Pas një hyrjeje të gjatë për raportin e normës letrare – standardit- me dialektet apo variantet e përparuara të shkrimit të shqipes, autori synon të pasqyrojë gjithë përmbajtjen e gazetës dygjuhëshe (shqip-gjermanisht) “Posta e Shqipnisë”, që doli në Shkodër gjatë viteve 1916-198, gazetë që drejtohej me një Redaksi të zgjedhur, kryesuar prej poetit Gjergj Fishta. Prof.Topalli e ka ndarë materialin në disa rubrika tematike, nisur nga shkrime për gjuhën shqipe, për gjendjen e përhapjen e arsimit fillor në Shqipëri, jeta kulturore e vendit dhe nekrologji të kohës. Interesin kryesor, me rastin e publikimit të këtij libri, lexuesi do të shohë kryesisht në gjendjen e zhvillimit të gjuhës shqipe para një shekulli: në pasurinë e saj shprehëse, të leksikut dhe kulturës intelektuale.
Po sjellim disa fragmente nxjerrë nga faqet e gazetës “Posta e Shqipnisë”: për ruajtjen e gjuhës sonë amtare brez pas brezi, për vlerat qytetëruese të shkollës e arsimit të popullit, formuluar nga Gjergj Fishta dhe gjuhëtari i ri i asaj kohe, Justin Rrota; një prozë poetike dhe himn për bukurinë e gjuhës sonë, si dhe një kritikë therëse për ata që po e humbnin gjuhën amtare, duke mos e dashur e duke mos e përdorur sipas natyrës së saj….
Pernjimênd se âsht nji pûnë për të çuditë, qi nji grusht njerz në gji t’Europës
– qi jemi na Shqyptarët, – tue kênë ndoshta kombi mâ i vjetri i të gjith Europës e rrethue për gjith ânash prej kombeve tjera, kan mujtë me ruejt deri sod gjûhen e vet m’vedi e krejt të dàme prej gjûhve tjera europiane. E pra kush nuk u përshkue nepër nè ! Mjaft me thânë Romakët e Turqt, dy pushtete të përfrigueshme:* e me gjith kta shqypja gjallë se gjallë, e , shka âsht mâ tepër, për ditë tuj u zhdrivillue mâ fort.
Asht lypë forca e konservatizmi i nji kombit shqyptar, për me e ruejt gjûhen e vet të gjallë e të kerthnestë* ndërmjet zhumhurit* të gjûhvet të Slavet, të Grekvet e nên imperializm të kulturës latine; pse dihet qi ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk flasin mâ gjûhen origjinale të veten, por gjûhë të hueja – por tue vû në oroë korrispondencen e përditshme, qi na vjen prej Shqypnijet, shkrimet qi çohen me u botue në shtypshkrojë t’onë, mundena me thânë, se shka nuk mrrîjten me bâ më gjûhë shqype Grekët, Romakët, Gott, Slavt etr. etr. jânë tue e bâ sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë* gjûhen shqype ! (Gj.Fishta)
“Gjûha shqype asht gjûhë e gjallë e i pergjet nji lumit të gjallë, si të gjitha gjûhët e tjera të gjalla qi fliten. Ajo nuk asht nji petrefakt (fosil) i gjetun s’di sa qinda metrash nên dhé. Gjithkush qi e dishron prej zêmret perparimin e ksaj gjûhë, do të krijojë e do të shkruej. Anmiku ma i mâ i madh i ksaj gjûhë, âsht aj, qi me rregulla të thata të gramatikës ç’m’ fillim ja zên frymen në fyt e ja merr të gjithë forcën. Shkrimtarët e krijojnë gjûhën, e jo njerzit e gramatikës. Duhet me mbledhë visarin komtar, e mandej mbi temel të kij visarit komtar me shkrue e me pûnue per komb të vet.”
(G.Weigand)
Jo, jo, nuk âsht politika,
qi do t’a bâjnë të lume Shqypniën,
as janë kabinetet e Vjenës e t’Berlinit,
por vetem shkolla
n’t’gjitha ânët e Shqypniës.
(Fishta)
Asht koha, me ja vù mendën se çashtja e shkollavet npër malci, âsht nji çashtje ner mâ themeloret e me randsi për përparim të kombit. Askund mâ marë e mâ me dobi s’kishte m’u shpenzue kujdesi, mundi e të hollat e Shqypnis, sa ktû. Malet janë nji tokë, kù fara e msimit së shkon aspak dam; per kundra ka grat e bjen nji fryt të çuditshem; e me shkolla, posë se kishte m’u bâ nji vepër e pashoqe mishrirët e bâmirsijet me keta të mjerë, kombi edhe ç’prej themelit kishte m’u pertrî. Kështu i malcori* në pak kohë me nimë të fuqivet shpirtnore të veta, të zhdrivillueme prej shkollet, kishte m’u ba e mara vendit e e shoqnis e kishte me e përmirsue pa dyshim gjallnimin e vishtirë të vetin; Shqypnija kishte me pasë atdhetarë mâ të vjefshem, ushtarë mâ të shtruem e sundimtarë vendit ma të pa ngatrresa; Feja kishte me njehë besimtarë mâ të drejtë. E të vrejmë mirë se këta s’janë utopije – fjalë të thata; – jânë punë e fryte qi secili nesh ka me mujtë me i pa vetë me sŷ, po kje qi ju vû shêj e u muer në dorë çashtja e shkollavet. Njat shndrrim të mrekullueshëm qi ka bâ shkolla njeti; pse s’ka per t’a bâ nër male t’ona?
(Justin Rrota)Fol shqip !
Perendia t’kaa falë t’bindueshmen gjûhen shqype: gjûhë e kumbueshme e e pasne, kshtû qi me tê mund t’shqyptojsh gjithshka t’thotë mendja e t’ndien zêmra. Fyen, praa, kundra arrsyejet e natyret, kurdo nuk flet shqyp kû duhet e kû t’qet rasa me folë. Fol shqyp n’shpië e jashtë, pse veç neper gjûhë t’ande bota kaa me dijtë se ti jee Shqyptaar. Me thânë se jee Shqyptaar e mos me folë shqyp, do me thânë se rrêen. Zogu njihet prejë puplash e njeri prejë gjûhet.
Mundou me folë shqyp saa mâa hieshem qi të mundesh, porsi me kndue ndoj liber mâa t’mirin t’gjûhes s’ate. Pernjimend se âsht nji marre kuur thue se jee Shqyptaar, e shqypen nuk e flet mirë. Saa t’mundesh orvatu mos me perzië n’gjûhë shqype fjalë t’huja-fjalë italishte, francezishte, turqishte- paa nevojë, pse me kta ti dishmohesh se jee robi i huej e se nuk e din gjûhen t’ande.
Zên e çmo edhè gjûhë tjera, por kurr mos fol n’ato gjûhë, veç se kur t’biin nevojë e madhe. Nder gjûhë t’huja zèn sidomos gjermanishten, pse lufta e sotshme t’a kaa diftue mâa s’mirit nevojen e sajë.- N’vend t’and fol vetem shqyp, e t’a keesh per nâam me folë n’gjûhë amtare. T’huejt e nderojën gjûhën t’ande edhè e zânë me cenë, si duket prejë mësimesh qi po epen permii gjûhë shqype nder gjytete t’Atdheut t’and t’dashtun. Atà gzohen kuur mund t’a shndrrojën ndoj fjalë shqyp me tyy.
Ta keesh n’kujdes edhè qi t’gjith shpia e vllaznia e jote t’flasë vetem shqyp, shqyp t’mendojë, t’ndîej e t’punojë, pse kalaja mâa e forta e Shqypniës âsht familja shqiptare. Nji familje e vetme shqiptare, por qi i njef detyrët ndaj komin, ajo vetem, po, viën per Shqypnië, saa nji regjiment në ballë t’luftës.
(Posta e Shqypniës, Nr. 38, e Merrkuerre, 18. Prill 1917, f. 1.)
Mikrobt e gjûhes shqype
Pernjimênd se âsht nji pûnë për të çuditë, qi nji grusht njerz në gji t’Europës – qi jemi na Shqyptarët, – tue kênë ndoshta kombi mâ i vjetri i të gjith Europës e rrethue për gjith ânash prej kombeve tjera, kan mujtë me ruejt deri sod gjûhen e vet m’vedi e krejt të dàme prej gjûhve tjera europiane. E pra kush nuk u përshkue nepër nè ! Mjaft me thânë Romakët e Turqt, dy pushtete të përfrigueshme: e me gjith kta shqypja gjallë se gjallë, e , shka âsht mâ tepër, për ditë tuj u zhdrivillue mâ fort.
Asht lypë forca e konservatizmi i nji kombit shqyptar, për me e ruejt gjûhen e vet të gjallë e të kerthnestë ndërmjet zhumhurit të gjûhvet të Slavet, të Grekvet e nên imperializm të kulturës latine; pse dihet qi ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk flasin mâ gjûhen origjinale të veten, por gjûhë të hueja – por tue vû në oroë korrispondencen e përditshme, qi na vjen prej Shqypnijet, shkrimet qi çohen me u botue në shtypshkrojë t’onë, mundena me thânë, se shka nuk mrrîjten me bâ më gjûhë shqype Grekët, Romakët, Gott, Slavt etr. etr. jânë tue e bâ sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë gjûhen shqype !
Nên shkajk qi gjûha shqype së ka literatyrë të veten, kanë nisë e shkruejn shqyp secili mbas atij qirificit të mendes së vet, pa vû n’oroë aspak a natyrën e gjûhës a shijen estetike e arrsyjtimin e ligjiratës njerëzore. Kan mendue ndoj fletore të hershme a se – neper të – edhe ndoj liber shqyp, botue prej ndoj Geget a Tosket si nepër kllapi a me pasë kênë tue qitë laknuer me nên: e qe se ato 10-15 kokrra fjalë ekzotike, qi u kan metë nder trû të shtypuna, kan për t’i mbjellë aty-ktû nepër shkrime të veta, si me lshue guraleca në brûm të bukës kollomoqe – në short me të thye dhâmët e tmalltë e shndoshta.
Tjerët – kahë nuk i ka lânë shpija mrêndë – kan kërkue dhen si parja e kuqe, e kuer kan shtektue nepër Shqypni, të ngushtuem me u mârrë vesht a Gega me Toskë, a Toska me Gegë, kan shkue tue shartue njanin djalekt më tjetrit pa kurrfarë mjeshtrijet, porsi me shartue shegat me fiq, e të kan perbâ nji gjûhë krejt më vedi, qi s’di a âsht kal, a mushk, a gomar, e qi mâ fort se gjûhë shqype, kishte me u dashtë me e quejt gjûhë sallahane. E ka asish, masandej – e jânë sidomos do nëpûnsat në Shqypni e zansat t’onë jashta Shqypnijet – të cillt, mâ fort se me studjue natyrën e gjûhës a librat shqyp, kan për t’u mundue me folë e me e shkrue shqypen mbas mndyret qi t’a flasë drejtori i zyres, per në kjoftë nëpûnës, e për në kjoftë zânës, ka për t’mârrë të gjitha veset e shqyptimit e gabimet gramatikore të atij qi t’a kèt porositë me e mârrë në shkollë p ë r j a s h t a: e atëherë na mlon aj breshen fjalësh shum të bukura e qi i shmanjen* formave djalektale, per me trajtue kshtû gjuhen letrare shqype, si bje fjala njikto rreshta, qi po i xjerrim prej nji lajmit botue tash së vonit: Gjithë pjestartarve i ngufoi zêmra në gëzim tue i ndigjue këto fjalë me randësi tue u qeshun fëtyra, u shpërdânë kadal.
Të gjith dija e gjûhës shqype ka metë, për në kjoftë Gegë shkruesi, me shkrue shum ë ndër fjalë, e për në kjoftë Toskë, tue vû shêje hundakesh pûnë e pa pûnë; e kshtû vjen e bâhet letra me pikla e thue se kè shprazë më tê nji kubure kaçalluke* mûshë me shasme. E shka të bindë e të neveritë mâ fort âsht kta, qi të gjith po duen me na u majtë filologj. Hin e fol me ta, paj, qe besa e besës, t’a bâjnë kryet për voë, kahë vêhen kinsè me të spjegue se kjo fjalë vjen prej sanskritit, se kjo tjetra âsht hindo-germane, se ajo e treta rrjedhë drejt per drejt prej persishtes: se Mayer i ka thânë kshtû, se Pederseni ka shkrue ashtû, e kshtû Jockel, e kshtû Jagič, e kshtû etr. etr. të tana fjalë si me u pasë ra lnjyra* e me kênë tue folë kllapi. Për ta të gjith lietratyra s’âsht tjetër, veç se nji etimologì fjalësh e kurrgjë mâ tepër. Kahë pritojnë me u vû e me zânë më libra shqyp, kta s’e zânë se ka shkrue kush shqyp kurr, e pse gjâ të veten së kan të shkrueme, kshtû gjithmonë kan për t’u mbajtë për fjalë të shkrimtarve të huej, si mbahet kungulli haës për gardh.
E kshtû, kahë rrìn kta garguj tue britë përmbi filologì e literatyrë, gjûha shqype ka ardhë e âsht përzì si flokët e harapit, sa me mrrîjtë nieri e me i thânë vedit: jarebì ! a dì un shqyp, a po a jo? Për në ngjatët pûna kso doret, së ka me shkue shum e na kemi me kênë të ngushtuem me folë e me shkrue në ndonji gjûhë të huejen; pse gjûha shqype ka me dekë pa dyshim, mbassi i kan hî sod mibrobt – qi jânë shkrimtarët e pa dije e të pa zêje.
Thonë se gjûha shqype së ka lietaratyrë e gjûhë letrare të veten. Asht rrêne ! Gjûha shqype ka literatyrë; veç se së ka letrarë sa kishte me u dashtë. Padija në literatyrë e nji shumicës së madhe të Shqyptarvet të sodshem ka bâ qi përparimi i literatyrës së gjûhës shqype sod ka kthye, pak me thânë, 50 vjet mbrapa. Prej zekthit të mârrë qi me u dukë letrarë pa kênë, sod âsht pshtjellue gjûha shqype në mndyrë, sa mos me mûjtë me kndue dy rreshta shqyp, për pa t’u çue vneri. Urojmë qi Shqyptarët e mêçem e sidomos Komisjoni Letrarë kan me u mundue me i shtypë me shkrime të veta kta mikrob parasita të gjûhës shqype.
(Posta e Shqipnis, Nr. 30, e Shtunde, 23. Marc 1918, f. 4)
* të përfrigueshme, mb. me kuptimin intensiv nga ndajshtesa “për” – që të ngjall frikë të madhe; vjen nga mbiemri “i frigueshëm” (i frikshëm) – që nuk përdoret më më arealin gjuhësor të Veriut. Nuk e përmbajnë fjalorët e shqipes.
* i kërthnestë, mb. – sipas kuptimit të foljes “kërthnezem” – rihem (rinohem), përtërihem: bimët kërthndezën në pranverë; harlisem, tërhuzem; këtu: edhe me kuptimin që lulëzon e zhvillohet. Fajori i vitit 1954 ka edhe foljen “kërndezem” – nxehem zemërohem shumë.
* zhumhurë-i, zhurmë e mbytur, poterë e madhe.
* tue e hupë – duke e humbur.
* i malcori – mënyrë së thëni popullore: banori i malësisë, i shkodrani – banor i Shkodrës.
* shmanjen – shmangen
* kaçalluke- si kërmilli (kaçallok-u, quhet kërmilli në vendlindjen e Fishtës).
* lnjyrë-a, lëngjyrë-a – sëmundja e tifos.