Varrezat e fshatit Qye të Dolecit (në Vuksanlekaj) të Malësisë së Madhe, i kanë befasuar të gjithë ata që i kanë parë. Ato janë të periudhës para se Vuksan Leka është rikthyer në pronat e veta, ndërsa vlerësimi i lashtësisë së tyre ndryshon nga 200-400 vjet, por disa i cilësojnë shumë më të lashta. Janë diku rreth 30 varre të gdhendura në gurë, të larta prej 1 deri 1,50 cm, të kthyera me kokë nga perëndimi. Gdhendja është bërë në pjesën e përparme dhe të pasme të gurëve mbivarrorë, si edhe në vetë pllakën mbuluese. Në to gjen të gdhendura simbole nga më të ndryshmet, si të femrave të stolisura, me parzmore, kryqe që janë të lidhur me simbole të tjera, kryqi i trefishtë, hëna e plotë, gjysmë hëna, dielli, ylli gjashtë cepësh, rrathë ciklikë, trekëndëshi, katrorët, shkop barinjsh, gjarpërinj, elemente nga bota shtazore dhe bimore, fëmija pa kokë, nëna me foshnje, burri i moshuar, një gdhendje që i përngjan shqiponjës dykrenare me krahë të ngritur, shpata, gjarpëri i lakuar që mbi kokë ka gjysmë hënën dhe diellin apo një rreth që në brendësi ka një lule me gjashtë petale – apo diku edhe tetë, kryqi kelt i formës së iksit, brirët e dhisë mbi kryqin që ka formë të rregullt në gjerësi dhe gjatësi. Dua të ceki këtu, shkruan në Malësia.org Anton Pllumaj, se pothuaj të gjithë kryqet që paraqiten aty janë të gjatësisë dhe gjerësisë së njëjtë, shkopi i ndonjë prijësi dhe shumë gdhendje në gurët e tjerë. E pra të gjitha këto kërkojnë kohë dhe ekspertizë që të identifikohen dhe të studiohen që më në fund t`i interpretojmë dhe të kuptojmë se çfarë deshën të thonë ata që i punuan, pra çfarë mesazhesh përçojnë. Do të ishte mirë që këto gjëra, të cilat u përmendën këtu, të studiohen prej specialistëve të kësaj fushe gjithnjë dhe njerëzit kompetentë të merren shumë më seriozisht me to, sepse vetë banorët e Vuksanlekajve e kanë bërë shërbimin e tyre më të mirë, duke i ruajtur ato dhe duke u kujdesur për to 200 vitet e fundit, kohë këto kur janë zhdukur shumë elemente të trashëgimisë sonë. Ka ardhur koha që me to të merren organet e specializuara, dashamirëse dhe të zhveshura nga “izmat” jashtëshkencore. Këto varreza të vjetra ruajnë shumë të dhëna nga jeta dhe zhvillimi i kësaj zone për periudhën që ato i përkasin, shkruan Anton Pllumaj nga Tuzi i Malësisë së Madhe.