Të enjten pasdite Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro organizoi një pritje për pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët në “Equus”, e cila sapo mbylli me ovacione e duartrokitjen e çdo nate shfaqjet e para të komunikimit me publikun.
Në ambientet e Ministrisë së Kulturës aktorët, produksioni dhe administrata e Teatrit Kombëtar zhvilluan një takim miqësor me Ministren Kumbaro, ku fjalë e takimit ishte teatri. Kumbaro u shpreh se “Teatri është një art kolektiv, si i tillë kërkon solidaritet, pasion dhe dashuri.
Ne, burokratët dhe vendimmarrësit kemi për detyrë të mbështesim teatrin në sfida të reja dhe të zhvillojmë talente e promovojmë të rinjtë e së ardhmes”. Kinostudio, në kujtimet e Timo Fllokos është një histori e rëndësishme e kinemasë, por sot “Kjo ndërtesë e rijetëzuar i shërben me dinjitet kulturës dhe ky është një vlerësim për Artin në Shqipëri”- u shpreh ai. Për herë të parë në ambientet e Ministrisë së Kulturës, të rinjtë e “Equus”, Igli Zarka, Krist Lleshi, Ermir Jonka, Akreoma Saliu, Fjorald Doci u njohën me historinë e ndërtesës, e cila u ka ardhur më parë nga rrëfime të largta.
“Sapo kemi mbyllur një shfaqje të suksesshme, por ju garantoj se Teatri Kombëtar jo vetëm ka rritur ndjeshëm të ardhurat nga produksionet dhe kemi një publik në rritje prej tri vitesh, por ka shënuar kulme cilësore me shfaqje shumë të mira siç është dhe Equus, për çoa falenderoj të gjithë aktorët e Teatrit Kombëtar dhe aktorët e tjerë që kanë luajtur e luajnë në atë skenë, u shpreh drejtori, Hervin Çuli.
Në një atmosferë mes miqsh u festua edhe ditëlindja e kostumografes, Berina Kokona, e cila përshëndeti duke shprehur çudinë se “Nuk e kisha menduar ditëlindjen time në një ambient kaq të ngrohtë mes miqsh dhe aq më shumë në Ministrinë e Kulturës”. Regjisori i lirisë, Dino Mustafiç ka arritur të bashkojë në skenë katër breza aktorësh në shfaqjen “Equus”, që përcjellin me ritëm dhe dinamikë energjinë e re dhe energjinë e eksperiencës skenike.
Kumbaro falenderoi në mungesë regjisorin Mustafic, skenografin Dragutin Broz dhe dramaturgen e shfaqjes Zeljka Udovic-Plestina, për punën e shkëlqyer në realizimin e kësaj shfaqjeje. “Shumë shpejt skena e re teatrore “Turbina” do të jetë e aktorëve të Teatrit Kombëtar.
Viti tjetër do të na gjejë me hapësira të reja, ku do të marrin udhë ide dhe strategji të reja në skenën teatrore shqiptare”-u shpreh Ministrja Kumbaro. Falenderime për bashkëpunimin në “Equus” shprehën edhe aktorët e rinj, Ermir Jonka , Igli Zarka dhe asistentja Melisa Becovic Drama “Equus” në Teatrin Kombëtar tregon edhe njëherë për rëndësinë e teatrit të angazhuar, i cili të shtyn drejt mendimit, reflektimit, dhe na tërheq vëmendjen për familjen, shoqërinë, erosin, ideologjinë, etj.
Një teatër, i cili ngre pyetje për lirinë e të menduarit, të vepruarit dhe vrasjen e pasionit e ëndrrës. “Equus” do të vazhdojë të shfaqet në Teatrin Kombëtar, në muajin qershor 2017.