Këngëtari anglez i pop-it, Elton John mund të njoftojë ndërprerjen e turneve të tij, gjatë një deklarate për shtyp që do ta lexojë sot pasdite, sipas të përditshmes “Daily Mirror”.
Kjo deklaratë do të mbahet njëkohësisht në Londër dhe Nju Jork në orën 17:30 GMT, sipas faqes së internetit të yllit 70-vjeçar ku është paraqitur një numërim prapa me mbishkrimin e mistershëm “Ka vendosur përfundimisht që në të ardhmen…”.
Pavarësisht mungesës së detajeve, sipas tabloidit ”Daily Mirror”, Elton John, që ka shitur më shumë se 250 milionë disqe në pesë dekada, do të shpallë fundin e turneve të tij.
Në profilin Twitter të këngëtarit mund të lexohet: “Ky është fillimi i rrugës… bëni udhëtimin më 24 janar”.
Ndërkohë që një mbishkrim i vendosur në një video të publikur në profilin e tij pohon: “Sot Elton John do të fillojë një fazë të re të udhëtimit të tij krijues. Dhe ky do të jetë po aq i jashtëzakonshëm dhe i fuqishëm sa performancat e tij të para 50 viteve”.
Këngëtari, që ishte detyruar të anulonte vitin e kaluar disa koncerte të parashikuara në SHBA për shkak të një infeksioni bakterial të rëndë, kishte vendosur më janar 2016 të jepte më pak koncerte që të mund të kujdesej për dy fëmijët e tij.
Këngëtari, që ka adoptuar dy djem, kishte shpjeguar se nuk dëshiron të largohet për një kohë të gjatë nga familja e tij dhe se kishte vendosur që do të kishte më pak koncerte në të ardhmen.