Luan Rama
Eja, eja burri im,
të kam dashur dhe kur sytë mu errën
dhe bota mu përmbys me një tjetër
në lëndinat e mëkatit,
bëra dashuri dhe qaja për ty,
pastaj renda si e çmendur dhe u thashë erërave
merrmëni dhe çomëni tek burri im
shpirtin tim të vrarë çojani sa më parë
se unë po vij nga pas me plagën e hapur
që rrjedh në rrugën mavi të kthimit,
hapma portën e vjetër i dashuri im,
hapmi dritaret e dashurisë sonë të hershme
kur s’dinim ç’ishin hyjnitë dhe Zotat,
kur ishim frymë dhe dêshirë,
ndryshe do t’i thyej dhe prej hekuri qofshin,
madje dhe muret do t’i rrëzoj
për të ngritur sërrish strehëzën tonë të përjetshme.
Më dëgjon i dashuri im,
po vij me hapat e zbathur të shpirtit,
atë dashuri të çastit e lashë pas,
e harrova dhe e mallkova,
atë dhe veten time
dhe në udhët e botës një kryq të rëndë vura e shkova,
pra ngrihu shpirti im ashtu siç të kam njohur gjithnjë
unë jam përsëri ajo flutura tënde e bardhë
që ti e mbaje mbi qerpikët e tu,
majë gishtërinjve të tu të nxehtë
dhe lozje si fëmijë,
ngrihu, edhe pse me sy të vrarë
dhe krahë të djegura nga malli,
mbi duar po të sjell një diell të të ngrohë sytë,
pra hiqe cigaren nga buzët e tua të thara,
ja ku e ke gjirin tim, mund ta shuash mbi të,
të shuash dhimbjen tënde dhe timen
që të mund të përqafoj dhe të puth përsëri,
eja ylli im, sonte mos u ngjit lart në qiell,
rri me mua këtu në qiellin tënd, në zjarrin tënd,
mbi plagën time dhe tënden…
Agia Ana, 13 korrik, 2016