“Përroi i fjalëve, nuk e lë trurin të kalojë matanë”.
D. Agolli
Mendime për një shkrim
Me një titull manipulativ, “Lëreni Dritëronë të pushojë”, botuar ditën e sotme, autori Ndue Dedaj i afrohet lexuesit si shenjtor.
Ditët që shkrimtari u nda nga jeta, një vit më parë, titull i tillë vihej re nëpër faqe gazetash për të mbrojtur emrin e sulmuar nga nihilistët e snobët (por edhe smirëzinjtë), të cilët kishin pritur pikërisht atë ditë për të jetuar “ëndrrën e tyre të përdhosjes”. Zhurmonin sulmuesit e mbrojtësit dhe harronin që poeti i kishte menduar në gjallje të tij fushëbetejat e ziliqarëve dhe kishte servirur vargje për mbrojtjen e tij.
E ndërsa shprehja “Lëreni të prehet i qetë” plot një vit më parë u drejtohej kundërshtarëve, sot kjo shprehje u drejtohet dashamirësve, të afërmve, të dashurve, lexuesve, atyre për të cilët arti i shkrimtarit është ushqim shpirtëror nē kohën e sotme të Balilajve e Habilajve, apo siç e quan vetë Dritëroi në poezinë me të njëjtin titull, “Në kohēn e Mirit të Xhikes”.
E ka lexuar autori i shkrimit poezinë “Në kohën e Mirit të Xhikes”?
“Jetova në kohën e Mirit të Xhikes,
Në vitet me dert pleqërie,
Këtu në pallatin e Rrugës së Dibrës,
Me gruan e dashur Sadije,
Jetova në kohën e Mirit të Xhikes.
Dhe çuditërisht i tërbuar bëj zhurmë,
Më gërryen lakmia me ankthin e frikës
Se jam infektuar dhe unë
Nga koha e Mirit të Xhikes,
Dhe çuditërisht i tërbuar bëj zhurmë.”
Në vitin 1998 e shkruar kjo poezi aq filozofike për shtrirjen e së keqes në një shoqëri të kriminalizuar.
Autori Ndue Dedaj, vetë krijues, poet , publicist, historian letërsie, është mjaft i shqetësuar për shkrimet kushtuar emrit Dritëro Agolli në mediat serioze, pasi sipas tij është e panevojshme të publikohet “një e pathënë” e shkrimtarit (paçka se kjo “e pathënë” do t’i shërbejë një biografi apo jetëshkruesi për një libër apo një historiani të letërsisë për faktet jetësore tē shkrimtarit).
Por , nuk është e nevojshme të shkruhet , pasi “njerëzorja” apo çdo emocion njerëzor në këtë shoqërinë tonë të sotme nuk ka nevojë të mbushin disa faqe gazetash;
“Teprim me gjeste mirëdashëse”- e quan Ndue Dedaj mbjelljen e 20 pemëve dhe hedhjen e plisave nga Menkulasi (një gjest shumë simbolik) kryer nga miq e dashamirës të Dritëroit të madh.
Ndërkohë që buste, emërtime rrugësh e institucionesh, me emra të panjohur apo qoftë edhe të njohur do të mund të pranoheshin heshturazi e pa komente.
Është shumë e vërtetë që vepra e madhe letrare e Dritëroit tejkalon çdo zë (lëvdues apo injorues), por nuk përbën kjo një arsye për të mos respektuar data e përkujtimore, për të mos marrë shkas nga këto data për të rrëfyer ndodhi, kujtime, “të pathëna” të vetë shkrimtarit.
Në shoqërinë e sotme ku mungojnë institucione të mirëfillta kulturore, ku mezor mbijetojnë Akademia e Shkencave apo Institute te letersise apo albanologjisë, ku mendimi kritik letrar ndodh shpesh të udhëhiqet nga shabllone të politizuara, ku shitet e blihet gjithćka, ku korruptohet e manipulohet opinioni, vullneti, dëshira, besimi, mirëbesimi; ku komisione vlerësuese të veprave letrare nuk paraprihen nga hierarkia e vlerave të njëmendta por nga afera korruptive përzgjedhëse, ku drita e “të vërtetës” është shumë e shumë larg dhe fatkeqësisht më së shumti mbulohemi nga terri i vesit, gënjeshtrës, shpifjes, është detyrë, detyrim i cilitdo që ka në zemër një dashuri për të bukurën? të vërtetën , artin e madh, njerëzoren, të ndershmen, të përkujtojë ata emra që përmbledhin brenda tyre fuqinë e “personalitetit emblematik”.
Mohimi i përkujtimit për të pohuar nevojën e një sipërmarrje më të thelluar siç është psh ” nxitja e leximit të veprave “në hije” tē autorit, si “Trendafili në gotë”etj janë dy argumente që nuk ka pse të kundërshtojnë njëri-tjetrin.
Le të shërbente ky vit përkujtimor, ku krahas dhimbjes njerëzore për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti, të mund të sensibilizohej më tepër për vlerat dhe veprën e tij, të mund të ngrihej shqetësimi i drejtë që ky autor as në poezi dhe as në prozë nuk është i vendosur në listën e veprave për testin kombëtar të letërsisë.
Pse duhet të na shqetësojë “kopshti i blertë” kushtuar poetit, pse aq duhet të na cimbisin nervat kujtimet e miqve dhe të afërmëve për shkrimtarin dhe njeriun e zemrës?
Pse kryebashkiakut nuk duhet t’i themi faleminderit, për çdo kontribut të tij në kujtim e vlerësim të figurave si Dritëro Agolli?
Aq fort e kemi zët aktin qytetar, njerëzor të vlerësimit ?
Kush tha që duke kujtuar poetin përmes mbjelljes së pemëve, kryebashkiaku tenton të krijojë panteonin e letërsisë shqipe?
Nderimi nuk është kualifikim cilësish e vlerash.
Apo ndoshta nëntekstet e kësaj kritike çojnë ujë aty ku është synimi final, presion dhe insistim për ngrirje iniciativash për vlerësim të figurave si Dritēroi?
Autori i shkrimit arrin deri aty sa të cilësojë “stil të kapërcyer monist”, përkujtimin e figurave të letërsisë duke përgjithësuar rastin e përkujtimit të 1-vjetorit të parë të ndarjes nga jeta të Dritëroit. E vijon me “përrallat e të kaluarës” të presidiumeve e të heronjve të popullit, të heronjve të Punës Socialiste, “heronjve të heshtur” të Periudhës së Pavarësisë etj. Thirret në ndihmë e kaluara për të katranosur më keq të sotmen.
” Në vendin tim e në vendin tënd
E shpojnë lakrën i hedhin mënd.
Në vendin tim e në vendin tënd
Njërit i kruhet e tjetrit i dhëmb.
Në vendin tim e në vendin tënd
Hënën si petull e pjekin në shkëmb.”
– vargëzon Dritëroi i madh .
Citojmë po ashtu një aforizēm të tij:
“Gjuha e zbulon dhe e mbulon njerinë”.
A do t’i shkonte ky aforizëm autorit të këtij shkrimi ?