FOTO/ Tirana e vogël mirëpret artin e madh, Kumbaro: Kjo është mrekullia e Kulturës!

Një ekspozitë e një rëndësie të veçantë, një sfidë e pamundur e bërë realitet, një mrekulli e kulturës. Kështu e cilësoi ministrja Kumbaro  hapjen e ekspozitës me kryeveprat romane të 900-ës, duke mos lënë pa përmendur edhe vështirësitë e kushtet që duheshin përmbushur për të bërë të mundur shfaqjen e këtyre veprave për publikun shqiptar.

Gati e pamundur dukej kjo sfidë kur e menduam në fillim, muaj më parë, kur me Iole Siena, Presidenten e Arthemisia-s, filluam të imagjinonim sesi mund të bëhej një ekspozitë e tillë Kryeveprash arti në Tiranë. Lista e kushteve që duheshin plotësuar ishte kaq e rëndë saqë dukej se s’mbaronte. Por edhe më shumë peshonte dëshira, pasioni dhe energjia nga të dy anët e Adriatikut për ta arritur të pamundurën”, u shpreh Kumbaro në çeljen e ekspozitës “ Kryeveprat e 900-ës.

Duke e cilësuar kulturën si komunikimin më të mirë mes popujve dhe mjetin që i afron më shumë se gjithçka vendet, Kumbaro tha se tashmë Shqipëria dhe Tirana i mirëpresin krejt natyrshëm ngjarje të tilla kulturore.

Projekte pas projektesh, ide që përplaseshin, vështirësi që s’parashikoheshin dhe një komunikim shumë intensiv orë e pa orë, në muaj të tërë, e bëri gjithmonë e më të prekshme atë që dy popujt tanë, dy vendet tona, dy kulturat tona,  kanë shekuj që e ndërtojnë: urën e komunikimit përmes kulturës, kësaj radhe me “Kryeveprat italiane në Tiranë”. Është ky emri më i natyrshëm që mund të pagëzonte këtë ekspozitë, si një krijim që i rri bukur Tiranës kur mendon energjinë e madhe që rrjedh te rinia shqiptare, te publiku shqiptar i cili tashmë krejt natyrshëm  pret kryeveprat në vendin e vogël por me dëshirat e mëdha. Kjo është mrekullia e Kulturës. Tirana dhe Shqipëria, janë tashmë pjesë e axhendave ndërkombëtare kulturore pikërisht se dinë  të japin e të marrin kulturalisht, sepse ëndrrën e të pakapshmes e kthejnë në realitet. Kjo është Shqipëria e gjeneratës tjetër”.

Ndërkohë ekspozita nuk do të jetë e hapur  vetëm  për dashamirësit e artit dhe publikun e gjerë. Ministria e Kulturës dhe grupi organizator Arthemisia, janë kujdesur për përgatitjen e skuadrave të edukimit kulturor, të cilat do të bëhen pjesë e kësaj ngjarje me një rëndësi të veçantë për kryeqytetin, ku për 3 muaj do të mirëpresin nxënësit e shkollave me një program të dedikuar për fëmije e të rinj.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *