Fatbardh Lavdoshi

Pjesë nga romani i Shkëlqim Çelës, “Një zgjues për ty”

Çdo shfaqje e Fatbardh Lavdoshit në emisione televizive, bashkë me diskutimet e tij të gjalla, ia shtonin ethet Alos. Në emisionin “Vëzhgime”, Lavdoshi kishte folur për fibriozën cistike dhe prejardhjen gjenetike të etnive europiane, dhe kjo i kishte shkaktuar Alos një marrje fryme të rëndë. Mezi po mbushej me ajër, hapën dritaret, i bënin fresk përpara hundës, por vetëm pas një gjysmë ore mundi të merrte frymë normalisht. Nuk e dinin nga i vinin ato kriza dhe askush nuk mundi ta lidhte shfaqjen e tyre me daljen në TV të eruditit.

Aloja, në mënyrë të pavullnetshme, e vinte veten në vendin e tjetrit, i dukej sikur ishte në TV-në kombëtare, i ftuar për gjithëdije, dhe drejtuesi i emisionit e pyeste për kadencat në koret gregoriane, apo për hapat që duheshin ndërmarrë për përmirësimin e sistemit minerar të vendit dhe të detajeve të hartës gjeologjike “një me dyqind mijë”, e ai nuk dinte ç’të thoshte, ç’përgjigje të jepte, dhe dilte asisoj krejt i turpëruar nga programi. Fakti që Lavdoshi fliste rrjedhshëm për të gjitha temat e vinte si përpara përgjegjësisë, sepse nuk kishte asnjë alibi për mosdijen e vet, ndërsa tjetri vazhdonte të dinte çdo gjë në mënyrë të pamëshirshme. Nuk paskësh xhelat më brutal se gjithëdija e tjetrit. U bind që Fartbardh Lavdoshi duhej të pinte diçka superiore, edhe pse askush nuk e kish parë se çfarë. Me siguri lëngu i vinte në mënyrë diskrete në shtëpi, maskuar në kushedi se ç’koli postare. Pas emisionit për të drejtat e gruas, në të cilin Lavdoshi kishte shkëlqyer përsëri me plot citate grekësh të vjetër dhe “të latinit”, Aloja vendosi të provonte vetë kombinime lëngjesh me hamendje. Kishte shumë shpresa nga një përzierje çudibërëse e zgjuesit të kritikës, që ishte përbërësi themelor, me lëng hudhrash fillimisht, pastaj me çaj bishtash qershie, lulesh “çorap ushtari” më vonë, apo edhe lëngu xhenxhefili, sherebele, çaji rrënjësh dhëmbëluani të pjekura dhe të bluara, dyllë, lëng nga shtrydhja e bimëve të familjes zhabinore… Asnjë rezultat! Ndërkaq Lavdoshi vazhdonte ngadhënjimet e veta nëpër studio televizive duke folur për krizën e linjave ajrore nëpër botë dhe parashikimet për ngarkesën e aeroporteve në vend, rënien e turizmit austriak dhe ndikimin e kësaj në agriturizmin ballkanik, përhapjen paqësore të Islamit në Shqipëri dhe mercenarizmin e Skënderbeut… Çdo pyetje e moderatorëve i vinte Alos si një vendim dënimi kapital, ndërsa fjalitë e zhdërvjellta të Lavdoshit ishin lopata dheu mbi tabutin e tij. Kur Lavdoshi u mor me çështje të armatimit modern dhe mundësinë e përfshirjes së jashtëtokësorëve në zhvillimet më të mëdha në fushën e armëve sipas teorive të shumta të konspiracionit, Alos i lindi dyshimi se mos lëngu i kritikës nuk ishte fare në përbërjen e përzjerjes “lavdore”, mos edhe ajo legjendë ishte përhapur për t’i hedhur hi syve gjindjes, si famëkeqja bazë 51 në Amerikë, të cilën Lavdoshi e kishte sjellë si argument në një nga emisionet televizive.

Ishte koha kur legjenda e të pëgërës së qenit si element sekret në përgatitjen e konjakut të vendit që merrte vazhdimisht çmime nëpër festivalet ndërkombëtare të pijeve me ngjyrë, kishte arritur kulmin. Dikush ishte shëruar nga kanceri prej asaj të pëgëre. Pijeve alkoolike u hidhnin lëndë azotike si rregull, por ato lëndë ishin me natyrë kimike dhe kurrë nuk do të fitonin ndonjë çmim dhe as do të bënin çudira nëpër festivale. Ndërsa jashtëqitja legjendare ishte tjetër gjë, përmbante azot gjithashtu, por të lidhur në mënyrë organike, pra në një formë superiore. Alos iu mbush mendja se diç duhej të kish në atë të pëgërë që garantonte suksesin. Po mëdyshej nëse duhej ta provonte vetë apo jo, dhe me atë dilemë kaluan dy-tre emisione me gjithëdije shkatërrimtare, derikur Zeqo Mekami u shfaq në emisionin “Supozime” dhe foli për bursën mongole dhe atmosferën afariste të Ulan Batorit, nga e cila duhet të nxirrte mësime Tirana financiare – të gjithën me një qetësi superiore që do të kish mahnitur çdo mongol të vërtetë. Aty Aloja vendosi të provonte të pëgërën e qenit të shtëpisë, Murros. Mekami po fliste ende për luftën e formalitetit mongol kundër kambistëve të egër të Ulan Batorit dhe rritjes si pasojë të çmimit të qumështit të pelës, kur Aloja me mendjen top doli me vrull për tek stela. Gjeti atje për fat të pëgërë qeni, e cila nuk dukej të ishte e freskët. Ndërsa për ushqimet e zakonshme, sa më e freskët haja, aq më mirë, për të pëgërën duhet të jetë ndryshe, tha me vete, duke iu gëzuar pluhurit mbulues që e zbuste sadopak agresionin azotik të lidhur në mënyrë organike në masën gjysmë të butë që po mbante në dorë. Dikur ajo masë kishte qenë e ngrohtë, por tani kishte një ftohtësi dhe mehje meiti. Por zemra ishte aty, mjaftonte ta prekje pak, ta gërvishtje një çikëz. Hyri në dhomë me atë mendim, madje e rrëmoi pak masën që mbante në dorë me kimet, si gjënë e pakët. I erdhi për të vjellë, madje u bë gati të villte, por moderatori pyeti për bonot e thesarit mongol, obligacionet e vdekjes dhe stagflacionin, dhe Aloja e harroi të vjellën. Ai nuk do të ish në gjendje të thoshte gjësend për asnjërën nga pyetjet, do të rrinte si guak, do të turpërohej para gjithë teleshikuesve të vendit, ndërsa Zeqo Mekami me një lehtësi mahnitëse përgjigjej për rezervat e arit mongol dhe cilësinë e gëzofeve mongole. Pastaj erdhi një citat nga Hegeli, të cilin Mekami e tha edhe më thjesht nga sa Aloja do të kërkonte, të themi, një gotë ujë. Kjo ishte më e rëndë se çdo vërshim ujërash të zeza apo shpërthin gropash septike. Ka thënë Hegeli. Thotë Spinoza. O Perëndi! Me vendosmëri futi copën e parë të së pëgërës me pluhur në gojë dhe nuk e kuptoi në i kishte rënë të fikët, apo haluçinacionet ia rrotulluan dhe mjegulluan tavanin e dhomës. Më vonë i thanë që ai po belbëzonte gjithë kohën diçka si “Në bulevardin Xhenghis Khan të vemi,/ edhe kambistët t’i zhbëjmë nga themeli”.

 

Emisioni i radhës, ku i ftuar këtë radhë ishte Fatbardh Lavdoshi, trajtonte kozmopolitizmin dhe multikulturalizmin. Aloja zuri vend në divan dhe priti me zemër të dridhur. Donte të shikonte nëse kish ndryshuar gjëkafshë në pozitën e tij qyqare ndaj gjithëdijes së të tjerëve.  Lavdoshi u shfaq në ekran dhe tha frazat e para, i menduar, me shikimin drejt tavanit, në meditim për fjalinë pasardhëse, dhe e lëshoi, siç pritej, bombën me hidrogjen me citatin e nxjerrë me kujdes nga letra e florinjtë, si çokollatën e shtrenjtë, latinisht së pari, pastaj të përkthyer, e sikur kjo të mos ishte mjaft, erdhi goditja e dytë me Nietzschen, që do ta kishte shuar me gjithsej Alon. Por ai i qëndroi mirë valës goditëse. Nietzsche, tha me vete, pse duhej trembur xhanëm, thuaje bashkë me Lavdoshin: Nietzsche, dakord? Ja, sa e vështirë është? A? Asgjë, pothuajse asgjë, mos u trand, dakord? Me këtë tjetrin, Kierkegaard, a ç’dreqin është, mos u merr hë për hë, mbaj mend Nietzschen, merre shtruar, mos kërko ta pushtosh gjithë mbretërinë me një sulm, edhe Roma nuk u bë me një ditë, ja, e sheh, sapo the diçka me peshë, sot këtë, nesër diçka më të madhe, përqendrohu, kaq e thjeshtë është e gjitha. Kur emisioni mbaroi, ndjeu që vala shkatërruese nuk e kish shkalafitur krejt. Si një kasolle që qëndron gjysmë e prishur pas furtunës. Por ai kishte një kthinë ku të fuste kokën, të tjerat i riparonte me qetësi më pas. Ja pra që e pëgëra e qenit funksionon, mendoi. Por duhej të ishte më kërkues, se kjo ishte e pëgëra e Murros, e qenit të tij, që e njihte të zonë, ndoshta do të duhej të provonte qen të tjerë, dhe qen fshati kish plot. Cilin prej tyre të provonte? U mendua ca, i shkuan ndër mend disa qen në fshat, një buçe e komshijes i erdhi në mend kundër dëshirës, gjë për të cilën u inatos me veten, çfarë shkon e mendon, idiot, i shfryu vetes (ajo buçe e shqetësonte ndonjëherë sepse lehte netëve dhe e zgjonte), pastaj iu kujtua qeni i bekçiut Mane, si për dreq (Se ç’mund të përfitonte nga një qen, i zoti i të cilit sheh pornografi…), por sidoqoftë qeni i Kadriut, për shembull, postierit, nuk duhet të jetë keq, duket dinjitoz dhe fisnik si i zoti. Do të provoj të Kadriut, vendosi, dhe ra të flinte.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *