FOTO/ Ministria e Kulturës dhuron 1200 libra për bibliotekat e Tiranës

Libri nuk ka vlerë, nëse ai qëndron mes rafteve i pashfletuar nga dora e njeriut. Nëse librit nuk i jepet jetë, ai nuk përmbush dot asnjë qëllim, nuk frymëzon dot asnjë ide. Që libri të jetojë, ai ka nevojë për lexues. Me këtë moto Ministria e Kulturës ka iniciuar një ndër projektet më ambicioze në mbështetje të librit dhe nxitjes së leximit, duke nisur në fillim të këtij vitit projektin për “Rijetëzimin e bibliotekave”
Në vijim të këtij projekti, i cili do të vazhdojë vitin tjetër edhe në qytete të tjera të vendit, Ministria e Kulturës, dhuroi 1200 libra të rinj për 6 biblioteka publike të qytetit të Tiranës. Në aktivitetin që u zhvillua paraditen e së mërkurës, në mjediset e bibliotekës nr. 9 të pranishëm ishin Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, si dhe përfaqësuesit e 6 bibliotekave të cilave iu dhuruan këta libra. Dhurimi i sasisë prej 200 librash për secilën bibliotekë, vjen si mbështetje për librin dhe si një ndihmë për pasurimin e bibliotekave funksionale në qytet.
Ministrja Kumbaro, theksoi punën e bërë nga Ministria e Kulturës përgjatë gjithë vitit, duke hartuar një program specifikë dhe politika për nxitjen e kulturës së leximit.

“Rijetëzimi i bibliotekave është një nismë tjetër e Ministrisë së Kulturës”, krahas programeve të tjera në mbështetje të librit, pasi ne nuk mund të merremi me librin pa u marrë fillimisht me lexuesin. Ne kemi bërë një anketim në gjithë territorin e vendit për gjendjen ku ndodhen bibliotekat publike dhe kemi gjetur një situatë të harruar si nga kushtet fizike ashtu dhe nga pasurimi i tyre. Kjo është arsyeja pse vitin e kaluar bëmë një tjetër mënyrë organizimi për bibliotekat e bashkive dhe ato të universiteteve.
Këtu ku jemi sot, kjo është dhe biblioteka e fëmijërisë time, ndaj jam shumë e lumtur që e fillojmë nga biblioteka.nr 9 bashkë me Bashkinë e Tiranës rinovimin fizik dhe pasurimin me libra”, tha Kumbaro në ceremoninë e dhurimit të librave.

Ministrja, gjithashtu solli në vëmendje suksesin e fushatës “Takohemi për një libër”, ku u përfshin mbi 8000 lexues. Por, suksesi më i madh theksoi Kumbaro ishte fakti se kjo fushatë nxiti dhe krijoi një dëshirë të madhe për socializim përmes librit, leximit e dhurimit të tij.
“Jemi befasuar nga përmasat që mori fushata “Takohemi për një libër”, ku u përfshinë mbi 8000 lexues në një muaj e pak. Fushatë, që krijoi një dëshirë të madhe për socializim. Dhe kjo duhet të jetë detyra e bibliotekave, nxitja e leximit duke qenë një detyrë e përvitshme dhe duke mos e parë këtë ceremoni sot, thjesht si dhurata për fundivitin”.

Nga ana e tij kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj falenderoi Ministrinë e Kulturës për mundësimin e librave, si dhe theksoi se ky është investimi më i mirë që bëhet për të ardhmen e shoqërisë dhe sidomos të të rinjve.

“Është e rëndësishme të kemi një plan konkret ku në çdo njësi, në çdo shkollë, në çdo kopësht, në çdo çerdhe të vazhdojë kjo fushatë leximi, kjo rënie në dashuri me librin”, tha Veliaj.

Edukimi i lexuesit dhe nxitja e leximit është zanafilla e suksesit në mirëfunsionimin e zinxhirit të librit. Për këtë arsye një nga projektet më të rëndësishëm të këtij viti për Ministrinë e Kulturës ka qenë mbështetja e bibliotekave publike. Në fillim të këtij viti Drejtoria e Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimin ndërmorri një studim paraprak të organizimit dhe funksionimit të bibliotekave të qytetit të Tiranës, për ta shtrirë më vitet në vazhdim edhe në bibliotekat e qyteteve të tjera. Nga studimi rezultoi se në qytetin e Tiranës janë në gjendje të mirë pune dhe funksionojnë rregullisht gjashtë biblioteka publike, përkatësisht biblioteka nr 11, biblioteka nr 2, biblioteka nr 5, biblioteka nr 10, biblioteka nr 7, biblioteka nr 8. Për t’u ardhur në ndihmë këtyre bibliotekave publike, Ministria e Kulturës ndërmorri një projekt për pasurimin e fondit të këtyre bibliotekave me tituj dhe sasi librash të rinj. Kështu u bë e mundur që secilës prej gjashtë bibliotekave t’i dhurohej një sasi prej 200 librash, për një total prej 1200 librash, ku bëjnë pjesë tituj nga më të kërkuarit prej lexuesit.

Komisioni i ngritur për shqyrtimin e titujve të librave mbështeti kërkesën e vetë lexuesve të paraqitur pranë bibliotekave, duke bërë kështu të mundur praninë në bibliotekat publike të titujve më të kërkuar nga autorë klasikë të huaj si nga Shekspiri, Eskili, Gëte, Heminguej, Hygoi, Balzaku, Pushkini, apo letërsi bashkëkohore si Saramango, Alice Munro, Selman Ruzhdi etj., pa lënë pas dore dhe letërsinë shqipe me autorë si: Naim Frashëri, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Bashkim Shehu, Ben Blushi etj.
Ky projekt është vetëm hapi i parë në ndihmesë të bibliotekave lokale. Projekti do të vijojë në vitin e ardhshëm me ndihmesën edhe të bibliotekave të rretheve dhe sidomos të bibliotekave në zonat periferike.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *