FJALA QË KE MARRË NË PUNË

Ardian Vehbiu 

Më ndodh, jo rrallë, që të më pyesin për origjinën e një fjale shqipe; e dinë që merrem me gjuhën, dhe më pyesin: nga të vijë kjo fjalë, xhanëm? Ka që pyesin sepse u duhet vërtet ta dinë ose të shtyrë nga kurioziteti intelektual gjenuin, ka që pyesin edhe për t’u dukur, ka edhe nga ata, të cilëve pyetja u lind vetvetiu, në kontekst. E ndiejnë të nevojshme t’ia njohin prejardhjen një fjale, për ta pranuar plotësisht. E megjithatë, kam kaluar shumë vjet në vende të tjera, si në Itali dhe aq më gjatë në SHBA, por nuk kam ndeshur në situata bisede ku të ngrihen pyetje të tilla, meqë folësit, si rregull, nuk e marrin në pyetje gjuhën e tyre amtare. Edhe atyre që e kanë të qartë se gjuha, dhe leksiku i saj, e kanë një histori, dhe se një fjalë mund të ketë hyrë në gjuhën “tënde” nga një gjuhë tjetër, sërish kjo nuk u duket me interes. Dhe jo vetëm ngaqë të njohësh gjëra të tilla nuk është se të sjell ndonjë avantazh në jetë, por edhe sepse, qoftë edhe instinktivisht, e kuptojnë se të dhënat për të kaluarën e një fjale ose të një gjuhe nuk kanë relevancë praktike. Është njëlloj si të të vijë dikush në shtëpi dhe të të pyesë se nga e ka prejardhjen ky frigorifer. Ti këtë mbase e di, mbase nuk e di. Si pajisje elektro-shtëpiake, prej frigoriferit pritet që të punojë mirë dhe të ofrojë një farë garancie se nuk do të të lërë në baltë në mes të vapës, por këto virtyte i sugjeron zakonisht marka dhe paratë që ke paguar. Krejt argumenti është i mërzitshëm. Prandaj edhe më shkon ndonjëherë mendja se mos ky interes yni, madje në kufijtë e obsesionit, me të shkuarën e diçkaje është më shumë artificial, i induktuar, i mbjellë nga lart, tregues i një qasjeje në mos magjike, të paktën të ideologjizuar ndaj botës. Unë madje nuk do ta ndaja nga zakoni – që ende e kanë shumë prej nesh – për të pyetur se nga është dikush, nga vjeni kujt është: një mënyrë informale, orale, për t’i kërkuar tjetrit dokumentet. Gjithë duke pranuar se kush pyet, edhe merr në pyetje. Edhe kur pyesim për një fjalë, jo rrallë e bëjmë, pra, se duam t’ia njohim biografinë, të bindur se biografia do të na ndihmojë të japim një gjykim vlere, ose të përcaktojmë nëse fjala “na hyn në punë” apo “nuk na hyn”, i ka kartat në rregull apo nuk i ka, madje ndonjëherë edhe për të përcaktuar nëse fjala është apo jo “e bukur”. Doemos, jo për çdo fjalë është nevoja të pyesësh se nga vjen, meqë ka fjalë që kanë strukturë të tejdukshme (gjuhëtarët i quajnë “të motivuara”); për shembull, flamurtar duket qartë që vlen nga flamur; dhe bashkudhëtar nga bashkë udhëtar, në analizë të fundit nga udhë + bashkë etj.; madje fjalët e tejdukshme gjejnë përkrahje menjëherë në popull, ngaqë nuk fshehin asgjë, nuk maskojnë, nuk bartin kontrabandë. Përkundrazi, një fjalë si sekser do të ngrejë vetulla, sa më shumë që të përhapet në përdorim. Ç’të jetë kjo sekser? Nga vjen? Pse e kanë dërguar? Si ndodh që po e përdorim kështu, pa ia sqaruar origjinën? Ndonjëherë origjina e fjalës dhe e konceptit shkrihen së bashku, në kuptimin që puna që bën sekseri, funksioni i këtij ekonomik, nuk ndahen dot nga origjina e emrit përkatës. Më pyeti një shoqe në Tiranë, mu për këtë fjalë, por ngaqë nuk e kisha fjalorin etimologjik, fillova të kërkoj poshtë e lart në Google, pa rezultat, aq sa u bëra nervoz. Thashë: duke qenë sekseri profesioni i ditës në Shqipëri, mua “si shqiptar” nuk më falet që të mos ia di fjalës origjinën. Pastaj e gjeta fjalorin dhe e verifikova – Kolec Topalli, në gjurmët e Tahir Dizdarit, më tregoi se sekser vika nga turqishtja simsar. Po si paska ndodhur kalimi nga kjo simsar te sekser? Dhe sidomos, si do të arrij unë, i pyeturi, të bind tjetrin, që sekser vjen nga simsar? Ja një fjalë e kamufluar mirë, që ia vlen ta ndalësh në rrugë, ta marrësh në pyetje dhe, në qoftë se ajo nuk e identifikon dot veten, ta arrestosh dhe t’ia heqësh lirinë. Apo jo? Paçka se pyetja për prejardhjen e një fjale jo gjithnjë motivohet nga dëshira për verifikim. Përkundrazi, jo rrallë është tërheqja gati erotike ndaj fjalës, që na intrigon edhe për të shkuarën e saj. E kujt ka qenë kjo fjalë? Këtu ka gjithnjë një element të paranojës, të kombinuar me frikën se fjala “e huaj” mund ta prishë gjuhën, ta infektojë, dhe prandaj duhet mbajtur larg. Edhe më naivi në punë të gjuhës, e kupton se një fjalë mund ta luftosh sidomos duke mos e përdorur më. Ca të tjerë, që nuk janë aq naivë, besojnë se mund të ndryshojnë psikologjinë e njerëzve, duke ua ndaluar që t’i përdorin fjalë të caktuara. Në ligjërimin shqip kjo kulturë e ndalimit-të-përdorimit pat hyrë që herët, me vetëdijen se shqipja e pastruar nga fjalët e huaja prej Rilindjes duhet mbajtur tani e pastër. Sa herë ndodh të dëgjosh që po qortohet dikush se përdor shumë “fjalë të huaja”? T’i mësysh ligjërimit të tjetrit publikisht me laps të kuq është gjithnjë shenjë bullizmi, aq më tepër kur ai që qorton është i bindur se ka “të drejtë” dhe e sinjalizon virtytin e vet nëpërmjet kritikës publike. Te një shqetësim i tillë mund të shohësh edhe gatishmërinë për angazhim publik, të ngjashëm me atë të dikujt që të bërtet, në rrugë, ngaqë e ke hedhur lëkurën e bananes përtokë. Mirëmbajtja e pasurisë së përbashkët. Shqipen na e kanë lënë të pastër dhe ashtu duhet t’ua lëmë edhe ne brezave. Porosi nga Rilindja. Na jepni një shami të fshijmë lotët, jemi njerëz që prekemi lehtë. Edhe etimologjikisht, policia lidhet me latinishten mesjetare, politia, me kuptimin “qytetari, qeverisje”; dhe kështu një qytetar i mirë nuk mund veçse të jetë edhe polic i punëve të “polisit”, përfshi edhe ligjërimin. Që këtej, marrja në pyetje e fjalëve për origjinën i shërben drejtpërdrejt rendit publik. Apo jo? Përmenda më lart bullizmin, por aty ku ka bullizëm, ka edhe pasiguri; dhe në rastin e fjalëve, kjo pasiguri lidhet me atë që fjalët nuk e lajmërojnë prejardhjen dhe origjinën e tyre haptazi. Nga ta dijë i shkreti qytetar, që një fjalë si rast “vjen” nga turqishtja, ndryshe nga një fjalë si çast, që është fjalë sllave, dhe tast që është fjalë me gjasë nga italishtja, por ngjashëm me bast, që është edhe ajo turqizëm? Fjalët me prejardhje të dyshimtë, me biografi të keqe, gjysmë të deklasuara, maskohen e mimetizohen, për të turbulluar ujërat, njëlloj si maskohej kulaku i dikurshëm pas frazeologjisë partiake dhe dollive për shokun Enver. Dhe kjo sjell pasigurinë. Po sikur të më qëllojë, mua që e dua kaq shumë gjuhën shqipe, të përdor një fjalë që nuk duhet ta kisha përdorur? A ma korrupton kjo fjalë profilin kulturor dhe moral? Aq më tepër kur fjala lidhet me një figurë profesionale e cila, në rastin më të mirë, ka nevojë ta përligjë herë pas here integritetin e vet moral, si ajo e sekserit? Këtu mund të ngrihet pastaj ndonjëri nga ata që dinë diçka më tepër dhe të thotë: pse të themi sekser dhe jo fjalën e bukur shqipe ndërmjetës? Dhe pastaj një i tretë mund të mendojë: cili është “sekseri” i fjalëve të tilla si sekser në shqipen e sotme?

(ndoshta vijon)

(c) 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. ( Me te drejta botimi nga autori)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *