Në Panairin e Librit, të mbajtur së fundi në Tiranë, ishte e pranishme edhe përmbledhja me poezi “Gjâma e erës”, e autores Ernestina Gjergji Halili, e cila zgjoi kureshtje të madhe tek lexuesit shqiptarë, duke u lakuar kështu në mesin e titujve më të shitur të panairit.
Kjo edhe ishte arsyeja që të zhvillojmë një bisedë me të për Gazetën Zëri. Pedagogia, gazetarja dhe poetja Erenestina Gjergji Halili, flet për librin që i drejtohet lexuesit me vargje në gegërishte, për suksesin që gjeti në panair, e për letërsinë shqipe në përgjithësi. Libri së shpejti do të prezantohet para lexuesve nga Kosova, përmes një promovimi që do mbahet në Prishtinë më 25 nëntor.
Në pyetjen se libri me titull “Gjâma e erës”, i lakuar mes titujve më të shitur të Panairit të Librit në Tiranë, është një libër me poezi i shkruar në dialektin gegë, Ernestina ka thënë se libri i saj ka kaluar çdo pritshmëri, jo vetëm sa i takon interesit të shfaqur të publikut, botimit të tij të dytë brenda pesë ditëve, por edhe pse kanë parë si ekip, se poezia lexohet, shijohet, se poezia duhet edhe sot.
“Libri është shkruar në nëndialektin e Dukagjinit, pra me një gegërishte burimore, përkatësisht një gegërishte të vjetër, mbase gati të harruar, e cila në këtë mënyrë jo vetëm u rizgjua, por edhe u vesh me petka të lirta të qytetarisë, pranimit, receptimit. Mendoj se kishte ardhur ora e gjâmës…”, ka thënë autorja Ernestina Gjergji Halili
Nga gazetaria e shkrimet e gjuhës së standardizuar, çfarë ju shtyu të vargëzoni në letër poezi me një gjuhë që i afrohet gegërishtes tradicionale, ishte pyetja, të cilës autorja e librit “Gjama e erës” i është përgjigjur duke thënë se i mbetet idesë se shqiptarët kanë nevojë e duhet të shkruajnë në një gjuhë të përbashkët. Ajo ka thënë se shqiptari i Çamërisë duhet të merret vesh me atë të Ulqinit e përtej, duke vlerësuar se gjuha zyrtare është një tjetër vëzhgim, ndërsa gjuha e shpirtit është e lirë të kumtojë në ligjërimin më plotësues të idesë poetike; gjuha mbetet në funksion të sistemit poetik. Në shoqëri të lira, fjala dhe mendimi, janë të lirë, ka thënë ajo.
E pyetur se, për ata që ende nuk kanë pasur rastin ta kenë në dorë librin, çka gjejnë brenda faqeve të “Gjâmës së erës”, ajo ka thënë: “Brenda librit, do të gjejnë, një copëz jete të tyre, një copëz timen, një copëz ardhë prej moteve larg…Ka një arkë të madhe më antropologji, doke, zakone, rite, mite të asaj treve e gjithë shqiptarisë…Atje lart në Dukagjin jetohet e është jetuar, dashurohet, bëhet ende gjamë e dasma. Atje ende ka diamante të pazbuluara…Unë kam sjellë një pasqyrë të identitetit tonë shqiptar, në prozodi herë tradicionale e herë moderne, në funksion të idesë, ndërsa malësori i Dukagjinit mbetet ai, një mister në zbulim…”
Në pyetjen se përse shkruan Ernestina, ajo thotë se ia kërkon shpirti, ndërgjegjja, alteregoja. Shkruan për të qenë dikur e plotë, e bindur se në karrierën e saj i është dashur fjalës, sikundër që edhe ajo e ka dashtë, sepse ka punuar për të e ajo është bërë tashmë kumti e kulti i saj. “Unë e dua dhe e respektoj fjalën, jo vetëm pse e di se ajo lindi e para, por se tashmë mund të them se e njoh pas kaq vitesh fuqinë posedoinike të saj. Ky ka qenë një preokupim i madh i imi në këtë paraqitje para publikut, sepse erdha me kumte e fjalë, të cilat duheshin shkruar e ortografuar në mënyrë korrekte dhe mbi to të ndërtohej realiteti artistik, apo fiksioni letrar, konteksti, nënteksti a alterteksti”, është shprehur ajo.
Në pyetjen se si e sheh letërsinë tonë sot, ajo ka thënë se e sheh në përpjekje për të qenë si simotrat e saj. Vlerëson se ka botime mjaft të mira, shtëpi botuese dinjitoze, si “Buzuku”, ku ka zgjedhur të botoj, të cilët janë krah krijuesit dhe nxitës së talenteve. “Uroj që letërsia jonë të njohë hapësira të reja edhe me emra të tjerë në tregun e lexuesit evropian. Shembull mjaft i mirë janë edhe Agron Y Gashi e Adil Olluri, të cilët do të lexohen në gjuhën e re të latinëve, italishten, prej dhjetorit. Urime të dyve!”, ka thënë Ernestina.
Për librat që kanë pasur ndikim më shumë tek ajo, është shprehur se këtë vend e zë “Bibla”. “Ky është një libër që i njoh çdo rresht. Për nga letërsia janë dramat, Shekspeare, Goethe, Breht, Haxhiademi, Fishta, Pashku, Teki Dervishi…”, është shprehur ajo duke shtuar se ka zgjedhur të vij para publikut të Kosovës jo vetëm me librin, por me teatrin e poezisë, një zhanër teatror, i cili po harrohet, pikërisht prej dramës, si dedikim imi akademik. “Gjithë korpusi figural, autopoetik dhe antropologjik, do të vijë përmes interpretimit të emrave prestigjiozë të fjalës artistike të Kosovës. Kjo është mirënjohja e ekipit tonë realizues të librit, për pritjen e tejkaluar përmasave. Kosova din me t’dashtë, Kosova din me t’matë!”, ka thënë autorja e “Gjama e erës”.
Në fund të bisedës ajo ka konstatuar se të gjithë bëjnë Erën, të gjithë bëjnë fjalën.(Zeri)