“Ëndrra doktorit” Adhamudhit, grotesku i pashpirt i Besnik Mustafajt

Një roman i ri vjen në këtë panair libri nga Besnik Mustafaj, sih-deputet e ish-ministër i jashtëm i qeverisë Berisha. Një ish ministër që dha një dorëheqje të bujshme pa një shpjegim të bujshëm Romani i tij mban titullin “Ëndrra doktorit” e cilësohet se përbën një rast të veçantë në letërsinë e sotme shqipe.
Besnik Mustafaj ka rishkruar në prozë komedinë e njohur të Çajupit “Pas vdekjes”. Doktor Adhamudhi, i lindur për teatër një shekull më parë, vjen si protagonist i një romani bashkëkohor për të mishëruar oportunistin e shtirur në idealist, i cili beson se të gjitha mjetet janë të përligjura për arritjen e qëllimit, që është përvetësimi i historisë kombëtare për t’i dhënë vetes njëherësh edhe lavdinë e madhe, edhe pasurinë e madhe. Përmes groteskut kësaj here, Besnik Mustafaj gjen përsëri rastin të prekë temat e tij të parapëlqyera, të lidhura me marrëdhënien dramatike të individit me Historinë në kontekstin e luhatjes midis Lindjes dhe Perëndimit, që e ka shoqëruar si një ankth qytetërimin shqiptar, ankth ky që e përshkon deri edhe qasjen e këtij individi ndaj dashurisë apo vdekjes.

“Në njëfarë mënyre mund të thuhet se Doktor Adhamudhi e shkoi jetën dëm, përderisa ai kishte pasur vetëm një qëllim: t’i përcillte përjetësisë një përfytyrim të vetëm e të njëjtësuar rreth personalitetit të tij ashtu siç kishte vetëm një portret të Jezu Krishtit.
Dhe ky përfytyrim, sado që do të quhej përfytyrim thjesht për t’i dhënë çdokujt një përshtypje lirie për të interpretuar veprën e tij, do të duhej të ishte në të vërtetë diçka e ngjashme me monumentin e derdhur në bronz, ku nuk ka më vend as për ndryshimin më të vogël. Sipas bindjes së tij, ai kishte parashikuar gjithçka, që ky përfytyrim të mbetej mirëfilli si një testament, të cilin brezat e ardhshëm do të ishin të detyruar ta zbatonin pikë për pikë sa herë të flisnin për të apo për kohën historike kur ai jetoi dhe zhvilloi veprimtarinë e vet”, shkruhet në roman.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *