Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore përmes një deklarate për mediat, ka kritikuar ashpër Akademinë e Shkencave pasi kjo e fundit ka mbajtur në ambjentet e saj, promovimin e librit të Gjergj Frashërit. Ky i fundit ka botuar një libër për lagjen romake në Durrës, zbulim i rëndësishëm i cili u betonizua me firmën e Gjergj Frashërit. Ai qe një ndër ata që firmosën ndërtimin e një pallati në lagjen romake pranë Lulishtes 1 Maji në Durrës.
Më poshtë deklarata e Forumit:
Gjatë vitit 2010 e në vijim, opinioni publik shqiptar, bota shkencore ndërkombëtare, u vunë në djeni të zbulimit të një lagje të tërë antike banimi të Durrësit, ekzistenca e së cilës shtrihej përgjatë disa shekujve, nga antikititeti deri në mesjetë. Gërmimet e kryera nxorën në dritën e diellit zbulime të jashtëzakonshme rrugore, urbane, banimi, elemente infrastrukture , etj ,të një rëndësie të jashtëzakonshme.
Ashtu si kundër ekzistenca e Durrësit, si një prej qyteteve më të rëndësishme të Mesdheut e tejkalon shumëfish rëndësinë për Shqipërinë, ashtu dhe këto zbulime, ishin një thesar i çmuar për kulturën mbarë Mesdhetare.
Por, e gjitha kjo nuk shërbeu aspak për ta shpëtuar këtë thesar nga barbaria e betonit. E gjithë lagjia e zbuluar, pas një gërmimi të përciptë, sot është e zhdukur nën një shtresë shumëkatëshe betoni.
Por nuk paska qënë e thënë të marrë fund me kaq. Sot në Akademinë e Shkencave u promovua libri me zbulimet e bëra në këtë lagje antike, pikërisht nga njerëzit që firmosën për varrosjen e saj në beton. Përveç se një mungesë ndërgjegjie qytetare profesionale, ky akt është një shprehje cinizmi të pa fre. Duket e pa besueshme të shohësh sot në foltore të flasin pikërisht ata që firmosën dënimin me vdekje të kësaj pjesë të kulturës evropiane që, pasi përfituan njëherë duke e varrosur, duan të përfitojnë për herë të dytë me librin ku kanë shkruar se çfarë kanë varrosur.
Përtej degradimit moral të këtij kallëpi njerëzish, me keqardhje detyrohemi të vëmë në dukje edhe degradimin institucional të asaj çka ka mbetur nga e dikurshmja Akademi e Shkencave.
Në vijim keni një pjesë të shkëputur nga raporti i zbulimeve që u kryen në lulishten “1 Maj”, Durrës dhe që u shkatërrua.
Në datën 27 korrik 2010, një grup pune i përbërë nga 8 specialistë dhe drejtues institucionesh, mes të cilëve ish-ministri Xhaferaj, ish-drejtori i IMK-së Baçe dhe ai i ASHA-s, Olli, firmosën “Fillimin e lirimit të gropës për ndërtimin e objektit sipas projektit të depozituar pranë sekretarisë teknike të KKA-së”. Ky vendim u firmos edhe nga drejtuesi i Shoqërisë Arkeologjike që kishte marrë përsipër kryerjen e gërmimeve të shpëtimit në këtë zonë, “A.K.eR”, Gjergj Frashëri. Në një relacion të kësaj shoqërie thuhet se “rezultatet e deritanishme të gërmimit dhe dokumentimit arkeologjik vërtetojnë përfundimin e parakërkimeve të ASH-së, se sipërfaqja në fjalë ka qenë pjesë e qytetit romak, lagje në unazën pranë mureve rrethuese të qytetit, por brenda tyre. Në periudhën e hershme bizantine ka një fluks mbindërtimesh ose planimetrish të reja mbi ato të vjetrat, nga shtresat zejtare të qytetit.