Shpikësi dhe fizikanti i famshëm Nikola Tesla u bënte ushtrime të këmbëve – çdo natë, ai vazhdimisht shkrythte gishtat e këmbëve, 100 herë për çdo këmbë, sipas autorit Marc J Seifer. Ndërsa nuk është plotësisht e qartë se çfarë kërkonte ky ushtrim, Tesla vetë thoshte se e ndihmonte për stimulimin e qelizave të trurit.
Matematicieni më pjellor i shekullit të 20-të, Paul Erdos, preferonte një lloj të ndryshëm stimulanti: amfetaminë, të cilën e përdorte për të seancat 20-orëshe me numrat. Kur një mik vuri bast për 500 dollarë me të, se Erdos nuk do të mund të ndalte përdorimin e saj për një muaj, Erdos fitoi, por u ankua: “Ju e keni lënë matematikë një muaj mbrapa”.
Ndërkohë, Njutoni mburrej për dobitë e beqarisë. Kur vdiq në vitin 1727, ai e kishte transformuar përgjithmonë, të kuptuarin tonë të botës natyrore dhe la pas shënime me mbi 10 milionë fjalë. Ai ishte gjithashtu, sipas të gjitha dëshmive, ende i virgjër (Tesla kishte hequr gjithashtu dorë nga martesa dhe marrëdhëniet, edhe pse më vonë pretendoi se ra në dashuri me një pëllumb).
Shumë nga mendjet më të ndritura shkencore në botë, ishin gjithashtu jashtëzakonisht të çuditshme. Që nga ndalimi total që Pitagora u bënte bizeleve, tek “banjot lakuriqe në ajër” të Benjamin Franklinit, rruga drejt madhështisë është shtruar me disa zakone vërtetë të çuditshme.
Por, po sikur këto të jenë diçka më shumë, se thjesht fakte sipërfaqësore? Shkencëtarët po e kuptojnë gjithnjë e më shumë, se inteligjenca ka të bëjë më pak me fatin gjenetik, që ne kemi prirjen të mendojmë. Sipas një rishikimi të fundit të provave, rreth 40% e asaj që e dallon super-inteligjentët nga kokëtrashët në moshë të rritur, është kryesisht mjedisore. Ju pëlqen apo jo, zakonet tona të përditshme kanë një ndikim të fuqishëm mbi trurin tonë, duke formësuar strukturën e tij dhe ndryshuar mënyrën se si ne mendojmë.
Nga të gjitha mendjet e mëdha të historisë, padyshim mjeshtri i kombinimit të gjeniut me zakonet e çuditshme ishte Albert Einsteini – kështu që, ai është personi më i përshtatshëm për të studiuar për gjurmë, në sjelljet që nxisin mendjen tonë. Ai na mësoi se si të shtrydhim energjinë nga atomet, kështu që ndoshta, ai do të jetë në gjendje të na mësojë një ose dy gjëra, se si të shtrydhim më shumë, trurin tonë të vogël prej vdekatarësh. A mund të ketë ndonjë përfitim, nëse ndjekim gjumin e Einsteinit, dietën, madje edhe zgjedhjet e modës?
10 orë gjumë dhe dremitje 1-sekondëshe
Dihet nga të gjithë, se gjumi është i mirë për trurin tuaj dhe Einsteini e merrte këtë këshillë, më seriozisht se shumica e njerëzve. Thuhet se ai flinte të paktën 10 orë në ditë – gati një herë e gjysmë më shumë se mesatarja sot (6.8 orë). Por, a mund të shkosh vërtetë drejt një mendje më të mprehtë, duke fjetur?
Shkrimtari John Steinbeck dikur ka thënë: “Është një përvojë e zakonshme, që një problem i vështirë gjatë natës, të zgjidhet në mëngjes, pasi komiteti i gjumit ka punuar me të”.
Shumë nga zbulimet më radikale në historinë njerëzore, duke përfshirë tabelën periodike, strukturën e ADN-së dhe teorinë e Einsteinit për relativitetin e veçantë, supozohet se kanë ndodhur ndërsa zbuluesi i tyre ishte në gjumë. Ky i fundit i erdhi në mendje Einsteinit, ndërsa po ëndërronte se lopët po i zinte korrenti. Por a është kjo e vërtetë?
Kthehemi në vitin 2004, kur shkencëtarët në Universitetin e Lübeck-ut, Gjermani, e testuan idenë me një eksperiment të thjeshtë. Së pari, ata i trainuan vullnetarët që të luanin një lojë me numra. Shumica gradualisht e mësuan duke u praktikuar, por mënyra më e shpejtë për t’u përmirësuar ishte zbulimi i një rregulli të fshehur. Kur nxënësit u testuan sërish tetë orë më vonë, ata që ishin lejuar të flinin mbi dy herë më shumë se të tjerët, ishin më të prirur të përftonin njohuri mbi rregullat, sesa ata që kishin ndenjur zgjuar.
Kur bie në gjumë, truri hyn në një seri ciklesh. Çdo 90-120 minuta truri luhatet midis gjumit të lehtë, gjumit të thellë dhe një faze të lidhur me ëndërrimin, të njohur si Lëvizja e Shpejtë e Syve (REM), e cila deri kohët e fundit mendohej të luante rolin kryesor në të mësuarit dhe kujtesën. Por nuk është e gjitha. “Gjumi jo-REM ka qenë një mister, por ne kalojmë rreth 60% të natës në këtë lloj gjumi”, thotë Stuart Fogel, neuroshkencëtar në Universitetin e Otavës.
Gjumi jo-REM karakterizohet nga shpërthime të aktivitetit të trurit, të ashtuquajturat ‘ngjarje me shkallë’, për shkak të zigzagëve në formë shkalle, që krijojnë valët në një EEG. Një gjumë normal i natës ka me mijëra të tilla, ku secila zgjat jo më shumë se disa sekonda. “Kjo është me të vërtetë porta drejt fazave të tjera të gjumit – sa më shumë që flini, aq më shumë nga këto ngjarje do të keni”, thotë ai.
Ngjarjet me shkallë fillojnë me një rritje të energjisë elektrike, që gjenerohet nga shkarkimi i shpejtë i strukturave thellë në tru. Aktori kryesor është talamusi, një rajon me formë ovale që vepron si qendra kryesore e trurit, duke dërguar sinjale ndijore në drejtimin e duhur. Ndërkohë që jemi duke fjetur, kjo qendër vepron si një prizë e brendshme, duke penguar informacionin e jashtëm, për t’ju ndihmuar të qëndroni në gjumë. Gjatë një ngjarje me shkallë, vala udhëton deri në sipërfaqen e trurit dhe pastaj kthehet përsëri mbrapsht.
Intrigues është fakti që, ata që kanë më shumë ngjarje me shkallë, kanë tendencë të kenë më shumë inteligjencë fluide – pra aftësia për të zgjidhur probleme të reja, për të përdorur logjikën në situata të reja dhe për të identifikuar modelet – gjëra që Einsteini i kishte me bollëk. “Ata nuk duken të lidhur me llojet e tjera të inteligjencës, siç është aftësia për të mësuar përmendësh faktet dhe figurat, kështu që është me të vërtetë specifike për këto aftësi të arsyetimit”, thotë Fogel. Kjo i jep kuptim kundërvënies së Einsteinit ndaj edukimit formal dhe këshillve të tij, për “të mos mësuar përmendësh asgjë që mund të lexoni”.
Dhe ndonëse, sa më shumë që fle, aq më shumë ngjarje me shkallë do të keni, kjo nuk do të thotë se më shumë gjumë, sjell më shumë dobi. Është si skenari i pulës dhe vezës: disa njerëz kanë më shumë ngjarje me shkallë për shkak se janë të zgjuar, apo janë të zgjuar, sepse kanë më shumë ngjarje me shkallë? Ende nuk dihet me siguri, por një studim i kohëve të fundit tregoi se gjumi i natës tek femrat – dhe dremitja e drekës tek meshkujt – mund të përmirësojë aftësitë në arsyetim dhe zgjidhjen e problemeve. Ç’është më e rëndësishmja, rritja e inteligjencës lidhej me praninë e ngjarjeve të shkallëve, të cilat ndodhnin vetëm gjatë gjumit të natës tek gratë dhe gjumit të drekës tek meshkujt.
Nuk dihet ende pse ngjarjet me shkallë janë të dobishme, por Fogel mendon se mund të ketë diçka të bëjë me rajonet që aktivizohen. “Ne kemi gjetur se të njëjtat rajone që prodhojnë shkallët – talamusi dhe korteksi [sipërfaqja e trurit] – janë rajonet që mbështesin aftësinë për të zgjidhur problemet dhe për të aplikuar logjikën në situata të reja”, thotë ai.
Për fat të mirë për Einstein-in, ai gjithashtu dremiste rregullisht drekave. Sipas legjendës apokrife, për të siguruar që nuk e tepronte, ai mbështetej në kolltuk me një lugë në dorë dhe një pjatë metalike poshtë. E lejonte veten të dremiste pak pastaj – bam! – luga i binte nga dora dhe zhurma që bëhej kur godiste pjatën, e zgjonte menjëherë.
Shëtitjet e përditshme
Einstein-i i kishte të shenjta, shëtitjet e përditshme. Ndërsa punonte në Universitetin e Princeton-it, në Nju Xhersi, ai bënte shëtitjen e rregullt 2 kilometërshe. Ndiqte gjurmët e këmbësorëve të tjerë të zellshëm, duke përfshirë Darvinin, i cili bënte tre shëtitje 45-minutëshe, çdo ditë.
Këto zakone nuk ishin vetëm për stërvitje – ka shumë dëshmi se ecja mund të nxisë kujtesën, kreativitetin dhe zgjidhjen e problemeve. Për kreativitet të paktën, shëtitja jashtë është edhe më e mirë. Po pse?
Kur e mendon, nuk ka shumë kuptim. Shëtitja e shpërqëndron mendjen nga shumë detyra të tjera, dhe e detyron atë të përqendrohet në vënien e njërës këmbë përpara tjetrës, si dhe të mos rrëzohet. Këtu hyn në lojë “hipofrontaliteti i përkohshëm” – e përkthyer, kjo frazë mbresëlënëse do të thotë që të zvogëloni përkohësisht aktivitetin, në pjesë të caktuara të trurit. Në veçanti, lobet frontale, të cilat përfshihen në procese më të larta, të tilla si kujtesa, gjykimi dhe gjuha.
Duke e ulur pak aktivitetin, truri adopton një stil krejtësisht të ndryshëm të të menduarit – një që mund të çojë në depërtime, të cilat nuk ju vijnë kur jeni ulur në tryezën e punës. Nuk ka ndonjë dëshmi për këtë shpjegim të përfitimeve të shëtitjes, por është një ide e mundshme.
Të hash spageti
Atëherë, çfarë hanë gjenitë? Mjerisht, nuk është e qartë se çfarë e vinte në lëvizje mendjen e jashtëzakonshme të Einstein-it, megjithëse interneti dyshon se ishte spageti. Ai ka thënë një herë me shaka, se gjërat e tij të preferuara nga Italia ishin “spageti dhe matematicieni Levi-Civita”.
Megjithëse karbohidratet kanë një reputacion të keq, si gjithmonë, Einsteini i pëlqente shumë. Është e ditur se truri ka oreks të madh për ushqime, duke konsumuar 20% të energjisë së trupit, edhe pse ai përbën vetëm 2% të peshës së tij. Ashtu si pjesa tjetër e trupit, truri preferon të ushqehet nga sheqerna të thjeshta, të tilla si glukoza, të cilat janë shpërbërë nga karbohidratet. Neuronet kërkojnë një furnizim pothuajse të vazhdueshëm, dhe pranojnë burime të tjera energjie, vetëm kur janë vërtetë të dëshpëruar. Dhe këtu qëndron problemi.
Truri nuk ka asnjë mënyrë për të depozituar dhe ruajtur energji, kështu që kur nivelet e glukozës në gjak bien, atij i mbaron shpejt. “Trupi mund të lirojë disa nga depozitat e veta të glikogjenit duke çliruar hormonet e stresit si kortizoli, por këto kanë efekte anësore”, thotë Leigh Gibson, një lektor psikologjie dhe fiziologjie në Universitetin e Roehamptonit.
Këto përfshijnë ndjenjën e famshme të trullosjes dhe konfuzionin që ndiejmë kur nuk hamë darkë. Një studim zbuloi se ata që kanë dieta të ulëta në karbohidrate, kanë kohë më të ngadalshme reagimi dhe kujtesë të zvogëluar hapësinore – edhe pse vetëm në afat të shkurtër (pas disa javësh, truri përshtatet me energjinë e marrë nga burime të tjera, si proteina).
Sheqernat mund t’i japin trurit një shtytje të vlefshme, por për fat të keq kjo nuk do të thotë që zhytja në spageti është ide e mirë. “Provat sugjerojnë se rreth 25g karbohidrate janë të dobishme, por dyfishimi mund të pengojë aftësinë tuaj për të menduar”, thotë Gibson.
Tymosja e llullës
Sot, rreziqet e shumta të duhanpirjes për shëndetin njihen gjerësisht, kështu që ky nuk është zakon që duhet ndjekur. Por Einstein-i ishte një duhanpirës i tubuar, që në kampuse universitare njihej sa për teorinë e tij të famshme, aq edhe për renë e tymit që e shoqëronte kudo. A e dashuronte duhanpirjen, dhe thoshte se “kontribuon për një gjykim të qetë dhe objektiv në të gjitha çështjet njerëzore”. Ai madje merrte bishtat e cigareve nga rruga dhe shtonte duhanin e mbetur në llullën e tij.
Jo tamam sjellja e një gjeniu, por duhet thënë se, megjithëse dëshmi kishte që nga vitet 1940, duhani nuk është lidhur publikisht me kancerin e mushkërive dhe sëmundjet e tjera, deri në vitin 1962 – shtatë vjet pas vdekjes së shkencëtarit të famshëm.
Sot rreziqet nuk janë sekrete – pirja e duhanit ndalon formimin e qelizave të trurit, dëmton korteksin cerebral (shtresa e rrudhur e trurit, përgjegjëse për ndërgjegjen) dhe shteron oksigjenin në tru. Është e drejtë të thuhet se Einstein-i ishte i zgjuar, pavarësisht këtij zakoni – jo për shkak të tij.
Por ka një mister. Një analizë e 20,000 adoleshentëve në Shtetet e Bashkuara, zakonet dhe shëndeti i të cilëve u ndoqën për 15 vjet, zbuloi se pavarësisht moshës, përkatësisë etnike ose arsimit, fëmijët më inteligjentë pinin më shumë duhan kur rriteshin, se të tjerët. Shkencëtarët ende nuk e dinë pse ndodh kjo, edhe pse nuk është e vërtetë kudo – në Britaninë e Madhe, duhanpirësit kanë tendencë të kenë kuoficent inteligjence më të ulët.
Pa çorape
Asnjë listë e zakoneve të çuditshme të Einstein-it nuk do të ishte e plotë, pa përmendur faktin që urrente çorapet. “Kur isha i ri”, i shkruante ai në një letër kushërirës, e më pas bashkëshortes së tij Elsa, “zbulova që gishti i madh i këmbës gjithmonë përfundon duke bërë një vrimë në çorape. Kështu që nuk vesha më çorape”. Më pas në jetë, kur nuk gjente sandalet, ai vishte shapkat e Elsës. Më vonë, nuk ka patur studime që të shohin direkt impaktin e lëvizjes pa çorape, por ndryshimi në veshje casual, dhe jo formale, është lidhur me performancën e dobët në testet e mendimit abstrakt.
Dhe për ta mbyllur, ku ka më mirë se një thënie e vetë shkencëtarit: “Gjëja më e rëndësishme është të mos pushosh së pyeturi; kurioziteti ekziston për një arsye”, i tha ai revistës LIFE në vitin 1955. / BBC Future – Përgatiti: Bota.al
Copyright: Bota.al