“Ndjekja e duruar e fakteve dhe, më pas, kombinimi dhe krahasimi i kujdesshëm i tyre është puna e rëndë që na ka caktuar Krijuesi, nëse dëshirojmë të arrijmë njohurinë e sigurt.”

Cit.: Thomas Jefferson (Presidenti i Tretë i SHBA)

Nën ndriçimin e fjalëve të urta të Z. Jefferson, për të njohur më në detaj efektet mbrojtëse të vaksinave të ndryshme duhet t’i krahasojmë ndërmjet tyre!

Është tejet e vështirë të gjenden studime që krahasojnë mes tyre katër vaksinat që përdorim në Shqipëri, prandaj merr vlerë të veçantë studimi i kryer nga institucionet e Mongolisë në bashkëpunim me

Universitetin Stanford (SHBA), rezultatet e të cilit u prepublikuan më 28 gusht 2021.

U krahasuan mes tyre nivelet e antitrupave të arritura pas imunizimit të plotë me vaksinat:

Pfizer/BioNTech

AstraZeneca

Sputnik V, dhe

Sinopharm (vaksinë kineze me virus të inaktivizuar, e ngjashme me Sinovac).

Pjesëmarrësit në katër grupet e studiuara u përzgjodhën të ngjashëm sipas gjinisë, moshës dhe kohës së kaluar pas vaksinimit. (Figurat S1 dhe S2)

U analizuan antitrupat për të parë neutralizimin e 9 varianteve të ndryshme të SARS-CoV-2, duke përfshirë 4 variantet shqetësuese (VOC):

Delta,

Alfa,

Beta, dhe

Gamma.

Rezultatet ishin të pritshme (Figura 1A):

Pfizer/BioNTech nxiti aktivitetin më të fuqishëm të antitrupave ACE2-bllokues,

AstraZeneca në ndjekje në vend të dytë,

Sputnik V në ndjekje në vend të tretë, dhe

Sinopharm paraqiti nivelet më të ulëta të aktivitetit.

Klasifikimi qëndroi i njëjtë për të gjitha variantet e SARS-CoV-2, përfshirë Alfën dhe Deltën!

Analiza dytësore:

Mongolia ka vaksinuar 61.4% të popullatës adulte me dy doza dhe 6.3% me një dozë.

Por, në 89.2% të të rriturve të vaksinuar është përdorur vaksina Sinopharm.

Në qershor, Mongolia pati shumë infektime të reja edhe në persona të vaksinuar.

Si rrjedhojë, u krye edhe studimi i 177 rasteve të infektuar pas vaksinimit me Sinopharm.

Rezultati:

97.3% e infektimeve të personave të vaksinuar me Sinopharm kishte ndodhur nga varianti Alfa.

Alfa shfaq shumë pak evazion ndaj vaksinave e prodhuara me variantin Wuhan-Hu1.

Si rrjedhojë, autorët dalin në përfundimin se:


INFEKSIONET E TË VAKSINUARVE NË MONGOLI JANË TË LIDHURA ME NIVELIN E ULËT TË ANTITRUPAVE PAS VAKSINIMIT ME SINOPHARM, DHE JO ME AFTËSINË E VARIANTIT ALFA PËR TA KAPËRCYER ATË.

Përfundimet e autorëve: Krahasimi direkt i përgjigjeve të nxitura nga vaksinat me 9 variante të SARS-CoV-2 tregon ndryshime të theksuara ndërmjet secilës vaksinë, ku titrat e antitrupave dhe aktiviteti ACE-2 bllokues janë në:

nivele relativisht të ulëta për vaksinat Sinopharm dhe Sputnik V,

nivele të luhatshme për vaksinën AstraZeneca, dhe

nivelet më të larta për vaksinën Pfizer/BioNTech.

Në fund, autorët sugjerojnë VAKSINIMIN ME DOZË PËRFORCUESE, POTENCIALISHT ME TIPET E VAKSINAVE MË TË FUQISHME për të kontrolluar pandeminë COVID-19 në Mongoli dhe në botë.
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT
Akademia e Shkencave të Shqipërisë