EPIRI SI ATDHE

Sokol Shameti

Askush më shumë se Thuqididi nuk e meriton ndër historianët e vjetër, të quhet me tërë mend “historian”. Krejt ndryshe nga pararendësit apo bashkëkohësit e tij, Thuqididi ishte i pari që e zhveshi dëshminë historike nga mitologjia, narrativa romantike, hiperbolizmi dhe sensacionalizmi. Ai është babai i historisë shkencore.

“Lufta e Peloponezit” që është edhe vepra e tij kryesore, ka regjistruar me një saktësi që shkon shpesh deri në mërzi, një botë pa superheronj, pa ndërhyrje hyjnore dhe pa kreshnikë mrekullibërës. Historia e Thuqididit është një realitet prozaik si vetë lufta me gjithë banalitetin e jetës dhe vdekjes që përfshihen prej saj, me manovrat e saj ushtarake, kontekstin ekonomik e sidomos atë politik ku zhvillohet gjithçka.

Por Thuqididi nuk është i rëndësishëm vetëm për këtë. Thuqididi sot është adresa referente ndaj mosmarrëveshjeve relativisht të reja, shqiptaro-greke mbi Çamërinë, kufirin detar, minoritetin grek në Shqipëri të jugut, etj etj.

Epiri i Thuqididit (e më pas edhe ai i Strabonit, Plutarkut, etj), vërteton atë që më herët Hesiodi dhe Homeri thjesht e kishin lënë të kuptohej tërthorazi.

Ky territor i epërm malor për të cilin romantikët helenistikë, tamam si ca mister Portokallos antikë, ishin gati të kryenin çdo akrobaci etnogjenetike e linguistike për ta përfshirë nën mbretërinë kulturore greke, nuk ishte grek.

Këtë thotë Thuqididi troç, pasi ka dëgjuar edhe Homerin që pa ekuivok i përjashton epirotët nga “Katalogu” i famshëm ku rreshtohen krejt emrat dhe origjina e heronjve protogrekë që morën pjesë në Luftën e Trojës, e ku Akili epitetohet shpesh si “këmbëshpejti”, si për të konfirmuar dëshminë e mëvonshme të Plutarkut i cili kur flet për epirotët thotë se ata e nderonin Akilin duke e thirrur “Aspetus”.

Eshtë sërish Homeri i cili përshkruan një Epir të huaj ku Odiseu shkon të vizitojë Dodonën e ku ai mundet të mbijetojë falë njohurive të marra nga një mëndeshë e vjetër epirote që e kish rritur.

Eshtë Epiri ku dinastët mbretërorë josheshin nga kultura fqinje helenistike bash si të ishin kryeministra të kohëve tona moderne që vdesin të ngjajnë pak si amerikanë. Por siç thotë Plutarku, të njëjtat dinasti pasi i dërgonin djemtë për studime në Greqi, e pasi mahniteshin ca kohë nga sistemi i ndërlikuar religjoz helen, harronin sakaq gjithçka e shkriheshin sërish në “barbarizmin” jogrek të tretësirës së përgjithshme etnike ku qeverisnin.

Ky Epir pra, i përshkruar tërthorazi nga Homeri e i certifikuar si jo-grek fillimisht nga Thuqididi, është skena ku zhvillohet historia. Kjo tokë malësorësh e barinjsh, në fqinjësi me grekët, me një elitë politike e tregtare të ndikuar kulturalisht prej grekëve, e kolonizuar në disa vendbanime bregdetare prej tyre, e konvertuar dhe rikonvertuar disa herë në fe të importuara prej gjithandej, por gjithsesi e mbetur barbare dhe jo-greke në hinterlandin e vet, është atdheu ynë i vjetër.

Eshtë ky Epir që nën administratën e një perandori ilir të Romës si Diokleciani, shërbeu si emërtesë për dy provinca që u shkëputën territorialisht nga Maqedonia dhe Akeja e që përputhen pak a shumë me Shqipërinë shtetërore dhe Epirin krahinor sot nën Greqi. Epirus Vetus dhe Epirus Nova, janë dy njësi që u kanë dëshmuar edhe historianëve, gjeografëve, administratorëve dhe letrarëve të antikitetit, se i përkasin njëra-tjetrës.

Akush nuk e ka vënë në dyshim këtë atëherë kur termi “shqiptar” ende nuk ekzistonte dhe kur deri Skënderbeu i lindur në Mat, përshkruhej si “Epirotarum princeps” pasi termi “Albania” përdorej veç nga venedikasit për të përshkruar viset lindore të Adriatikut ku ata sundonin.

Andaj, nëse dikur në mesjetën e vonë nuk do të kishim vendosur të quheshim “shqiptarë”, si një nderim ndaj flamurit luftarak të Bizantit ortodoks, ne me siguri do të quheshim sot Epirotë dhe vendi ynë do të quhej Republikë e Epirit. Grekët mbase s’do të donin të na njihnin me këtë emër e do të mblidheshin me qindra mijëra në sheshet e Athinës për të protestuar kundër nesh.

Por ndoshta edhe jo. Ndoshta do të ishim ne që do të luftonim me dyfeqe më 1912 kur Epiri kaloi nga pushtimi turk në atë grek, për të mos lejuar që një shtet pak a shumë po aq i ri sa edhe yni, t’i vendoste në mënyrë irredentiste emrin e lavdishëm historik të vendit tonë, një njësie administrative lokale të cilën sot e quajnë madje “IPIROS”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *