Znj. Ministre, si po shkon panairi i Shtutgartit?
Panairi i Shtutgartit është panair i konsumatorëve. Nisur nga kjo, ne presim që pas këtij panairi të ketë edhe më shumë vizitorë për vitin 2017 në Shqipëri. Viti 2016 shënoi një rritje të numrit të turistëve që vizituan vendin tonë, i cili ishte rreth 19 –20 për qind më i lartë se vitin paraardhës, ndërkohë në këtë vit në presim të kemi sërish rritje gjatë këtij viti.
Fakti që ndodhemi këtu dhe mundësia që patëm për të qenë vend partner tregon se Shqipëria pati mundësi për të qenë më shumë e mbuluar në median rajonale si atë vizive dhe në atë të shkruar. Ne kemi pasur këto ditë mbulim të plotë në të gjitha gazetat e rajonit të Shtutgartit dhe përveç kësaj kemi pasur mundësinë të takohemi me përfaqësues të lartë drejtues të landit të Shtutgardit.
Personalisht unë pata një takim me ministrin e Landit, me z. Guido Wolf, një takim me kryetarin e Bashkisë, me drejtorin ekzekutiv të qendrës ku zhvillohen panairet, gjithashtu edhe me shumë operatorë turistikë dhe përfaqësues të medias. Të gjitha këto i bënë jehonë edhe më të madhe Shqipërisë, por nuk duhet të harrojmë faktin se Shqipëria ishte organizuar mjaft mirë në këtë panair. Ne kishim një hapësirë më të madhe për të shfaqur si destinacionine turistike disa bashki të vendit, gjithashtu operatorët tanë turistikë patën mundësinë të punonin për kontrata me turoperatorë të huaj që vijnë këtu në Shtutgart.
Shqipëria u prezantua me gjithë traditën e vet folklorike gjë që tërheq konsumatorin gjerman, gjithashtu dhe me traditën e vet të kulinarisë e cila u bë prezente përpara mediave sidomos në ditën e konferencës për shtyp, por edhe në stendë në mënyrë të vazhdueshme.
Nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, por gjithashtu edhe nga turoperatorët, u zhvilluan kontakte të drejtëpërdrejta me median, si dhe u dhanë disa intervista për të shënjestruar një pjesë të caktuar të tregut të turistëve gjermanë. Aktiviteti ka qenë i plotë dhe mbulimi besoj ka qenë relativisht i lartë ose më i larti që ne kemi pasur ndonjëherë nga pjesëmarrjet që kemi zhvilluar deri më sot në panairet ndërkombëtare.
Pse të huajt duhet ta vizitojnë Shqipërinë?
Ne u përpoqëm t’u themi atyre që bënë këtë pyetje, sepse kjo është një pyetje shumë e mirë, t’i tregojmë se çfarë ka Shqipëria. Ne kishim ardhur edhe me një hartë të të gjithë pikave të kampingut që ofron Shqipëria në vend. Gjithashtu ne treguam se nëse në Ballkan ka 10 pika që ofrojnë kampingje, të cilat mund të përdoren si vende nisëse për hiking, ecje në natyrë, për fluturim të lirë apo edhe për xhiro me biçikleta, Shqipëria ka katër nga 10-të pikat më të mira që ka Ballkani. Ky lajm u bë me dije për të gjithë ata që janë konsumatorë të turizmit të aventurës. U treguam gjithashtu se në Shqipëri këtë pranverë, pra në muajin maj, do të zhvillohet Kampionati i 9-të Botëror i Fluturimit të lirë që organizohet në Vlorë. Në këtë kampionat mund të marrin pjesë edhe ata turistë që kanë shpirtin e aventurës. Përveç kësaj në treguam që në Shqipëri ke mundësi për të bërë rafting, treguam pozicionet e lumenjve dhe mundësitë e mëdha për të zhvilluar këtë sport. Treguam gjithashtu dhe për parqet natyrore që ka Shqipëria, ku informuam mbi llojet e specieve të faunës dhe të florës që ata mund të vizitojnë gjatë një dite që mund të qëndrojnë në këto parqe ose edhe për më gjatë kur duan të bëjnë vizita dhe vëzhgime të zogjve.
A pati interes për investime në Shqipëri?
Unë besoj që po. Mënyra se si ishte organizuar panairi të krijonte mundësinë e shkëmbimit të ideve të ndryshme me konsujt e nderit të disa prej vendeve pjesëmarrëse këtu në panair. Mora pjesë në këtë takim dhe interesi ishte i dukshëm për ata persona që vijnë si konsuj, si dhe për ata që përfaqësojnë dhoma të ndryshme, shoqata biznesi apo dhoma tregtie. Për shembull Dhoma e Frankfurtit ku janë të përqendruara biznese që vijnë nga rajoni, por edhe më gjerë, edhe nga Turqia kishin interes për të zhvilluar investimet e tyre në Shqipëri. Natyrisht që këto takime nuk mjaftojnë vetëm me një herë, këto janë iniciativa që nisin nga këto takime dhe që duhet të pasurohen me më shumë informacione, por gjithashtu duhet të pasurohen dhe me vëzhgime direkte ne vend. Dhe kjo është ajo që ministria duhet të bëjë më shpesh, duhet të marrë përsipër të ndjekë takime të tilla që të nxisë sa më shumë të mundet investimet e huaja të vijnë drejt vendit.
Në çfarë fushash biseduat konkretisht?
Kryesisht u bisedua në fushën e turizmit dhe në fushën e zhvillimit të infrastrukturës detare. Këto ishin fushat që u diskutuan sot , si dhe u la që muajt e ardhshëm të bëjmë disa takime për të parë mundësinë e investimeve në vendin tonë.