Ernesto Sabato: Shkrimtari duhet të jetë dëshmitar i pakorruptueshëm i kohës së tij

Del libri problematik i Ernesto Sabatos: “Njerëzit dhe ingranazhet”, arti si rebelim.

Është libër me ese për letërsinë, kulturën, filozofinë, shkencën dhe teknologjinë. Doli nga shtypi libri më problematik i shkrimtarit argjentinas Ernesto Sabato, “Njerëzit dhe ingranazhet”, i përkthyer nga origjinali spanjisht prej përkthyeses Orjela Stafasani, e cila deri tani ka botuar edhe dy libra të tjerë nga Cesare Pavese dhe Luigi Pirandello. Në parathënie të librit, Ag Apolloni shkruan se “Njerëzit dhe ingranazhet” është një reagim për ta shpëtuar njeriun nga humbja e identitetit të tij, për ta vetëdijësuar atë që të mos jetë thjesht një pjesë e një makine a mekanizmi, por t’i kthehet humanizmit. Po ashtu, ai shton: “I vendosur se shkrimtari duhet të jetë dëshmitar i pakorruptueshëm i kohës së tij, Sabato e shkroi Njerëzit dhe ingranazhet (1951) si një protestë ndaj dehumanizimit dhe teknolatrisë, reagim ky i artikuluar nga një shkencëtar me shpirt artisti, po aq sa edhe nga një artist me dije shkencëtari.

Në esenë e fundit, ku proklamon artin si rebelim, i çuditur nga mendimi i filozofit Ortega y Gasset se kohëve të fundit artisti është dehumanizuar, Sabato e kthen shigjetën në anën e kundërt: ai që është dehumanizuar, nuk është artisti, por publiku, turma. Me këtë libër Sabato nxiti një valë reagimesh ndaj tij, aq sa pas dhjetë vitesh, i ishte shuar dëshira për ta botuar sërish, por në fund të viteve ’90, deklaroi se të vërtetat e thëna në atë libër, vetëm tash po fillonin të kuptoheshin: Kanë kaluar më tepër se dyzet vite nga shfaqja e atij bilanci shpirtëror të ekzistencës sime, të shkruar mes shpërthimeve të bujshme të botës. Sot, pjesa më e madhe e asaj që hodha në letër, përmban një vërtetësi mbresëlënëse. Shumë prej atyre që dikur më sulmuan dhe më vunë në lojë, duke më akuzuar për obskurantizëm, sapo kanë filluar ta kuptojnë botën e egër, të prodhur nga ne.”

Ernesto Sabato (1911-2011) u shkollua në Buenos Aires, ku doktoroi për fizikë. Romani i parë i tij, “Tuneli” (1948), u prit jashtëzakonisht mirë dhe u vlerësua nga emra të mëdhenj si Thomas Mann dhe Albert Camus. Romani i dytë, “Mbi heronjtë dhe varret” (1961), vetëm sa e ngriti famën dhe vlerën e tij, kurse romani i tretë, “Abadoni” (1974), u vlerësua si një vepër që thyen të gjitha rregullat e shkrimit dhe kufijtë mes jetës reale dhe veprës letrare. Pjesa tjetër e krijimtarisë së tij përbëhet nga vepra jofiksionale (ese, kujtime, itinerare), si: “Njëshi dhe universi”, “Njerëzit dhe ingranazhet”, “Shkrimtari dhe fantazmat e tij”, “Përpara fundit’ etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *