Fan Noli, në emër të atit, e të birit e të shpirtit, të harruar!

Nga Andrea Danglli

Nëse sot imzot Fan Noli do të shihte se si është katandisur shtëpia ku ka jetuar në Durrës, mbase do të frymëzohej për të shkruar elegjinë më të hidhur të penës së tij.

Në qytetin bregdetar është vështirë të mësosh se 10 marsi i vitit 1914, ishte dita kur në portin e vogël të asaj kohe zbriti njeriu i madh që do ta bënte Zotin të flasë shqip.

Kujtesën për këtë atdhetar të shquar na i ndihmon veç një tabele e vjetër, vendosur shtrembër përgjatë një rruge të shkurtër dhe busti aq shumë i diskutuar që u shëtit për vite me radhë prej Tirane në Elbasan dhe prej Elbasanit në Durrës. Janë të vetmet gjurmë që na shërbejnë për të ditur se në këtë perimetër dikur ka jetuar një ndër burrat më të mëdhenj të kombit tonë.

Në qytetin e Durrësit është e vështirë që dikush të të orientojë për tek kjo godinë. Askush nuk e di se ku ka lënë kujtimet e një jetese të shkurtër ish-kryeministri ynë. Ka edhe nga ata që i njohën veç emrin dhe jo veprën. Madje ka edhe prej tyre që se njohin fare por ky është një debat tjetër.

Godina nr.43 ndodhet përballë Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe nën hijen e një pallati të madh.

Hyrja sheh nga kisha ortodokse dhe ngjan sikur lutet që dikush të shkojë dhe minimumi ta mbrojë nga të papërgjegjshëmit që nuk kanë turp t’ia përdorin muret si tualet publik.

Nolit ja kanë mbyllur derën keqas me blloqe dhe sot nuk mund të na mirëpresë dot.

Për të parë ambientet e brendshme na ndihmojnë dritaret e shqyera, pa xhama, pa kanata, pa strukturë. Më mirë mos shohësh asgjë, sepse pamja që do marrësh të sjell në kujtesë ndonjë godinë të bombarduar në Aleppo. Mure të goditura, dyer të vjedhura, dysheme të rrjepur, mobilje të shkatërruara. Kjo është panorama që nuk do donim ta shihnim kurrë.

Askush nuk zverdhet, nxihet apo skuqet për këtë mungesë respekti.

Përveç një pllaketë vjetër që shkruan: “Në këtë ndërtesë të ish-Mitropolisë, Fan Noli ka jetuar e punuar në vitet 1914-1915”, asnjë shenjë tjetër nga kjo banesë nuk të lidh me emrin e njeriut të madh.

Insistimi i gazetës “TemA” nuk la pa trokitur as në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Durrës ku përgjegjësia ngeli jetime duke u kaluar sa nga kisha Ortodokse, tek institucionet dhe anasjellta.

Drejtori Ledion Lako shprehet se institucioni që përfaqëson ka kryer pastrime dhe mirëmbajtje të ambientit në mënyrë sistematike. Ndërkohë situata në terren dëshmon komplet të kundërtën.

Premtimeve të bëra për një projekt të hartuar gjatë vitit 2015 për restaurimin e kësaj godine, Lako i përgjigjet se drejtuesi i Kishës Ortodokse Durrës i kishte shpjeguar se nuk ka fonde për ta implementuar.

Në bazë të ligjit 9048 datë 07. 04. 2003 “për trashëgiminë kulturore”, neni 36 thotë se investimi për restaurimin e monumentit bëhet 60% nga buxheti i shtetit dhe 40% nga pronari ku në këtë rast është kisha.

I pyetur për fondet e akorduara nga Ministria e Kulturës për të paktën 5 vitet e fundit, mësojmë se nuk ka asnjë qindarkë të dalë nga buxheti i shtetit.

Duke vrojtuar me kujdes këtë gjendje, sjell në mendje shtëpinë e braktisur të Gjergj Fishtës, të Dritëro Agollit apo edhe të tjerë emrave që kanë vendosur gurë të rëndësishëm në historinë e këtij vendi. Nëse nuk vlerësojmë këta, cilët duhet të vlerësojmë?

Fjalët e Fan Nolit, citohen nga politika shqiptare sa herë t’ua kërkojë situata. Mburren me to, kritikojnë problemet e vendit, krahasojnë situata politike, por harrojnë që ky njeri dikur ka pasur një banesë në Durrës. Ka njerëz që duan të mësojnë për jetën e tij, të jetojnë për pak çaste me jetën e Nolit, të lexojnë dorëshkrime apo të shfletojnë libra. Fatkeqësisht ky nuk është rasti.

Njeriu që e bëri Zotin të flasë shqip, dhe Shekspirin të shprehet aq bukur në gjuhën tonë, sot ndjehet i braktisur.

Nëse do shihte këto pamje nuk do vinte duart në kokë, as nuk do shkruante elegji por do vendoste në lojë të gjithë ata që po e tallin pavetëdije ndër vite, thjesht duke mos bërë asgjë për të.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *