“FINIS ALBANIAE” / “FUNDI I SHQIPËRISË”
Artikull i panjohur i albanologut Nikolla Jorga për pasojat e “kryengritjes” së Haxhi Qamilit:
Wilhelm Wied-i dhe zonja e tij dhanë urdhër të ulej flamuri i Skënderbeut nga pallati në riparim i Durrësit dhe, përmes fetarëve të tërbuar nga të cilët i mbronte një trupë e vogël rumunësh të guximshëm të mbretëreshës sonë, u drejtuan të mundur për në avulloren italiane që do t’i shpinte në qetësinë romantike të Venecies, dikur mbretëreshë e atyre ujërave.
Vetëm gjysmë viti ka kaluar nga hyrja solemne e çiftit mbretëror, mes shpalosje flamujsh, breshëri topash dhe brohoritjesh, ndërsa në qiellin e kaltër të shpresave fluturonin pëllumba të bardhë mirëseardhjeje.
Tani gjithçka mori fund.
“Kryengritësit” e Shijakut, një zhgan barbarësh që pandehin se sheqeri është dëborë, do të jenë zotër në kryeqytetin njëvjeçar të Shqipërisë. Do të hyjnë me flamurin e Islamit dhe do të rrahin gjoksin me grushte nëpër xhamitë deri më tani të shpërfillura. Froni shqiptar do t’i shërbejë myftiut të Tiranës që të ziejë pilafin. Do të thërrasin ndoshta Esadin, i cili prej së largu e mundi rivalin e tij të kurorëzuar dhe do t’u dërgojnë mesazhe solidariteti musulman zotërinjve Enver dhe Talaat në Stamboll.
A do të thotë kjo që do të ketë mbaskëtaj një Shqipëri të re, më të fortë, më të sigurtë, në trajtën musulmane?
Oh jo! Vetëm një Shqipëri ishte e mundshme, një Shqipëri ndërfetare, me princin përfaqësues të tolerancës, Shqipëria e Skënderbeut që e braktisi Islamin dhe luftoi nën flamujt e krishterë. Wilhelm Wied-i e deshi dhe nuk ia doli mbanë.
Shqipëria tjetër del nga pushtimi osman, ka jetuar si provincë osmane dhe është ngritur nën flamurin neoosman. A mundet ky flamur t’u bëjë hije dy atdherave, kur edhe në Stamboll atë e mban gjenerali Lehmann de Sanders dhe një gjyle anglo-franceze ose ruse mund ta rrëzojë poshtë? Dhe a është në gjendje “gjenia” ngadhënjimtare e Enverit të gjejë një rrugë nga Stambolli në Durrës? Si dhe a është e gatshme Italia, armike e austrofilit Wilhelm Wied, të pranojë këtë parodi turke në kundërshtim me idealet e veta? Besojmë që jo.
“Patriotët” shqiptarë që kanë dalë fitimtarë në Vlorë dhe Durrës, duke dëbuar edhe Princin edhe Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, nuk e kuptojnë që, mbi rrënojat e një pavarësie shqiptare që ka kaluar në fushën e kujtimeve, i kanë hapur rrugën sunduesit që do të dalë nga lufta e përgjithshme.
N. Jorga, në “Neamul romanesc”, nr. 34, 31 gusht 1914 © shqip Aurel Plasari