…feta buke fluturuese

Nga Edvin Kukunja

bukë me sallam dhe novalginë

në ditë më të mira

ndryshe me ujë e sheqer

dhe mbaj barkun me dorë

dhe ti

ti ëndërroje feta buke fluturuese

me kështjella mbi to

dhe filxhanë-kakao-pishinë

ku të notoje mëngjeseve të së djelës

ndërkohë

ndërkohë oborret kredhur

në aromës e kafesë pjekur zjarrit

dhe bluajtur prej duar çupëlinash

kundronin me kërshëri

lirinë tënde prej mashkulli

dhe ti

ti frikë kishe Ishen

flokët fshehur nën shami të bardhë

që lexonte fatet në të mistershmin

llum kafeje mbetur në fund të filxhanit

ndërkohë

ndërkohë feta-buke-avjonë me ujë e sheqer

fluturonin mbi qytetin me shtëpiza-qerpiç

dhe këmbë të zbathura rendnin pas ëndrrës

ëndrrës që të kap prej jakës tani

dhe të qorton me sy vocërraku këmbëzbathur


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *