Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani
Nga Flutura Açka
Nuk ka ndodhur ndonjëherë, të paktën qyshkur kujtoj unë në këta 25 vite me librin, që ndonjë institucion shtetëror të jetë kujtuar për ndonjë mirënjohje të thjeshtë për botuesit shqiptarë. Veç atyre botuesve të atashuar me politikën, qoftë të majtë a të djathtë sipas rradhës së pushtetit, të cilët nuk u është dashur kurrë ndonjë vemendje e tillë, të tjerët e dinë mirë se ç’do të thotë të jesh botues në Shqipëri. Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani që i ftoi mbrëmë botuesit shqiptarë andej e këtej kufirit, për t’i shprehur publikisht mirënjohjen e shtetit ndaj tyre, besoj e ka vënë re se e mbrëmshmja ka qenë ndryshe nga ceremonitë e tjera; kostumet e rëndomta të botuesve, kollaret e pastiluara dhe të lira, këpucët dhe këmishët e thjeshta, tregojnë se stolia më e madhe e tyre është dashuria për librin shqip, se mbrëmja e tyre nuk e ka butaforinë e nëpunësave të superpaguar, as shkëlqimin e butonëve të larë me ar të vjedhur nga thesari i shtetit, por thjeshtësinë e njerëzve që e dinë se edhe pse krusma e pushtetit i derdh përditë shpërfillje, ata vazhdojnë në atë lojën e tyre me të pamundurën. Në 25 vite, botuesit shqiptarë, ata-të vetmuarit e mëdhenj, kanë bërë revolucionin më të madh të mendjes shqiptare, ata ia kanë ofruar Europën shqiptarëve shumë më shpejt se ndenjëset VIP të avionëve te politikës, ata i kanë bashkuar shqiptarët anembanë përmes gjuhës së shtypur në libra, shumë më shpejt se varravingo qeveritarësh pseudopatriotë, ata i kanë shpallur botës të vetmin produkt origjinal: gjuhën shqipe. Panairi shqiptar i librit në Tiranë dhe Prishtinë, janë shembujt e këtij heroizmi spartan dhe të admirueshëm.
U shqyen e u lodhën si të bëjnë ligje që të ndihmojnë bizneset private të edukimit, me vulë e me firma shtetërore nga fondet publike, por askush nuk mendon se si mund të ndihmohen botuesit, përveçse me ca thërrime, edhe ato të ndara nën tryezë para kohe.
Sikur njëri politikan të kishte bërë një përqarkje nëpër libraritë shqiptare në Tiranë e rrethe, do ta shihte se në ç’kushte mbijetojnë botuesit shqiptarë. Por ky është një diskutim i gjatë dhe sot do të flasim vetëm për festën, për festën e vogël por bujare që z. Bujar Nishani u ofroi atyre. Si rrallëkush këtu. Faleminderit, z. President!