ministria e Kulturës bashkë me IMK dhe institucionet e tjera të trashëgimisë është kujdesur që në bazë të vlerave që ruan Rehova, të krijojë një destinacion të veçantë për turistët, atë të “Intenerarit apo Rrugës së Portave”. Në pjesën e vjetër të fshatit Rehovë, një nga gjërat e rralla që vihet re lehtësisht janë portat e shtëpive në rrugët me kalldrëm, të cilat në një pjesë të madhe të tyre ruajnë karakteristikat e punimit nga mjeshtrat rehovarë si dhe kohën kur janë ndërtuar, që daton deri në fillim të shekullit 20. (Foto-Galeri)
Në një vizitë të zhvilluar disa javë më parë, ministrja Kumbaro vlerësoi këtë detaj të Rehovës dhe ruajtjen që i kanë bërë vendasit trashëgimisë, të cilët kanë mbrojtur këtë veçanti të shtëpive të tyre, pa u tunduar për ta “modernizuar”. Kumbaro në bisedat me banorët, u shpjegoi atyre se synimi është që edhe për Rehovën të krijohet i njëjti intenerar si Voskopoja, duke i dhënë këtij fshati një jetë të re.
Kisha që gjendet në qendër të Rehovës, është ndërtuar në vitin 1820. Ikonostasi i saj ndërtuar me kontributet e rehovarëve gjendet sot në Muzeun e Artit Mesjetar në Korcë, si një pjesë e çmuar e koleksionit të artit bizantin.