Më 12 nëntor 2016, në Galerinë Kombëtare e Arteve, do të zhvillohet ceremonia e inagurimit të ekspozitës “Flas Shqip” me personalitete të Diasporës shqiptare ndër vite, të realizuar nga artisti Roland Tasho.
Kjo ekspozitë organizohet në kuadër të Samitit të Diasporës dhe do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeun Historik dhe Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri.
Samiti i Diasporës është një aktivitet madhor që organizohet për herë të parë nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama në datat 18-20 nëntor 2016 në Tiranë. Samiti do të mbledhë individë të shquar nga fusha të ndryshme, drejtues apo përfaqësues të organizatave të ndryshme në diasporë si edhe anëtarë të saj nga të gjitha vendet e botës.
Samiti do të jetë kuvendi i parë gjithëshqiptar për të analizuar, së bashku me autoritetet si dhe aktorë të tjerë të vendit, të gjitha mundësitë për vendosjen e një bashkëpunimi të njëmendtë mes atdheut dhe diasporës shqiptare në botë. Samiti do të jetë një aktivitet jopolitik bazuar në parimin gjithëpërfshirës, me dëshirën për të vendosur një urë komunikimi gjithnjë të dëshiruar por të munguar dhe për të krijuar një mekanizëm komunikimi, bashkëpunimi dhe ndërveprimi të qëndrueshëm mes atdheut dhe bashkëkombësve jashtë vendit.