Edmond Tupja “provokon” sërish me “Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh”

Lulet, frutat dhe perimet janë shkasi më i mirë për t’u thelluar në imagjinatën e përbashkët erotike të gjuhës dhe kombit shqiptar.
Edmond Tupja boton me “Pegin” librin “Fjalor erotik frutash, lulesh e perimesh”. Siç shihet edhe nga titulli i këtij fjalori, autori ka përfshirë në të lulet, frutat dhe perimet, duke u përpjekur, jo vetëm të vërë në dukje tiparet erotike të këtyre tri kategorive, por edhe të provojë se, nga ana fonetike, shpesh emrat e tyre shpalosin ose krijojnë një atmosferë erotike, për të cilën rrëfen edhe një ngjarje krejt të imagjinuar, por të përshtatshme vetëm për publikun shqiptar dhe për gjuhën shqipe. Nëpërmjet këtyre ngjarjeve, autori ka arritur të shpalosë disa shprehi apo gjeste të përhapura të kulturës sonë, i ka vendosur ato në kontekste sa erotike, po aq edhe gazmore apo satirike, duke paraqitur kështu një pjesë të rëndësishme e të lashtë, sa edhe të censuruar, në letrat shqiptare. Pa dashur të vëmë kufizime për lexueset dhe lexuesit, duhet të theksojmë se ky fjalor, gjithsesi zbavitës, do t’i shijonte më shumë një publiku të rritur, pra, në moshë madhore, dhe, mundësisht, me njëfarë përvoje erotike. Autori Edmond Tupja (1947) është profesor, përkthyes, publicist dhe shkrimtar shqiptar. Ka studiuar në Francë dhe konsiderohet si një nga përkthyesit më të zotë të gjuhës shqipe. Si shkrimtar, ai ka botuar disa tituj, shumë prej tyre me temë erotike, si p.sh., “69 variacione për një temë erotike”, “Tingujt e trupit tënd”, “Vajzat e ballkonit”, “Fjalori erotik” dhe “Po shkoj të kap Enisin”. Ai është gjithashtu autori i veprave autobiografike si “Mos ik, o ma” dhe “Kur dhimbja premton dashuri”
FRAGMENT LIBRI
Ndoshta sepse emri “pjeshkë” fillon me germën “p”, me të cilën fillon edhe emri vulgar që shenjon organin në fjalë? Ndoshta sepse pjeshka e ka lëkurën me push? Ndoshta sepse ajo është e butë përbrenda? Ndoshta sepse pjeshka çahje ndahet më dysh me një futje gishti te vendi i bishtit? Ndoshta sepse, pasi i hiqet po aq lehtësisht bërthama, gropëza që kjo lë është bojë vishnje si thellësitë e dëshirueshme të trupit femëror? Sidoqoftë, pavarësisht se cila mund të jetë përgjigjja më e saktë, kur të rinjtë shohin t’u kalojë pranë ndonjë vajzë e bukur, shtatderdhur dhe sexy, ata i thonë njëri-tjetrit, duke ulur zërin, por, nganjëherë, edhe duke e ngritur enkas, “Shih çfarë pjeshke!” ose “Hajde pjeshkë, hajde!”, dy shprehje këto ku fjala “pjeshkë” mund të interpretohet si një metaforë për personin femëror në tërësi, pra jo vetëm për organin e saj seksual, por, kur veshi të zë, në gojën e njërit prej djemve, shprehjen “Të hëngsha pjeshkën!”, nuk ka më asnjë pikë dyshimi: fjala “pjeshka” ka sërish kuptim metaforik, por, kësaj radhe, ajo shenjon vetëm vendin më intim të femrës që meshkujt e rinj ëndërrojnë të eksplorojnë me gishtin e njëzet e njëtë që natyra u ka falur aq bujarisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *