Zoti Lu, këta janë duar të ndyta, që padrejtësisht, na e kanë bërë pis fytyrën edhe ne shqiptarëve
Tek dëgjoja këto ditët e fundit për varravingot për Reformën në Drejtësi, më erdhën në mend disa histori të rastësishme, që rrëfejnë shumë më shumë se artikuj të tërë shpjegues.
Diku nga mesi i viteve 2000, tek luante mes fëmijësh në rërën e plazhit të Durrësit pranë Adriatik 2, im bir, atëbotë një fëmijë katër-pesëvjeçar, mori një të shtyrë të fortë nga një bashkëmoshatare e tij dhe u rrëzua keq; pas kësaj erdhi duke qarë në tryezën ku isha ulur. Ajo vajza, një bullafiqkë e vogël, i kishte ‘urdhëruar’ ta luanin lojën me rregullat e saj dhe se ai vendi aty ishte ‘i babit të saj’. Ai shenjoi me gisht nga ajo vajza pronare dhe vërejta se ishte e bija e një politikani shumë të lartë në atë kohë; ca më tutje ishte edhe e ëma dhe e vjehrra (e politikanit tonë), që tani është shpallur ‘pasunarja’ nga kanë rrjedhur milionat e milionave. Tani, nuk është çudi, e bija të ketë aksioneve kushedi ku. Mbase i gjen kjo Reforma në Drejtësi.
Një prej behareve të fundit, një mikeshës sime që jeton në Holandë, tashmë një vajzë shumë e nderuar atje, i erdhi një ftesë t’i kalonte nja dy ditë me një mikeshën e saj të vjetër, të cilën kishte vite pa e takuar. ‘Holandezja’ është një nëpunëse e lartë, por ka një jetë të thjeshtë si e shumicës së holandezëve; edhe mikesha e saj shqiptare është një nëpunëse e thjeshtë, dhe burri i saj nëpunës i thjeshtë, por edhe ‘pak’ Ministër për disa vite. Mikesha shqiptare i bëri mikeshës holandeze një tur të gjatë nëpër vilat e bukura, apartamentet, sirtarët me butona ku rrinin shajet e saj, dhe kremastarët lëvizës të kollareve të të shoqit, letekomandat e famshme të dyerve e paneleve diellorë, të luleve të famshme të oborreve të sjella enkas nga ajo Holanda e saj, e të tjera e të tjera, që e kishin mahnitur mikeshën e saj holandeze. Si i ka bërë ministri të gjitha këto? Mbase i gjen kjo Reforma në Drejtësi.
Një tjetër mikja ime, një nëpunëse e përkushtuar e administrates, tashmë e pushuar nga puna prej ceneve ‘në biografinë politike’, shkoi një ditë të uronte një miken e saj për shtëpinë e re. Mikesha e saj është një e papunë, që ditën e kalon me betejën e saj për të qenë në formë nëpër gym e sauna, me shoping e zbulime recetash të reja. Burri i saj është kryeredaktor i një gazete të rëndomtë, por i zoti si bythec i shefave të politikës. Shtëpia e re të linte pa mend, por më pa mend mikeshën time e la dialogu me të bijën. Kur e pyeti për punën dhe pagën që merrte atje, sigurisht një punë të mirë në shtet falë babait, e paduruar, ëma fjalamane i tha: “Me rrogën e saj ajo s’ble dot as edhe një krem fytyre”. Mikesha ime ishte pataksur, por edhe e fyer në asht dhe ishte betuar të mos shkelte më aty. Me një pagë të tillë si të vajzukes, ajo kishte mbajtur familjen e saj me vite. Tani nuk ka çfarë e mban më, por numëron qindarkat e asistencës. Ku i gjeti paratë ky zotëri? Mbase i gjen kjo Reforma në Drejtësi.
Këto historira, që pavarësisht shpërfilljes time totale ndaj kësaj kaste hajdutësh, kanë ardhur deri tek unë rastësisht dhe janë vetëm dromca të të gjithës. Pas kësaj, e vërteta e plotë është një panoramë trishtuese, e këtij “ATDHEU PRIVAT”, që u vodh dhe u grabit i gjithi. Kjo është arsyeja pse këtyre tanëve u leh qeni shtrirë, ndaj Reforma në Drejtësi u duket një shaka e madhe dhe e shtyjnë dit’m’dit’ pa u trazuar fare. E ja kaloi Reforma, çfarë do t’u bësh këtyre? Këta janë tufë e madhe, tani të gjithë bashkë janë sistem hajdutësh: politikë-drejtësi. Pas 25 vitesh shqiptarët nuk besojnë më se do të gjendet një fajtor për fatin e tyre të mbrapshtë, makutëria e tyre i bëri shqiptarët nostalgjikë të komunizmit; ky është mbase edhe krimi më i madh i tyre. Çfarë do t’i bëjë reforma në drejtësi këtyre shembullorëve në planet: njëri ka 2800 kate pallatesh, tjetri disa brima në minierën e Bulqizës, tjetri i shiti pyjet e arrës dhe i qethi malet përjetë, tjetri i bleu për vete puset e naftës, tjetri vodhi edhe tavolinën e zyrës në ministrinë e tij dhe e çoi te vila e vet, tjetri zë kodrën, tjetri zë malin, tjetri betonon bregun. Këta e blejnë reformën dhe zhurmën që bëjnë, e bëjnë veç për sy e faqe. Asgjë nuk do të ndodhë, sa kohë betejat e deritanishme me hajdutë të këtij lloji, kanë përfunduar në dëmshpërblimin e tyre për “dinjitetin e prekur” nga përfolja që u kemi bërë si hajdutë. Veç në e paçi vërtet seriozish ju, zoti Lu, se sa për këta, ne e dimë këngën e vjetër. Tani iu rikthyen historive të vjetra se ‘Imperializmi amerikan’ po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. Harruan se deri tani, qoftë në pushtet (duke denigruar e shpifur për opozitën tek të huajt), e qoftë si opozitarë (duke spiunuar dhe telendisur pushtetin tek të huajt), s’kanë bërë gjë tjetër, veç i kanë lënë të kuptojnë të huajve se janë një zogori qensh. Sepse të vjedhin kombin e vet, ata e dinë shumë mire: Është vërtet punë e brendshme e shqiptarëve. Dhe tipike shqiptare madje. Të paktën në një gjë jemi të parën, në damkën e vendit më të korruptuar në Europe, dhe jo vetëm.